Kreu i UKT, Elton Kacidhja, po i shpërdoron taksat e ujit për shërbime të panevojshme. Më 10 mars Kacidhja ka hapur garën për tenderin me objekt “Shërbim fotokopje me të tretë”. Një çmenduri, po të mendosh se jetojmë në epokën e internetit dhe gjithçka është online. Për këtë shërbim që mund të bëhej me pak lekë ose mund të mos bëhej fare, Kacidhja ka në plan të shpenzojë 150 milionë lekë. Me këto lekë mund të bëheshin riparime dhe të furnizohej me ujë të pijshëm ndonjë lagje, ku uji shkon me pikatore dhe orar.
Afati i fundit për të paraqitur ofertat është 28 mars 2023. Tenderi është denoncuar në KPP nga një firmë e cila ka shfaqur interes.
“INTERLOGISTIC” ngre pretendimet se UKT ka vendosur disa kritere diskriminuese, të cilat nuk janë komfort me objektivin, por edhe pengojnë operatorët të marrin pjesë në garë. Së pari, sipas ankimuesit UKT kërkon 4 ekspertë IT që të jenë të certifikuar për të implementuar pajisjet gjatë procesit të printimit, sipas kontratës. Por, në fakt certifikata që kërkon UKT nuk është e duhura për këtë rast. Ky kriter pengon përmbushjen e kontratës, por edhe konkurrimin e disa operatorëve. Për këtë, ankimuesi kërkon ndryshim të kushtit të përcaktuar.
“Certifikatat CompTIA IT operations janë certifikata të njohurive të përgjithshme në fushën e teknologjisë së informacionit. Personat që i disponojnë nuk janë absolutisht të trajnuar për të zgjidhur probleme konkrete veçanërisht me pajisjet e printim fotokopjimit. Për sa cituam më lart, kërkojmë heqjen e kësaj kërkesë dhe zëvendësimin e saj me 4 Persona të trajnuar dhe certifikuar nga prodhuesi i pajisjeve MFPe”, thuhet në ankesë.
Sipas ankimuesit në çdo pikë që kërkon certifikim, UKT ka vendosur certifikatat e gabuara.
Çka lë dyshime se tender nuk është hartuar në prani të specialistëve të vërtetë të tenderit, por Kacidhja me shokë e ka zhvilluar sa për të nxjerrë nga arka 150 milionë lekë.
SPAK duhet të hetojë se ku shkojnë paratë e mbledhura nga tarifat për ujin, pasi UKT si institucion ka shkaktuar shumë dëme në buxhet dhe është i zhytur në borxhe. Madje renditet në një nga shoqëritë me më shumë detyrime të papaguara sipas raportit më të fundit të ERRU.
Kujtojmë se në vitin 2017, Bashkia Tiranë vendosi rritjen me 40% të tarifës së ujit të pijshëm. Me premtimin se kjo rritje do të sillte ujë 24 orë në shtëpitë tona. Në fakt kanë kaluar 6 vjet që kryeqytetasit paguajnë taksë të lartë uji. Dhe sërish nuk kanë ujë të pijshëm me kohë të plotë në banesa. Madje shumë qytetarë e blejnë ujin që përdorin për të pirë edhe sot në vitin 2023. Dhe Kacidhja me shefin e tij Erion Veliaj nuk bëjnë asgjë për këtë.