BKH dhe SPAK nisin hetimin për 26 pasuritë e babait të Enno Bozdos, dyshime për korrupsion madhor
- Editor 1
- 2 days ago
- 3 min read

Në vitet 2005-2013, kur Enno Bozdo ishte Zv/ministër i Ekonomisë në pushtetin “Berisha”, me ish-ministrat Genc Ruli, Dritan Prifti, Ilir Meta, Nasip Naço, Edmond Haxhinasto e Florion Mima, ka firmosur dosjet për 92 koncesione HEC-e private, si dhe shitjen e 213 pasurive me dokumente të dyshimta...
Askush nuk e mendonte, se kandidati për deputet i PD, Enno Bozdo, i pari te lista e sigurt në Berat, të ketë 26 pasuri të paluajtshme; jo se ai në çdo dalje publike televizive fliste si “qelibar” kundër korrupsionit, por sepse deri në vitin 2005 kur ishte 33 vjeç, nuk kishte asnjë lloj pasurie.
Ndërsa pas vitit 2005, kur nëpërmjet Genc Pollos hyri në kupolën e pushtetit të PD, krejt në heshtje si “urith”, paska vënë 26 pasuri të paluajtshme, regjistruar në emër të babait, të vërtetuara në regjistrat e Kadastrës.
Nga burime brenda BKH, “Pamfleti” ka mësuar se me indicie publikimin në media, ka nisur hetimi për 26 pasuritë e Enno Bozdos, të vëna pas vitit 2005, kur ai e emërua Zv/ministër i Ekonomisë gjatë pushtetit të PD, dhe në vitet 2013-2015 kur ishte zv/kryetar i Bashkisë-Tiranë.
Baza për të filluar hetimin e pasurive të Enno Bozdos, ka si pikënisje edhe faktin, që para e pas largimit nga këto detyra, nuk ka deklaruar pasuri; ndërsa në emër të babait të tij pensionist, janë regjistruar 26 pasuri gjatë 10 viteve, kur Enno ishte funksionar i lartë në pushtetin e PD.
Në hetimin e nisur nga SPAK nëpërmjet agjentëve të BKH, janë bashkëngjitur prova të dala nga hetimet e mëparshme për Sali Berishën dhe ish-qeveritarët e tjerë të PD- LSI, ku emri i Enno Bozdos ka dalë si firmosës në shumë afera korrupsioni.
Sipas të dhënave, rezulton se në vitet 2005-2013, kur Enno Bozdo ishte Zv/ministër i Ekonomisë në pushtetin “Berisha”, me ish-ministrat Genc Ruli, Dritan Prifti, Ilir Meta, Nasip Naço, Edmond Haxhinasto e Florion Mima, ka bërë dosjet për 92 HEC-e private me dokumente të dyshimta.
Po kështu, si zv/ministër, Enno Bozdo, ka hartuar dhe firmosur dokumente për privatizimin e ish-klubit “Partizani”, ku Berishët ndërtuan 17 kulla me Fatmir Bektashin.
Emri i Enno Bozdos, ka dalë në shitjen e 4 HEC-ve shtetërorë “Bistricë 1-2” e “Ulëz-Shkopet” te mafia turke; në aferën e shitjes së ARMO te Rezart Taçi, te ndryshimet e kontratave koncesionare të kromit, Bakrit e “Bankers” dhe te dosjet e privatizimit të 213 pasurive shtetërore.
Në vitet 2015-2013 Zv/kryetar i Bashkisë-Tiranë, emri i Enno Bozdos ka dalë si firmosës i dhurimit të 108 mijë m2 troje shteti për pallate e kulla, por në të dyja detyrat, ka edhe gjurmë zullumesh të tjera, të cilat SPAK e BKH i kanë objekt hetimi.
Deri tani janë konstatuar 26 pasuri, vlera e të cilave, do krahasohet me pagat që Enno Bozdo ka marrë gjatë 10 viteve në dy detyrat e larta, periudhë gjatë të cilës, rezulton se janë vënë këto pasuri, por dhe faktin, që para startimit në pushtet dhe pas largimit, ai nuk ka deklaruar pasuri.
Atë që nuk ka bërë Inspektorati i Verifikimit të Pasurive, ngaqë Enno Bozdo i ka regjistruar në emër të babait, kanë vendosur ta bëjnë SPAK e BKH, duke gjurmuar burimin financiar të tyre.
Mjafton kaq, për të kuptuar se, kur ish-zv/ministri Enno Bozdo ka vënë 26 pasuri, merret me mend, se çfarë batërdie korrupsioni ka bërë famlija “Berisha” dhe ish-ministrat gjatë 8 viteve të pushtetit të PD, kur 4 vite ishin bashkë Ilir Metën e Monika Kryemadhin