top of page

Detaje nga aksioni në Elbasan/ SPAK mësyn te biznesmenët e lidhur me Suel Çelën, në skaner edhe zyrtarë të pushtetit vendor

SPAK fut në skaner bizneset që dyshohet se kanë përfituar tenderë falë lidhjeve me Suel Çelën...

Prokuroria e Posaçme, BKH dhe forcat e policisë, që prej mëngjesit të sotëm kanë nisur një operacion të gjerë në Elbasan.

Sipas informacioneve, në fokus të aksionit kanë qenë njerëz të lidhur me Suel Çelën, i cili është në kërkim nga SPAK për një sërë veprash penale. Pak muaj më parë organizata e tij u godit fort nga SPAK falë përgjimeve të "SKY ECC". Por vetë Suel Çela nuk gjendet.

Mësohet se sot janë ushtruar kontrolle në biznese dhe zyrtarë që kanë lidhje me Suel Çelën. Në media raportohet se janë ushtruar kontrolle te bizneset e Nazif Bajramit, një biznesmen i njohur fushën e ndërtimit në Elbasan. Gjithashtu ka pasur kontrolle te Mariglen Çoku, administrator i ekipit të Futbollit të Elbasanit.

Bëhet fjalë për kontroll në 4 banesa dhe një zyrë, ndërsa është kontrolluar edhe shtëpia e drejtorit të UKK Elbasan, Luan Tabaku.

Në zbatim të vendimit të gjykatës, janë sekuestruar dokumente, celularë, laptopë dhe të dhëna të tjera me rëndësi për hetimin.

Sipas informacioneve, fokusi i hetimit të SPAK ka qenë te disa biznese që dyshohet se kanë marrë tenderë dhe kanë përfituar favore publike në kundërshtim me ligjin. Po ashtu ka dyshime se këto biznese kanë marrë tenderë falë lidhjeve me Suel Çelën.

Kur SPAK goditi organizatën e tij, doli qartë se Suel Çela kishte futur njerëz në administratë dhe ishin besnikët e tij që jepnin tenderëMes 21 emrave të akuzuar nga SPAK, ishin Marsel dhe Xhino Roka. Në fakt ata janë vëllezërit e drejtoreshës së AZHT, Adelajda Roka. Roka u katapultua nga juriste në kompaninë e çimentos në Fushë Krujë, në drejtoreshë në AZHT, duke pasur vëllezër dy ushtarë të Suel Çelës.

Por nuk është ky i vetmi institucion i kapur prej tyre, pasi edhe i ati, Agron Roka ka qenë drejtor i burgut në Bradashesh.

Mirëpo në dosje dalin dhe episode të tjera, ku Suel Çela dhe Klaus Matishi ndërhyjnë për të vënë njerëzit e tyre në krye të Spitalit të Elbasanit dhe te sektori i Antidrogës në policinë e Elbasanit. Spitalin e donin sepse ka tenderë, ndërsa kreun e Antidrogës që të kontrollonin kollaj territorin.

bottom of page