Duke kujtuar Asdrenin (11 prill 1872 – 11 dhjetor 1947), autorin e tekstit të Himnit tonë Kombëtar, në përvjetorin e 75-të të vdekjes...
***
Më 1937 u kthye në Shqipëri nga Bukureshti pas 48 vjetesh për t'u çmallur me atdheun. U prit me dashuri të jashtzakonshme. E paharruar qe vizita që bëri në Shkodër, së bashku me Lasgushin e ri, me këngëtaren Tefta Tashko dhe pianisten Lola Aleksi.
Ditët kremtore, organizuar në Kinema Rozafat nga Ernest Koliqi, vunë në kontakt me intelektualët më të lartë të qytetit të Veriut, dy breza poetësh të mëdhenj: brezin e parë, përfaqësuar nga Atë Gjergj Fishta e Asdreni dhe brezin e dytë, nga Ernest Koliqi e Lasgush Poradeci. Ky takim u përjetësua përmes aparatit fotografik të Marubit.
Fotografitë, të cilat sot na paraqiten si të rralla e të panjohura, qenë tepër të njohura për kohën, sepse u botuan në të gjitha organet kryesore të shtypit. Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm për të dy poetët e mëdhenj të Toskërisë, që u njohën së afërmi me dy të mëdhenjtë e Gegënisë, e sidomos me Atë Gjergjin.
Mbresat e jashtëzakonshme këtyre takimeve, ende të panjohura, do t’i shtonin faqe të reja jetëshkrimit të katër të mëdhenjve të letërsisë shqipe.
Pas shtegtimeve plot mall nga Jugu në Veri, Asdreni u kthye rishtas në Bukuresht, ku vijoi jetën e tij prej murgu, kushtuar krejtësisht bashkësisë së shqiptarëve të Rumanisë, e jo më pak, gjithë shqiptarëve për të cilët, siç e tregojnë titujt e veprave të tij: ëndërroi, derdhi lote, dëshiroi rreze dielli e lirie. E mbylli sytë në një shtëpi që i ngjante më shumë kasolles, në rrethinat e Bukureshtit me 11 dhjetor 1947.
Po postojmë 4 poezi të ndjera të Asdrenit:
_____
"DUA"
Mbi bar dua të prehem,
të këndoj, të dëfrehem,
të shoh rreth bagëtinë,
kur hanë dhe pinë;
të shoh fushat e blerta,
bimët kur i fryen era,
njërzit kur punojnë
dhe çupat kur këndojnë!
Ah, dua dhe lulet,
kur i shfaqin pekulet,
dhe fluturat që venë,
mbi to dua të jenë;
bilbili t’ia thotë
nën diellin e ngrohtë.
Dua dhe Shqipërinë,
se atje kam shtëpinë,
kur rrija nëpër ferrat
edhe lozja me sheqerrat;
për këtë kam dëshirë
dhe s’dua më mirë,
atje dua të shkoj,
sa të jem e të rroj!
_____
"ORA E ZEMRËS"
Shkrihen ujrat nër liqene,
Qielli fletet nis e hap
Mbyllur zemra rri si qene
S’do te çohet jashte nje çap
Strehevet treten dhe kongjijte,
Shterrin lotët gjith pikë pikë
Zemra hesht e mbledh peqinjtë
Me një sy më sheh të lik.
Maje biskut zogu tundet,
Rreze vere gjith po pret,
Gjumit zemra s’do të shkundet,
As një ndjenjë asaj si flet.
Kryet kaçja qet si trime
Qilimin e bardhë e flaku tej,
Tuf e barit dje si qime,
Sot çel bishtrat musi hej.
Dhe gjinkalla mer kitaren
Një arratises vjershëtor
Rri mpreh zërin mi të parën,
fije barit prandveror.
Hapu zemer, vjen pranvera
Rreze shkasin në çdo skaj
Merr lahutën dil tek dera,
Nisia këngës e mos qaj!
Thuria këngës dhempshurije
Çele zemrën magjiplote,
Ligjëratën dashurije
Që dha qielli dorëplotë.
Çohu zemër, shteri lotët,
Bjeri tingullit ledhatar
Se gjësendi s’vlejnë motet
Sa vlen çasti magjistar...
_____
"VLORËS"
Ti je balli me florinj,
ti je lulja e Shqipërisë
dhe trumbeta e lirisë.
Pleq që ngjalle dhe të rinj,
tërë kombi të sjell nder,
me lavd emrin ta ka shkruar
se ti trime vet’ me duar
fij’t e flamurit ke tjerr!
Je kurora me shkëlqim
gurështrenjt’, margaritarë,
që do mjeshtër magjistarë
t’i radhuan me qëllim.
Zjarr lëshojnë, që verbon,
si yj rrotull të shëndrisin,
rreze njyrash, llamburisin,
për sy bërë që lakmon!…
…Rrotull fqinjët sa fuqi,
sa mënyra nuk përdorin,
me pahir që të na korrin
çdo send, Vlorë, mban në gji!
Mund e bij ke pas’ armiq,
me syt’ katër gjith’ pas arit,
jasht’ zakonit të shqiptarit,
që s’shet besën për ca fiq.
Por ti, Vlorë, mos u dro!
Mbaj mburojën me qëndresë,
se kush vetes i zë besë,
e mat grushtin me këdo.
Se dhe Deti mik kur fle,
n’ëndrrat kryen një dëshirë
mbret të jet’ e zot i lirë
veç për tokën q’i dha bè.
_____
"SA TË DUA O SHQIPËRI"
Sa të dua, o Shqipëri,
sa me mall ndiej e sa dëshirë,
për ty gaz e dashuri
mu në zemër më ka mbirë!
Se për mua, o Atdhe,
je një lule aq e vyer,
sa nuk gjendet përmbi dhe
shpirtin tim për të ushqyer!
***
Saimir Z. Kadiu