Vitet e fundit, fermerët po formalizohen me shpejtësi drejt identifikimit (me NIPT) në përgjigje të kushteve që ka vënë qeveria e Shqipërisë në vitin 2015 për të përfituar subvencion.
Por në disa bashki të vendit, numri i fermerëve që u pajisën me NIPT shënoi rritje të shpejtë dhe në disa tjera më pak.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në vitin 2023, numri i fermerëve të pajisur me NIPT shënoi 96,440, me rritje 14.3% në krahasim me vitin 2022.
Nga të 61 bashkitë e vendit, rritjen më të lartë e kishte Bashkia e Mallakastrës, në të cilën numri i fermerëve me NIPT pësoi zgjerim me 57% në krahasim me vitin 2022. Në këtë bashki, 1618 fermerë morën numrin e identifikimit më 2023 nga 1031 fermerë në vitin 2022.
Në vend të dytë për rritjen e numrit të fermerëve me NIPT ishte Bashkia e Krujës, në të cilën në vitin 2022 pati një rritje 33.6% e ndjekur nga Bashkia e Selenicës me rritje 32%, nga bashkia e Vlorës me 27.7% e Memaliajt me 25%, Këlcyrës me 23%.
Numri i fermerëve me NIPT shënoi rritje në të gjitha bashkitë, por ritmet më të ulëta ishin në bashkitë e Pukës me 4.9%, Gjirokastrës, Malësisë së Madhe dhe Delvinë me rreth 6%.
Bashkia e Lushnjës kishte numrin më të madh të fermerëve me NIPT në vitin 2023 me 10,253 të tillë ose 10.6 % e totalit të fermerëve numër identifikimi, e ndjekur nga Bashkia e Maliqit me 6731, Fierit me 5861, me 5187 fermerë dhe Korçës me 4027 fermerë.
Në anën tjetër, bashkitë më numrin më të ulët të fermerëve më NIPT janë ajo e Fushë-Arrëzit me 44 të tillë, Pustecit me 44, Pukës me 85 dhe Kamzës me 96.
Numri i fermerëve me NIPT ka ardhur me rritje, por totali i fermave në vend ka shënuar rënie si rrjedhojë e uljes së popullsisë në zonat rurale dhe plakjes së saj. Eurostat vuri në dukje se Shqipëria ka një sistem shumë të dobët te të dhënave në bujqësi. Treguesit në bujqësi nuk plotësojnë standardet e besueshmërisë që kërkon BE.
Regjistrimi me NIPT i detyron fermerët të paguajnë vetëm sigurime shoqërore dhe asnjë tatim tjetër.
Të dhëna të tjerë që kanë lidhje me bujqësinë tregojnë për rënie të prodhimit dhe rritje të importeve. Të dhënat e PBB-së në vitin 2023 referuan se bujqësia shënoi rënie me 0.68%, më e forta që nga viti 1997, teksa në 4 muajt e parë 2024 importet e prodhimeve ushqimore pësuan rritje me 22%.