Një ditë më parë Prokuroria e Durrësit arrestoi 5 punonjës të Bashkisë Rrogozhinë për abuzime me paratë e rindërtimit. Sipas prokurorisë, punonjësit kishin vjedhur paratë duke regjistruar stallat e derrave dhe kasollet e lopëve si banesa për t’u dëmshpërblyer.
Por hetimet e prokurorisë për fondet e rindërtimit në Rrogozhinë duken një shaka e madhe, pasi gropa e vërtetë e tyre është në Durrës.
Të dhënat e konsultuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pagesat e thesarit dhe sistemi i prokurimeve tregojnë se Bashkia e Durrësit prokuroi dhjetra milionë euro në shkelje të ligjit tek një grusht kompanish gjysmë fiktive me bazë në Durrës, duke ngritur një biznes gjigand abuzimesh mbi fatkeqësinë e tërmetit.
Një tango dysheNë datën 3 shkurt të vitit 2022, Bashkia e Durrësit zhvilloi një tender të mbyllur me vlerë 2.1 milionë euro për rikonstruksionin dhe riparimin e mjediseve të përbashkëta në disa pallate në zonën e Rashbullit. Fitues i tenderi u përzgjodh bashkimi i kompanive Rajli Ndërtim dhe G.P.G Company. Por inspektorët e KLSH thonë se dhënia e kontratës tek këto dy kompani ishte në shkelje të ligjit për shkak se Rajli Ndërtim nuk plotësonte kriteret dhe kompanitë nuk kishin përcaktuar përqindjet në marrëveshjen e bashkëpunimit.