top of page

Abuzimet në Universitetin e Mjekësisë dhe rritja e tarifave, studentët priten në takim në KLSH


Në vazhdën e hapave të ndërmarrë për kundërshtimin e ligjit “për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë”, një përfaqësi e studentëve të kësaj dege kanë zhvilluar takim këtë të premte në Kontrollin e Lartë të Shtetit, pas një kërkese që ata i drejtuan kryetarit të KLSH, Arben Shehu, ku nxirrej në pah abuzimi me fondet dhe financat në Universitetin e Mjekësisë.


Pas përfundimit të takimit studentët bënë me dije se kanë paraqitur në KLSH dyshimet e arsyeshme se në Universitetin e Mjekësisë ka abuzim me fondet publike dhe lidhur me këtë çështje kërkuan auditim nga ky institucion.

Studentët e mjekësisë u ndalën edhe në uljen e numrit të aplikantëve në degën “Mjekësi e Përgjithshme” për këtë vit akademik, duke thënë se vjen si pasojë e ligjit të gabuar që u ndërmor për këta studentë.

Më datë 30 gusht studentët e mjekësisë i dërguan një kërkesë KLSH ku parashtruan se sipas nenit 5 të ligjit, studenti që nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen, paguan vlerën e plotë të kostos së studimeve, që në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave, përcaktohet të jetë 678 mijë lekë të rinj për çdo student në vit.


Sipas studentëve kjo kosto e fryrë nuk përputhet me kushtet që ofron Universiteti i Mjekësisë dhe bie në kundërshtim me një deklaratë publike të rektorit të UMT Arben Gjata, se kostoja e përllogaritur nga universiteti është rreth 3000 euro. Teksa ngrenë dyshime se në Universitetin e Mjekësisë ka abuzim me fondet publike, ata kërkojnë të zhvillohen kontrollet përkatëse nga KLSH.



bottom of page