Denoncohet tenderi 1.6 miliardë lekë i asfaltit të zgjedhjeve, pazari i drejtorit të Veliajt me Mehmet Hilajn
- Editor 1
- Apr 10
- 5 min read

Asfalt dhe korrupsion me tenderat në Bashkinë Tiranë para zgjedhjeve të 11 majit. Është Piro Sinjari, drejtori i besuar e Erion Veliajt, që është ngarkuar të sigurojë asfaltin që do të hidhet në rrugët e zonave ku kanë nevojë kandidatët e PS. Ai u vendos në krye të Drejtorisë së Rrugëve dhe Ndriçimit të Bashkisë Tiranë në tetor 2024, kur Veliaj po zëvendësonte drejtorët që u doli emri në dosjet e SPAK-ut. Sinjari në vitin 2022 u caktua nga kryebashkiaku Veliaj si kryetari i Partisë Socialiste në Njësinë Administrative nr.9 në Tiranë.Ndërkaq, paratë shkojnë tek biznesmenët e besuar të “Rilindjes”. Njëri prej tyre është biznesmeni Mehmet Hilaj që sapo është shpallur fitues i një super tenderi për çimento, çakull, inerte, granil, lëndë të parë për prodhim asfalti. Drejtor Sinjari i ka firmosur ftesën për të marrë jo pak, por 1. 6 miliardë lekë.
Zyrtarisht porosia është për dy vjet, por në dokumentet e tenderit nuk as grafik lëvrimi dhe as sasinë e ndarë sipas viteve. Fakti që tenderi u bë me nxitim para zgjedhjeve tregon se malli është për konsum të shpejtë gjatë fushatës elektorale.
Bëhet fjalë për tenderin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik Tiranë me objekt “Blerje inerte” me fond limit 161 080 000,00 lekë. Tenderi është njoftuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike më 3 shkurt 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte lënë për në 5 mars 2025. Megjithëse morën pjesë 7 kompani dhe bashkime firmash, komisioni i tenderit ka mbaruar punë shpejt pasi e kishte të qartë se kontratën duhej ta merrte Mehmet Hilaj, pronari i kompanisë “Ouen” shpk. Kompania me bazë në Kukës ka marrë fonde të mëdha këtë fillim viti duke u favorizuar nga komisionet e tenderave. Më 18 mars 2025, Hilaj do të merrte në Korçë tenderin e ndërtimit të Muzeut Dritëro Agolli me fondin limit 22 678 176,00 lekë. Kompania e fitoi tenderin me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit, sipas Open Data Albania.
Ndërsa në fillim të muajit prill është shpallur fitues i tenderit të Piro Sinjarit në Bashkinë Tiranë133 milionë lekë Lush Osmanit për Fabrikën e Asfaltit
Ndërkohë drejtor Sinjari ka marrë masat që Fabrika e Asfaltit të jetë në gatishmëri. Në funksion të këtij operacioni para zgjedhjeve është bërë një nga tenderat e fundit, me objekt “Shërbime për mirëmbajtjen e objekteve specifike”. Në këtë procedurë i janë dhënë pa garë 133 milionë lekë biznesmenit Lush Osmani, një klient i vjetër i aferave të Veliajt.
Vlera e fondit limit është caktuar nga komisioni i tenderit 11 113 990,00 lekë, por duke përfshirë TVSH, kontrata arrin në afro 133 milionë lekë. Procedura u njoftua e hapur në më 23 janar 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 12 shkurt 2025. Në këto raste, kur dihet hapur se cili do ta fitojë tenderin, operatorët e tjerë nuk afrohen dhe ia bëjnë më të lehtë punën komisionit. Pra, tenderi u zhvillua me një operator pjesëmarrës, me kompaninë SHPRESA-AL SHPK, në pronësi të Lush Osmanit.
Kështu, një muaj më vonë, më 20 shkurt 2025, Agjencia e Prokurimit Publik bëri të ditur lidhjen e kontratës së Bashkisë Tiranë me Lush Osmanin. Kjo drejtori ka një repart të prodhimit të asfaltobetonit e cila bën tendera kryesisht për të furnizuar Lush Osmanin me fonde. Objekti tenderit enigmatik me emërtimin “mirëmbajtje e objekteve specifike” është më konkretisht mirëmbajtja e impiantit të prodhimit të asfaltit, model YLB500, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, Bashkia Tiranë.
Pra shërbimi do të kryhet në impiantin e prodhimit të asfaltit të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në afërsi të tunelit të Kërrabës, përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan.
Denoncimi në KPP
Ndërkohë, tenderi i Sinjarit ka bërë bujë edhe në KPP. Një denoncim i bërë nga kompanitë “Viante Konstruksion” SHPK dhe “Kegli-Duri” SHPK nxjerr të palarat e kësaj procedure me objekt: “Blerje Inerte”.
Ankesa lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi kualifikimin e ofertës së paraqitur nga operatori ekonomik “Ouen” SHPK që është në pronësinë e Mehmet Hilajt.
Denoncimi i bërë më 7 prill 2025, pretendon se kriteret e tenderit nuk përmbushen nga operatori ekonomik “Ouen” SHPK. “Dyshojmë se ky operator ekonomik nuk ka dhënë informacion konkret për plotësimin e disa prej rubrikave që lidhen me plotësimin e deklaratave të formularit të kërkesave të përgjithshme. Kemi dyshimet tona se ky operator nuk ka dorëzuar të gjithë dokumentacion fizik pranë autoritetit kontraktor ne përmbushje të dispozitave ligjore.
Konkretisht kemi dyshime se ky operator nuk ka dorëzuar dokumentacion të saktë për përmbushjen e pikës b) operatori ekonomik nuk është dënuar për asnjë nga veprat penale, të parashikuara në ligjin mbi prokurimet c) personi/at në cilësinë e anëtarit të organit administrativ, drejtuesit ose mbikëqyrësit, aksionerit ose ortakut, ose që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda operatorit ekonomik, nuk është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për asnjë nga veprat penale, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 76, të LPP-së; Pra për përmbushjen e e këtyre pikave duhej të dorëzonte dëshmi penaliteti nga Drejtoria e Burgjeve, dhe vërtetime nga gjykata dhe prokuroria. Kërkojmë që të bëhet verifikimi i të dhënave të personave të deklaruar në QKB me dokumentet e dorëzuara fizikisht, nëse është dorëzuar për të gjithë personat dëshmi penaliteti dhe vërtetime nga gjykata dhe prokuroria. Gjithashtu ne pikën ç) parashikohet që operatori ekonomik nuk është dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë, për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale; të verifikohet a është paraqitur dokumentacioni i saktë për plotësimin e kësaj pike nga subjekti”, thuhet ndër të tjera në denoncim. Po ashtu, pretendohet se “Ouen” Shpk ka detyrime të pashlyera në OSHEE. Gjithashtu denoncohet fakti që kompania nuk i ka në rregull dokumentet e për kamionët e kërkuar sipas kushteve të tenderit.
I kapur me presh në dorë nga KLSH
Kompania “OUEN” shpk me pronar Mehmet Hilajn është skeduar nga KLSH në raportet e auditimit si një subjekt që nuk i zbaton kontratat në fat dhe manipulon me situacion duke marrë lekë për punë të pakryer.
Në objektin “Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, lagja Drinas”, Kukës, nga auditimi i dokumentacionit teknik të zbatimit, mbikëqyrjes dhe
kolaudimit të punimeve të ndërtimit të administruara në dosjen teknike rezultoi se nuk janë aplikuar penalitetet për vonesa në përfundimin e punimeve në vlerën 295,076 lekë. “Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me kontratën e sipërmarrjes së punimeve nr. 26 prot., datë 13.04.2017 të lidhur mes kryetarit të Bashkisë Kukës dhe BOE “ORUÇI” SHPK dhe “OUEN” SHPK”, konstaton KLSH në raportin e vitit 2018.
Rekomandimi i KLSH është që nga Bashkia Kukës të merren masa për arkëtimin e vlerës prej 295,076 lekë nga operatorët ekonomikë “ORUÇI” SHPK dhe “OUEN” SHPK, në cilësinë e sipërmarrësit në kontratën nr. 26 prot., datë 13.04.2017 me objekt “Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, lagja Drinas”, Kukës, vlerë kjo e cila përfaqëson një penalitetin e paaplikuar nga ana e Bashkisë Kukës ndaj sipërmarrësit të punimeve për vonesa të pajustifikuara në përfundimin e punimeve.
Ndërsa në objektin “Rikonstruksion i kanaleve ujitës dhe ujësjellësve, Komuna Malzi”, Kukës, nga auditimi i dokumentacionit teknik rezultoi një dëm ekonomik në vlerën 481,696 lekë pa tvsh si pasojë e likuidimit të punimeve të kryera në fakt. Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me kontratën e sipërmarrjes së punimeve nr. 114 prot., datë 11.07.2014 të lidhur mes Titullarit të Autoritetit Kontraktor për Ish – Komunën Malzi dhe operatorit ekonomik “OUEN”shpk. Me këtë rast rekomandohet që nga Bashkia Kukës, për ish/Komuna Malzi, të merren masa për arkëtimin e vlerës prej 481,696 lekë pa tvsh nga operatori ekonomik “OUEN”shpk, në cilësinë e sipërmarrësit, vlerë kjo e cila përfaqëson një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe njësisë vendore si rrjedhojë e likuidimit të punimeve të pakryera në fakt.
Kujtojmë se pjesa dërrmuese e bashkëpunëtorëve të kryetarit Erion Veliaj në tenderat abuzivë janë biznesmenë që kanë probleme të hapura me ligjin. Vetë kryebashkikaku është arrestuar për korrupsion më 10 shkurt 2025.