Drejtorja e AKU-së, Jeta Deda ka konfirmuar ditën e sotme dorëheqjen nga posti i saj në këtë institucion. Lajmin e e bëri të ditur vetë Deda, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, por pa dhënë detaje lidhur me arsyet e dorëheqjes.
Pavarësisht heshtjes së saj lidhur me arsyet e dorëheqjes, dyshimet janë se largimi nga posti i drejtoreshës së AKU-së, lidhet me një audit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kujtojmë se Deda u emërua në detyrë dy vite më parë, pasi zëvendësoi Bledar Skënderin, i akuzuar për “shpërdorim detyre” nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Të nderuar miq e kolegë,/ Prej sot mbyll një kapitull të bukur të jetës time profesionale, duke u tërhequr nga detyra si Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe duke ndjekur një orientim tjetër profesional. Ndahem nga një ekip, të cilin e falënderoj për çdo punë të mirë të kryer së bashku.
Shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Kryeministrit e Këshillit të Ministrave për besimin e dhënë dhe ish-Ministres Krifca dhe Ministres aktuale Denaj, me të cilat arrita të bashkëpunoj gjatë kësaj udhe.
Po ashtu, mirënjohëse ndaj stafit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për mundësinë e shërbimit në këtë detyrë, pasi mbështetja juaj e pakufi dhe bashkëpunimi kanë qenë kryefjala në gjithë rezultatet e arritura së bashku në lëmin e sigurisë ushqimore.
Një falenderim i veçantë i takon ekspertëve shumëvjeçarë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Dedikimi dhe puna e tyre janë rregullatorët e sistemit dhe standardeve që duam të vendosim, në rrugëtimin drejt integrimit europian e kryesisht në shërbim të atdheut. Nuk kam dyshim se kjo skuadër do të shkëlqejë me këdo menaxher që iu bashkohet.
Teksa bëhem gati për angazhime të reja, e shikoj kohën si Drejtore e Përgjithshme e AKU-së me mirënjohje të thellë për përvojën e marrë, dijet e përftuara dhe marrëdhëniet e mira të ngritura. Falenderime për mbështetjen dhe besimin gjatë këtij rrugëtimi! Ka qenë nder të shërbej në këtë detyrë.
Përzemërsisht”, shkruan Deda në postimin e saj në "Facebook".