top of page

Grabitja e bregdetit nuk ka mbaruar/ Maxhoranca zgjat për herë të 5-të afatin e ligjit të investimeve strategjike


Deputeti Socialist Eduart Shalsi, njëherësh dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat ka propozuar një projektligj, i cili zjat për herë të 5-të afatin e ligjit kontrovers të investimeve strategjike. Por në draftin e ri që propozon zoti Shalsi, këtë herë afati nuk zgjatet me vetëm një vit siç ka ndodhur deri më tani, por plot 4 vjet duke e shtyrë fuqinë e ligjit deri në 31 dhjetor të vitit 2027.


Sipas Shalsit, zgjatja e ligjit është e nevojshme për shkak të numrit të lartë të kërkesave që janë në fazë vlerësimi, aktualisht mbi 34 projekte, kryesisht në fushën e turizmit.Përveç shtyrjes së afatit, drafti i Shalsit përmban dhe disa ndryshime, të cilat rrisin shumën minimale të investimit si dhe vendet e punës që një investim duhet të ketë për të përfituar statusin strategjik.

Por ndryshimet e pragjeve të punësimit dhe shumës së investimit në fakt duken ndërhyrje anësore si garniturë për të kamufluar qëllimin e vërtetë të draftit, që është ai i zgjatjes së afatit të ligjit për investimet strategjike. Madje edhe me një procedurë të dyshimtë ligjore, pasi draftit të ri i jepet fuqi prapavepruese sepse zyrtarisht afati i ligjit për investimet strategjike ka përfunduar në 31 dhjetor 2023.

Ligji kontrovers


I miratuar për herë të parë nga maxhoranca socialiste në maj të vitit 2015, ligji për investimet strategjike u shndërrua në mekanizmin kryesor të tjetërsimit të tokave publike në bregdet. Fillimisht ai ishte parashikuar që të kishte fuqi deri në 31 dhjetor të vitit 2018.


Por që nga ajo kohë, afati i ligjit është shtyrë 5 herë, pa përfshirë propozimin e fundit të Shalsit. Sipas të dhënave që parashtrohen në relacionin e projektligjit të propozuar nga Shalsi, deri më tani statusi i investimit strategjik është përfituar nga 40 projekte investimi, ndërkohë që janë refuzuar 14 të tjera.


Por të dhënat e publikuara nga AIDA në një përgjigje për Citizens Channel tregojnë se në total janë miratuar 52 projekte me statusin e investitorit strategjik. Sipas AIDA-s, rezulton se përmes këtij ligji janë tjetërsuar të paktën 6.5 milionë metra katorërë tokë publike në zonat më të lakmuara të bregdetit, të cilat u janë dhënë një grushti biznesesh, kryesisht të lidhura me qeverinë.

Gosti për ministrat dhe oligarkët

Në raportin për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit shkruan tekstualisht se “pavarësisht legjislacionit mbështetës, shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit.”

Kjo konfirmohet nga vetë të dhënat zyrtare të AIDA-s. Sipas saj, nga 52 projekte, të cilat kanë përfituar statusin e investimeve strategjike, vetëm 2 janë të huaja. Pra 50 projekte janë përfituar nga biznesmenët vendas.



Kjo më sipër është tabela e përfituesve më të mëdhenj të tokës shtetërore falas në bregdet përmes ligjit të investimeve strategjike. Investitori i vetëm I huaj, që rezulton sipas të dhënave të AIDA-s është Muhamed Alabar, biznesmeni nga Emiratet i cili përfitoi tokën në Portin e Durrësit. Të gjithë përfituesit e tjerë janë biznesmenë vendas me lidhje të fuqishme në qeveri.

bottom of page