Si drejtori i emëruar nga Bandat e Elbasanit, po kryen aktivitete financiare jo-bankare pa licencë e ilegale me para, valutë e monedhë elektronike; për të grumbulluar, fshehur, pastruar dhe transferuar milionat me burim krimin, trafiqet e korrupsionin, duke e kthyer Postën Shqiptare, në “lavatriçe” me logo e mburojë shtetërore...
Pak ditë më parë, publikuam fakte për emërimin e Ardit Demirit, Drejtor të Posta Shqiptare me ndikim nga bandat e Elbasanit, dhe për krimet ekonomike, financiare e pasurore që ai ka bërë gjatë 11 viteve në Bashki, Zyrën Punësimit, Prefekturë, Konviktet dhe Postën e Elbasanit.
Sot po publikojmë prova konkrete, nga batërdia që Ardit Demiri, Drejtor i Përgjithshëm i Posta Shqiptare, po bën prej muajit tetor 2022 kur u emërua e deri tani me tenderët, zhdukje të ardhurash të Postës dhe krime financiare që i përfshin ligji anti-mafie.
Sipas raporteve të Auditit të Brendshëm të Postës Shqiptare dhe raporteve që ka Ministria e Financave, rezulton se 10 ditë pas emërimit drejtor më 26 tetor 2022, Ardit Demiri, ndryshoi dhe rriti me 50-80% fondet limit të 45 tenderëve që ishin në proces hartimi e shpalljeje, dhe bëri shtesë financiare në vlerë 40-60% për tenderët në zbatim.
Në muajin dhjetor 2022, drejtori Ardit Demiri, hartoi një plan me 83 tenderë fiktivë paralel për vitin 2023, të pa planifikuar në buxhetin e Postës Shqiptare, me objekt investime në zyra, ndërtesa të Postës, blerje pajisje, mobilje, internet, makina, motorçikleta, biçikleta, kanceleri, shërbime elektronike etj.; 58 prej të cilëve ishin mbivendosje me kontrata në proces.
Ndërsa sipas dokumentit të datës 10 janar 2024, drejtori Ardit Demiri sajoi, planifikoi, shpalli dhe zhvilloi 42 tenderë fiktivë jashtë planifikimit të buxhetit të Postës, për investime, blerje e shërbime që ishin bërë në vitet 2022-2023.
Disa prej tenderëve fiktivë që ka shpallur, madje me fond 1-2 herë më tepër se çmimet në treg:
- Blerje mobilje 346 mijë Euro; blrej automjete 248 mijë Euro; internet 470 mijë Euro; mirëmbajtje e zyrës së këmbimit valutor 70 mijë Euro; mirëmbajtje Data Center 210 mijë Euro; prodhim pulle postare 220 mijë Euro; licenca për akses në distancë 302 mijë Euro; mirëmbatje për “Hibrid Mail” 140 mijë Euro e miliona të tjera, sipas dokumenteve që po publikojmë.
Këta tenderë, i janë dhënë kompanive në pronësi të famaljarëve e miqve të Edi Ramës, të ministrave e ish-ministrave, oligarkëve e bizneseve që finanojnë PS dhe i japin llokmat drejtorit Ardit Demiri e ndonjë “thelë” anëtarëve të komisionit e bordit të Postës Shqiptare.
Batërdinë që ka bërë drejtori Ardit Demiri, me tenderë fiktivë mbi planifikimin buxhetor të Postës, i kanë miratuar anëtarët e bordit, të cilët jo rastësisht, janë zyrtarë të lartë të qeverisë.
Anëtarë bordi është Endrit Yzeiraj, Zv/ministër i Ekonomisë, Kulturës e Invacionit; Hantin Bonati, Zv/ministër i Energji-Infrastrukturës; Irena Malolli, Drejtore e Postë-Telekomunikacionit në Ministrinë e Energji- Infrastrukturës; Vikrita Çuto, Drejtore e Burimeve Njerëzore, Pasurive e Shërbimeve në Ministrinë e Energji-Infrastrukturës.
Pra është një rreth i mbyllur, që lejon Drejtorin e Postës Shqiptare, Ardit Demiri, të bëjë batërdinë në vjedhje, të cilat ia kalojnë rekordeve të vjedhjeve që kanë bërë ish-drejtorët parardhës.
Përvec tenderëve, drejtori Ardit Demiri ka zhdukur dosjet e aktivitetit financiar të ish-kompanisë shtetërore “Interpost Sh.p.k”, që u shkri brenda Postës Shqiptare, por vazhdojnë të zhduken dhe të ardhurat nga shërbimet postare ndërkombëtare, duke mos i pasqyruar në bilanc.
Më 8 korrik 2020, Banka e Shtetit pajisi Postën me leje aktiviteti jo-bankar këmbimi valutor dhe emetim, përdorim e qarkullim të parasë eletronike, me Licencë Nr. 3 dhe Referencë Nr. 3182.
Por Banka e Shtetit, ia hoqi licencën më 30 korrik 2021, pas raportit të SHISH, Drejtorisë së Parandalim Pastrimit të Parave e Zyrës Anti-mafie, se Posta kryente aktivitete financiare jo-bankare ilegale me lekë, valutë e monedhë elektronike; duke qarkulluar, fshehur, pastruar dhe transferuar milionat me burim krimin, trafiqet e korrupsionin, duke e kthyer Postën Shqiptare, në “lavatriçe” me logo e mburojë shtetërore.
Por megjithëse Postës Shqiptare i është hequr licenca për aktivitete jo-bankare, drejtori Ardit Demiri po vazhdon ilegalisht këtë aktivitet, duke përdorur këmbimin valutor, lekët, USD, Euro e monedhë elektronike dhe transferta me burim krimin, trafiqet e korrupsionin. (Vijon...).