top of page

Belgët denoncojnë tenderin e Belindës 400 MLN Euro për Porto Romanon, notat i vë komisioni “holandez” me Besnik Leskajn

Projekti i Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano nisi me zhurmën e skandalit “Alabbar”, ku u shpall ndërtimi nga një kompani arabe të resortit të jahteve në vend të portit ekzistues. Më pas projekti u kuptua se ishte thjesht një ndërtim pallatesh dhe rezidencash.

Por një skandal i ri po e shuan të vjetrin. Ndërkaq u hap rruga për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, ku është vënë në lojë fondi i madh i qeverisë shqiptare, që deri në fund pritet të shkojë mbi 1 miliard e 20 milionë Euro.Tenderi është futur tashmë në mekanizmat e korrupsionit, që i luan kryeministri Rama përmes Belinda Ballukut. Me letra, qeveria është në rregull. Tenderin e bën Autoriteti Portual i Durrësit, ndërsa Komisionin e Vlerësimit të Ofertave e drejton një kompani konsulentë holandeze.

Këtu nis paradoksi, sepse tenderi është “de facto” dhe “de jure” përgjegjësi e qeverisë shqiptare. Dhe është një bashkim kompanish belge dhe franceze që e ka vënë në provë sistemin shqiptar të prokurimit.

Belgët ankohen në KPP

Në datën 14 shkurt 2025 është dorëzuar dorazi, pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ankesa e bashkimit të operatorëve ekonomikë “JAN DE NUL NV” & “SOLETANCHE BACHY INTERNATIONAL” & “VINCI CONSTRUCTION GEOINFRASTRUCTURE”. Ky konsorcium përfaqësohet ligjërisht nga kompania belge “JAN DE NUL NV”.

Nga shqyrtimi paraprak i ankesës, konstatohet se objekti i saj lidhet me kundërshtimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, mbi skualifikimin e ofertës së paraqitur nga ky konsorcium.


Cilët janë anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave?

Autoriteti Portual Durrës (APD), nën drejtimin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është angazhuar në detajimin e projektit teknik të Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano i cili do mundësojë fillimin e punimeve për infrastrukturën e re dhe rialokimin e aktiviteteve portuale në zonën industriale të Spitallës në Porto Romano. Për këtë qëllim, ADP ka lidhur një kontratë konsulence me bashkimin e operatorëve: kompaninë holandeze “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V.” me pronarë të pashpallur, kompaninë nga Abu Dhabi “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C.” me pronar Ibrahim Al Dubaibe, firma “ABKONS” SH.P.K. me pronar Besnik Leskajn (djali i eksponentes së PS-së, Valentina Leskaj), “TAULANT” SH.P.K. me pronare Ditika Qatipin, “GEO-ENG” SH.P.K.”, me pronar  Llambro Dunin. Kompania  e fundit nuk ka marrë pjesë më parë në asnjë kontratë publike.

Këto kompani bëjnë përgatitjen e projektit teknik dhe dokumenteve të tenderit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano si edhe pajisjeve për trajtimin e ngarkesave. Në fakt, ky grup kompanish do zgjedh fituesin. Siç kuptohet nga përbërja e ekipit “konsulent” të vlerësimit të ofertave, tenderin e vendosin miqtë e Belindës dhe të Ramës, ndërsa holandezi dhe arabi janë aty për t’i dhënë vendimit pasaportë “ndërkombëtare” dhe të besueshme.

Më konkretisht, Autoriteti Portual Durrës, më 24 dhjetor 2024 ka organizuar tenderin “Porti i Ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano – Faza I”.

Paratë janë siguruar me një akt normativ më 21 shkurt 2024, që ndryshonte buxhetin e shtetit dhe alokonte fondin për fazën e parë të ndërtimit të portit. Fondi Limit për këtë fazë është caktuar 39 320 000 000,00 lekë (pa TVSH).


Ky është një tender rishpallur dhe procedura e prokurimit është mbajtur më   07 shkurt 2025. Sipas dokumenteve të tenderit, në këtë procedurë kanë dorëzuar propozimet 5 pjesëmarrës të huaj. Referuar të dhënave nga Agjencia e Prokurimit Publik, reflektuar më datë 7 prill 2025 në procedurën e prokurimit janë kualifikuar 2 oferta.Komisioni i kryesuar nga kompania holandeze kualifikoi për në fazën finale vetëm dy oferta: “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V.” nga Holanda dhe “Archirodon Construction” nga Greqia.

Parakualifikimi i tenderit për ndërtimin e Portit kishte dy faza. Faza e parë përfshinte hapjen e garës tenderuese, pjesë e të cilës ishte edhe zhvillimi i një terminali kontejnerësh me dy shtretër. Faza e dytë ishte e ajo e parakualifikimit, ku ofertuesit e mundshëm parakualifikohen me kusht që të plotësojnë kriteret për kapacitetin teknik dhe financiar. Me mbylljen e kësaj faze, nis faza finale, ajo e ofertimit në të cilën ofertuesit e parakualifikuar mund të dorëzojnë ofertën e tyre financiare.

Ndërkohë tri oferta të tjera u skualifikuan. Mes tyre ishte dhe ajo e bashkimit të përfaqësuar nga komapni belge “JAN DE NUL NV” me seli qendrore në Belgjikë. Skualifikimi duket i pambështetur, po të merret parasysh se të tria kompanitë janë të fuqishme dhe pjesëmarrëse në shumë projekte globale.

Në KPP mësuam se “Arsyet e skualifikimit janë mosgjetja, në dokumentacionin e paraqitur, të vërtetimit të punimeve të kryera për projektin “NRL – Echangeur & Digues; La Nouvelle Route du Littoral – La Réunion” ku të specifikohet përqindja e pjesëmarrjes në projekt të secilit pjesëmarrës, duke qenë se, projekti është realizuar nga një Joint Venture (J.V.). Gjithashtu, autoriteti njofton se Komisioni për Vlerësimin e Ofertave (KVO) nuk ka gjetur në dokumentacion, formularin e vlerësimit ose aktin e kolaudimit ose çertifikatën e marrjes në dorëzim”. Kështu operatori i huaj po përballet me marifetet e Belinda Ballukut. Nuk ka asnjë dokument që nuk mund të verifikohet mbi këtë autostradë bregdetare franceze që ka kushtuar afro 2.2 miliardë euro. Por duket se ka një vullnet politik për ta manipuluar tenderin, për t’ia dhënë kompanisë greke ose asaj holandeze. Kjo varet nga lobimet politike që bën kryeministri Rama pranë qeverive të dy vendeve të BE-së.

Ky tender vjen pas dështimit të një procedure të mëparshme të hapur gjatë këtij viti.


Është metoda tipike e Belinda Ballukut që i anulon tenderat ndërkombëtarë derisa të mbarojnë negociatat jashtë tryezës. Procedura e anuluar u hap më 30 korrik 2024, por ditën e fundit të caktuar për dorëzimin e dokumenteve, më 16 shtator 2024, u njoftua ndalimi i tenderit. Arsyeja e anulimit sipas Agjencisë së Prokurimit ishte se “Nuk është paraqitur asnjë kërkesë përkatëse në procedurat me faza”.

bottom of page