top of page

Dita ndërkombëtare e gruas, çfarë simbolizon 8 marsi?

Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila festohet nëpërmjet aktiviteteve të shumta. Në Shqipëri kjo festë është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat, të cilat në këtë ditë ndihen të privilegjuara.

Ato marrin dhurata nga fëmijët apo bashkëshortët, në shenjë mirënjohje dhe respekti. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada.

Dita e Gruas u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në Nju Jork.

Zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas u vendos në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909, ku  atë ditë u organizua një manifestim i madh, në të cilin kërkohej e drejta e grave për të votuar. Ky ishte një diskutim i hershëm, si në SHBA (janë të famshëm artikujt e socialistes Corinne Brown), si në Kongresin e VII Ndërkombëtar Socialsit (i mbajtur në Shtutgard në vitin 1907).

Demonstratave që kishin si qëllim votimin, shumë shpejt ju bashkuan edhe pretendime të tjera për të drejtat e grave. Nga nëntori i vitit 1908 deri në shkurt 1909 mijëra punëtore në Nju Jork hynë në grevë për ditë të tëra duke kërkuar rritjen e rrogës dhe përmirësim të kushteve të punës.

Më 25 mars të vitit 1911 kupa u mbush: në fabrikën “Triangle” në Nju Jork shpërtheu një zjarr dhe 146 punonjëse (gra të reja emigrante), humbën jetën. Që nga ky moment manifestimet e grave u shumëfishuan në shumë vende.

bottom of page