Dritan Agolli e ka nxjerrë nga shinat Fondin Shqiptar të Zhvillimit, duke i shpërndarë paratë tek kompani të dyshimta. Lekët e alokuara për këtë institucion janë bërë pre e abuzimit me ligjin dhe kanë destinacion përvetësimit përpara se të investohen në projektet e shpallura.
Drejtori Dritan Agolli ka firmosur së fundmi shpenzimin e miliarda lekëve që dalin nga Thesari i Shtetit duke i xhiruar në llogaritë e biznesmenëve që prej vitesh njihen dhe janë akuzuar për mashtrime me tenderët.
Në këtë linjë abuzimi qëndron edhe kontrata e tenderit të fundit që ka si objekt ‘Ndërhyrje në ndërtimin e urave dhe nyjeve lidhëse Faza II”. Janë fonde të Programit Buxhetor “Financimi i Projekteve Prioritare të Qeverisë Shqiptare, për periudhën 2023-2026”, që vihen në rrezik nga procedura e ndjekur.
Gara është hapur që në korrik, edhe pse vihet re që Agolli kishte vënë vetëm 1 ditë kohë që operatorët e interesuar të dorëzojnë ofertat.
Ndërkohë nuk është e qartë pse u deshën disa muaj që të bëhej publik emri i fituesit. Nga dokumentet shohim se konkurrentët e tjerë janë po aq të fortë (domethënë me mbështetje në qeveri) duke përmendur këtu Fusha shpk, Gjoka shpk, “Albavia” shpk dhe të tjera.
Pra, u mbajt në sirtar për disa muaj dhe më datë 2 tetor 2023 u publikua kontrata e firmosur me “Vëllezërit Hysa”, edhe pse nga ana tjetër firma “ALBAVIA” kishte ofertë më të lirë.
Kështu, 2 miliardë lekë nga taksat tona kanë shkuar në dorën e dy vëllezërve që më parë janë kaluar duke mashtruar me punimet. Pra, përveç kleçkës së thurur në afatet e tenderit, më keq akoma është risku i fondit nga korrupsioni i zyrtarëve.
Si mashtrojnë me projektet Vëllezërit Hysa
Në vitin 2018, pronarët e kompanisë u arrestuan për aferën e rrugës Elbasan-Gjinar, por ,e ndihmën e gjyqtarit Tomorr Kullolli e kanë mbyllur dosjen. Ata kanë disa implikime në dosjet e SPAK-ut për pastrim parash të krimit në kazino dhe turizëm.
Protagonistë të kësaj afere, pronarët e kompanisë ‘Vëllezërit Hysa’ janë të skeduar për korrupsion, klientelizëm, falsifikime dhe krime mjedisore edhe në zbatimin e projektit të Belshit; ata kanë vepruar nën hijen e deputetëve të zonës dhe me mbështetje nga kryeministri. Punimet për transformimin e Belshit nga pronarët e kompanisë ‘Vëllezërit Hysa’ janë të një cilësie të dobët, jashtë standardeve dhe në shkelje flagrante të kontratës.
Projekti “Ansambli Rilindja, Belsh”, ishte parashikuar të shtrohej me gurë troktolit, ndërsa ‘Vëllezërit Hysa’ e kanë shtruar me pllaka guri të marrë nga formacione shkëmbore ranore të imta dhe gëlqerorë, për të vjedhur paratë. ‘Vëllezërit Hysa’ kanë mashtruar edhe me volumet e kryera duke korruptuar kryebashkiakun Arif Tafani.
Nga ana tjetër, kompania ‘Vëllezërit Hysa’ është shpallur në atë kohë fituese për zbatimin e projektit pa plotësuar kriteret, rrjedhimisht në kundërshtim flagrant me ligjin.
Skandali u thellua pasi edhe projekti i zbatuar dukej se ishte i falsifikuar, deformuar dhe i pamiratuar. Kulmi i skandalit arriti me ndërtimin e një pallati privat nga ‘Vëllezërit Hysa’, duke ia shtuar projektit në mënyrë korruptive.
Pra, nuk është çudi që edhe për riparimin e urave të mos përdoren shufra hekuri apo beton, sikur përcaktohet në tender, por vetëm trarë dhe zhavorr, sa për t’u mbyllur sytë qytetarëve.