Adnan Xholi prezanton kandidaturën për SPAK: Koha të bëjmë hapa cilësorë kundër korrupsionit të …
- Editor 1
- Dec 16, 2022
- 2 min read

Prokurori Adnan Xholi ka prezantuar sot para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kandidaturën e tij për kreun e Prokurorisë së Posaçme.
Xholi ka thënë se nuk ka konflikt interesi, teksa ka vlerësuar punën e SPAK në këto vite. Ai është shprehur se mendon se ka ardhur koha që tashmë trupa e SPAK të bëjë hapa të mëtejshëm cilësorë në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“E kam plotësuar deklaratën për konflikt interesi dhe nuk jam në kushtet e konfliktit të interesit. Jam një nga kandidatët që kanë shprehur vullnetin për Prokurorinë e Posaçme. Me bindjen se kam aftësitë e duhura profesionale, hetimore për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme siç është dhe Prokuroria e Posaçme. Krahas rezultateve të shkëlqyera që ka arritur Prokuroria e Posaçme, mendoj se ka ardhur momenti që trupa të vijojë me hapa të mëtejshëm cilësorë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vij sot këtu si kandidat që ka 24 vite eksperiencë pa shkëputje. Karriera ime ka vijuar nga roli bazë dhe duke ngritur të gjitha shkallët”, u shpreh prokurori Xholi.
Xholi tha se si kreu i SPAK, pasi nuk heq dorë nga roli si prokuror, do të përkushtohet personalisht për të ndihmuar përmes eksperiencës dhe kontributit, kryesisht në luftën kundër korrupsionit të lartë.
“Si drejtues do të duhet që krah bashkëpunimit, raporteve dhe menaxhimit, do të duhet që dhe vetë drejtuesi të marrë përgjegjësitë e tij, sidomos kur ngarkesa ndaj asaj strukture është në rritje. Të vendosë vëmendjen e duhur te çështjet e korrupsionit të lartë. Drejtuesi duhet të jetë pjesë e grupit dhe të japë eksperiencën e tij, kontributin e tij”, deklaroi prokurori Xholi.
Xholi tha se ka hetuar një sërë krimesh të rënda, përfshi trafikun e lëndëve të forta narkotike.
“Kam qenë prokuror që kam hetuar çështjet e masakrave në Shqipëri. Edhe pse pas 10 viteve është bërë e mundur mbledhja e provave të pakundërshtueshme. Si dhe bashkëpunuesit e drejtësisë. 3 prej të hetuarve janë dënuar me burgim të përjetshëm. Kam bashkëpunuar me autoritet e huaja sa i përket trafikimit të lëndëve të forta narkotike. Edhe si prokruor pranë SPAK, nuk e kam patur fatin që të jem nga dita e parë, por bëj një vit që jam prokuror, e kam të pamundur që të bëj para jush me dije ato çështje sensitive që kam nën hetim. Kam dërguar për gjykim zyrtarë të lartë, kam sjellë para jush vendime të formës së prerë të personave që vidhnin banesa në shtetet e huaja”, u shpreh ai.