"AGJENCIA RROGOZ NËN KËMBËT E BANDAVE"!
- Editor 2
- Jan 5, 2023
- 2 min read
(Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, apo "Agjencia Rrogoz nën Këmbët e Bandave"?!)

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zgjedhur institucionin e Prokurorisë së Posaçme për të çelur siparin e vizitave të saj për 2023-shin. Paraditen e sotme të 5 janarit, ajo ka shkuar në ambientet e saj ku është takuar e ka biseduar për rreth një orë me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani dhe disa prokurorë të tjerë të kësaj strukture.

Patjetër, vizita e saj ka pasur si qëllim të inkurajojë prokurorët në luftën e tyre me krimin e korrupsionin dhe t'u kërkojë atyre të mos intimidohen nga presione apo njerëz të veshur me pushtet... Padyshim, ajo ka pasur arsye për të gjitha këto...
Falë mbështetjes dhe angazhimit të pandërprerë e maksimal të saj, për shumë shqiptarë, 2023-shi pritet të jetë viti që do të sjellë më në fund drejtësi dhe do t'i japë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend. Pikërisht për këto arsye pritshmëritë për disa janë rritur deri në atë masë saqë mund të konsiderohen si njerëz nën një "overdozë" shprese... Ndërsa, për shumë të tjerë jo. Arsyet e skepticizmit të tyre janë edhe mungesa e përgjigjeve për disa nga pyetjet që ata shtrojnë. Njëra nga ato ka të bëjë me situatën alarmante të krimit të organizuar dhe me sekuestrimin e konfiskimin e pasurive të tyre. Tashmë u bënë vite që në Shqipëri, për këtë punë është ngritur Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Prandaj, pyetjet që shtrohen janë konkrete:
- A funksionon Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) në Shqipëri?
- A ka drejtor kjo agjenci?
- Kush dhe ku është ai? Pse nuk ia dëgjojmë zërin?
- A po shikon ky drejtor i AAPSK-së se pasuri të sekuestruara po vazhdojnë të përdoren normalisht nga krimi i organizuar?!
...Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia:
- A biseduan sot ambasadorja Yuri Kim dhe kreu i SPAK-ut Altin Dumani për këtë problem?
Këto janë ca nga ato pyetjet që presin përgjigje dhe, jo vetëm nga skeptikët... Ndërsa pyetjen "Përse nuk thërritet nga SPAK-u drejtori i AAPSK-së?", në pamundësi të një përgjigjeje, një "alibi", së paku për punonjësit e AAPSK-së, që në sytë e shumë shqiptarëve duket se janë bërë rrogoz nën këmbët e bandave të krimit, e duam...