top of page

Elva Margariti rikthen Enver Hoxhën, shpenzon 1.2 milionë lekë për bustin e tij në Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar është angazhuar që të ndërtojë bustin e ish-diktatorit Enver Hoxha. Vetë Teatri Kombëtar është ende pa godinë edhe pse ndërtuesit vazhdojnë të furnizohen me para, por paskan lekë për figurën e diktatorit. Nga ana tjetër, drejtori Altin Basha nuk ndihet fare për këtë çështje, por zbaton urdhrat nga lart për të rikthyer këtë figurë para publikut.

Teatri Kombëtar është në pronësi të Ministrisë së Kulturës dhe duket se Elva Margariti nuk është fare e shqetësuar për artin dhe kulturën, por për bustin e Enverit.

Për këtë së fundmi Teatri kombëtar ka zhvilluar një tender “Prodhim busti ne allçi i Enver Hoxhës”,  me vlerë 9504000 lekë pa TVSH.


Ndonëse shpesh ankohen për fonde, Teatri ka bërë në mënyrë urgjente pagesën e faturës për këtë bust. Në dokumentet e publikuar nga Spendig Data Albania shihet se me datë 11 qershor është bërë regjistrimi i kontratës dhe më datë 13 qershor është bërë ekzekutimi i faturës.

Mund t’ju duket çudi, por mbi 950 mijë lekë do të paguajnë qytetarët për ndërtimin e bustit, që më së shumti u kthen kujtimet e hidhura të komunizmit. Duam apo nuk duam ne ajo faturë tani është prerë nga Teatri Kombëtar. Me TVSH kjo faturë kjo shkon afro 1.2 milionë lekë.

Nuk e dimë pse i duhet Altin Bashës ky bust, por mjafton të shkonte në bodrumin e Galerisë së Arteve dhe aty ka disa buste të diktatorit, të cilët mund t’i përdorte për qëllimin që i ka harxhuar këto lekë.

Në dokumente thuhet se kontrata është lidhur me firmën “Anadea”, në pronësi të Dritan Xhekës .

Fillimisht menduam se kjo është ndonjë kompani që merret me vepra arti, apo specifikisht me tregtinë e busteve të Enverit. Duke kërkuar në QKB për aktivitetin e firmës “Anadea”, shohim se i ka zyrat në Bulqizë dhe merret me tregti kripe, materialesh elektrike, hidraulike, etj., por pa lidhje me artin.

Për aktivitetin e Xhekës kaq lekë janë një grimcë, por na çudit lidhja me drejtorin e Teatrit Kombëtar dhe ministren e Kulturës.

Kanë kaluar 33 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit komunist, Enver Hoxha në sheshin Skënderbej. Kujtojmë se kjo ngjarje u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. 20 shkurti tani është caktuar si dita e kujtesës kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist. Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.

bottom of page