Në vitin 2021, të ardhurat në buxhetin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare arritën në 345 milionë lekë ose 3.1 milionë euro. Nga këto, institucioni rregullator i tregjeve financiare shpenzoi plot 270 milionë lekë për shpenzime personeli.
Të dhënat historike tregojnë se krahasuar me 4 vjet më parë, shpenzimet e personelit në AMF janë rritur me 60 për qind. E shprehur në vlerë, AMF në vitin 2021 shpenzoi për rroga gati 900 mijë euro më shumë se 4 vjet më parë. Dhe kjo ngre një pyetje? A duhet institucionet rregullatore të thajnë likuiditetin e tregjeve që mbikqyrin për të shpenzuar para pa kriter për personelin.
Buxheti i AMF financohet thuajse 100 për qind nga taksa mbi primet bruto. Aktualisht kompanitë e sigurimeve janë të detyruara që për çdo 100 lekë të arkëtuara nga primet, 1.5 lekë ta derdhin në buxhetin e AMF. Dikur taksa që përfitonte AMF ishte 0.5 për qind mbi primet bruto.
Trefishimi i taksës që merr AMF dhe rritja e tregut të sigurimeve ka bërë që të ardhurat e këtij institucioni të rriten me ritme të larta nga viti në vit dhe tani buxheti ka kapërcyer shifrën 3 milionë euro. Të dhënat për vitin 2022, nuk janë bërë ende publike, por vlerësimet janë që shifra të jetë rritur edhe më shumë. Dhe tani AMF, pasi ka rritur shpenzimet e personelit me 60 për qind nuk di ku t’i ccojë më paratë që i merr tregut.
Kthim mbrapsht
Në mbledhjen e fundit, Bordi i AMF vendosi që t’u kthejë mbrapsht kompanive të sigurimit 48 milionë lekë ose 430 mijë euro nga të ardhurat e arkëtuara vitin e kaluar për shkak të sufiçitit në të ardhura. Por a duhet një institucion publik të thajë likuditetin në treg përtej nevojave për të financuar shpenzimet e personelit dhe ato operative?
Shoqata e siguruesve thotë se shifra prej gati 3 milionë euro që AMF i merr tregut përmes taksës 1.5 për qind është një shumë e konsiderueshme dhe krijon shqetësime në treg. Sipas tyre, pjesa që shoqëritë e sigurimit i paguanin AMF ishte dikur 0.5% dhe arrinte të financonte mjaft mirë buxhetin e rregullatorit.
Tani edhe pse tregu i sigurimeve është zgjeruar ndjeshëm krahasuar me atë kohë, AMF merr një taksë tre herë më të lartë. Kompanitë e sigurimeve thonë se taksa duhet të ulet, pasi në finale ajo rëndon mbi qytetarët. Sipas tyre, ky kontribut duhët te jetë pjesë e diskutimeve me shoqatën për masën dhe mënyrën e pagesës, pasi në finale taksa që financon AMF-në paguhet nga qytetarët dhe rrit kostot e tyre.
Por AMF nuk pranon të diskutojë buxhetin e saj me kompanitë e sigurimeve. Kjo e ka kthyer institucionin që duhet të mbikqyrë tregjet financiare në një ent që më shumë kujdeset për të mbledhur taksa që t’i shpenzojë pa kriter se sa për mbarëvajtjen e tregut.