top of page

GRATË - “SALLATA BAJATE” E HEMINGUEJIT

Marlene Dietrich, sexsimboli absolut i periudhës së Luftës së Dytë Botërore e më pas..., njerëzimi ka gjithmonë nevojë dhe nxjerr në çdo kohë simbole erotike, edhe brenda një kaosi lufte të tillë të përgjakshme, - ishte për një pjesë të jetës të simbolit tjetër botëror, Ernest Heminguejit, dashuria dhe muza e tij. Me gjermanen fluturake të dritave hollivudiane, shkrimtari i famshëm aso kohe i Amerikës kapërceu vetëveten, u bë dashnori që nuk kishte qenë kurrë më parë. Dashuria e tyre filloi dhe mbeti platonike, tejet romantike, me shpërrthime vetëm deklaratat prej së largu, kur të dy prisnin me llahtarë letrat e njeri-tjetrit. E lodhur nga kjo pritje erotike, e pazakontë për temperamentin e saj, më tepër amerikan se gjerman, Marlene i dha më në fund “lamtumirën” asaj dashurie që e plagosi sa kurrë më parë me ndonjë partner tjetër. “Do të të dashuroj gjithmonë, gjithnjë e më tepër!”, i shkruante ajo, në një nga letrat e fundit.

Gjithnjë e më shumë! Por pikërisht këtë kërkonte Ernesti, ta donin gratë gjithnjë e më shumë, pafundësisht. Kjo gjë mund të ndodhte vetëm nëpërmjet shpirtit, një shpirti kaq të madh sa ai i asaj femre të mrekullueshme, Marlenes, që kishte mahnitur botën. Për këtë dashuri kishte etje Heminguej, llojet e tjera i kishin dalë nga hundët. Dhe ç’ironi, në këtë rast! Nëse librat e tij ishin mbushur me historira të tilla dashurie, në jetë i kishin qëlluar me pikatore. Ngaqë nuk gjenden kaq realisht gra të tilla! Të paktën, Ernesti i kishte kërkuar vazhdimisht, si pasioni tjetër i madh i jetës së tij, përkrah shkrimit, qysh në djalëri e gjer vonë.

Përse gjithë kjo “odise” kërkimi me gratë? Në një kohë kur një mizëri e shumëllojshme prej tyre, të të gjitha gusteve që mund të ketë një burrë, i binin vazhdimisht tek këmbët dhe ai nuk ishte nga ata që i shpërfillte shpesh. Megjithëkëtë, si një romantik njëqind karatësh që ishte, nuk rreshti kurrë së besuari tek ndjenja e pastër erotike, tek dashuria ideale. Nëse nuk do ta besonte, nuk do ta kishte menduar kaq qartë dhe nuk do shprehte mrekullueshëm tek ato që shkruante. Edhe pse vazhdimisht i kishte bërë “sallatë bajate” gjërat me gratë, duke u bërë qesharak faqe botës. Thjesht ngaqë kërkonte “idealen” e tij jashtë çdo llogjike dhe realiteti. Katër martesa të ligjshme, lidhje të pambaruara erotike, eeee, nuk janë dhe pak, nuk i bënte për shakara...

E kishte nevojë dashurinë Hemingueji, siç kishte shkrimin. Për një shkrimtar të vërtetë, siç qe ai, çdo libër është një nisje e re, një kërkim që do ta ta nxjerrte diku, atje ku do të gjente përgjigjet e enignave të veta shpërtërore. Pikërisht siç ndodh edhe me gratë. Mund të ndodhë kështu? Kjo është një pyetje që nuk mund të ketë përgjigje, se në fund të fundit, kush mund të dijë rrjedhën e saktë të fatit? Gjithmonë Heminguejin e mundonte ideja e vdekjes dhe dashurinë, njëkohësisht me nevojën jetike të shkrimit, i quante antipodet më efikase të saj, ilaçet kryesore për ta mposhtur. Fundi i tij tragjik tregon se gjatë një periudhe aty nga finishi mendoi se nuk do t’i gjente kurrë. Dhe ndodhi e pashmangshmja dhe e pakthyeshmja.

Kjo peripeci jetike pyetje-përgjigjesh në kërkim të dashurisë ideale, në rastin e Heminguejit mund të kishte mbaruar me gruan e tij të parë, Handley. Por e tradhtonte shpesh, ishte i zhytur brenda gënjeshtrrave që i thoshte, sikur shkruante një libër tjetër, jo atë që përjetonte vetë, kështu që çdo ndjenjë romantike përfundonte në shpërthime orgjie narciste. Shpesh herë dashurinë e mbyste me duart e veta, me aventurat e tij të përhershme erotike me gra të tjera. Kësisoj, ç’faj mund t’i kishte dashuria, kur ai vetë përfundonte në rezumera krejt të gabuara për të?

Me kalimin e viteve, Ernesti u bë më tepër cinik me dashurinë. Nga dy pasionet e tij të mëdha, shkrimin dhe dashurinë, me këtë të fundit dukej qartë se kishte dështuar tërësisht. Kurrë nuk arriti të gjejë atë të madhen. E kishte përshkruar nëpër libra, por sa para bënte. Në jetë ishte bosh. Shpirtërisht themi. Nëse librat kënaqnin dhe frymëzonin publikun, disfata e tij e brendshme dërmonte atë vetë. Dështim i plotë. As katër martesat, as lidhjet e panumërta provizore, nuk ia mbushën këtë hon.

“Dashuria është një grumbull bajga kafshësh!”, ankohet dhimbshëm personazhi i tij Hari, tek “Dëborat e Kilimanxharos”, për të dhënë më poshtë përfundimin që ka nxjerrë vetë shkrimtari për vetveten: “... dhe unë kokoshi, që hypën mbi bajgat dhe këndon!”

Është i rëndësish ky rrëfim shpirtëror i shkrimtarit që është duke dhënë shpirt, Harry in Snow, tek “Dëborat e Kilimanxharos”. Tek ai personazh dhe tek fati që e përcjell, Heminguej ka bërë autoportretin e sotëm dhe të ardhshëm, falë talentit, mendjes dhe parashikimit gjenial që ka. Nuk është e vështirë të kuptosh përfundimin që ka nxjerrë shkrimtari për veten: ka qenë tepër i ashpërr me dashurinë! Gjer atëhere, dashuria kishte ekzistuar për të si një grumbull ndjenjash idiote dhe vendimesh të gabuara. Në rradhë të parë problemin e kishte me veten. Kur nuk besonte ato që thoshte, kishte më tepër sukses me gratë, kur u thoshte të vërtetën, në mënyrën e përçudshme që e bënte këtë, me narcizëm dhe egoizëm, shkatërronte çdo gjë të bukur. I ishte kthyer në një mallkim, kështu besonte.

Dhe të thuash që kishte përvojë të paktë! I madh numri i grave që e rrethuan dhe ishin të gatshme t’i falnin çdo gjë. Bashkëshorte, admiruese, muza të përkohshme, dashnore. Vetë ai nuk ishte snob me to. I famshmi Ernest vetëm të lëvizte gishtin dhe të tregonte njerën prej tyre ose më shumë. Kishte raste që “dashurohej” me tre gra njëkohësisht. E çfarë? Përsëri nuk ishte i kënaqur. I mungonte ajo “diçkaja”, që nuk e gjente dot, sado të kërkonte.

Po ç’kërkonte konkretisht? Më pak kënaqësinë trupore, më shumë atë shpirtëroren. Sado e vështirë të kuptohej kjo prej të tjerëve, me jetën që demonstronte publikisht. Ironia është e vazhdueshme me kërkimet e tij erotike. Siç ndodh me të dashurën e tij kubaneze, Leopoldina. Ndjen me të kënaqësitë më ekstreme trupore dhe... asgjë në shpirt. Çuditërisht, skllavërohet pas këtyre kënaqësive. Fakti është se me këtë grua qëndroi më shumë i lidhur, se me çdo tjetër. Me shpirtin, ç’bëhej? Mbase e plotësonte me ato që shpikte mendja e tij nëpër shkrime. Kushedi, një mister...

Po, po, një mister që nuk u zbërthye gjatë gjithë jetës së Ernest Heminguejit. Një gjë është e sigurtë, kërkimi i dashurisë ideale e mundoi sa kohë ekzistoi në jetë. Ky shqetësim i vazhdueshëm mbase shpreh mungesën e plotshmërisë së tij shpirtërore. Ëndërron një parajsë të vërtetë dhe të vazhdueshme erotike, me atë të përzgjedhurën ideale, në një kohë që e mund shkopsitja e beftë dhe e rastësishme e pantallonave. Ç’t’i thuash kësaj?!

Deri në vitet 50-të oreksi i tij mashkullor në dashuri mbeti i pandrysheshëm. Ilektrizohet menjëherë prej një gruaje simpatike që i gjendet pranë. Vila e tij e famshme në Kubë bëhet asorti më i njohur erotik në botën mondane. Aventurat e tij të padëgjuara gjer atëhere. Figuron në çdo faqe rozë të shtypit botëror. Lavdia e tij erotike, e njëllojtë me atë letraren. Por e vërteta, atë që e ndjen dhe e vuan Heminguej, është kjo: ka dështuar frikshëm me dashurinë!

E pra, i kishte mundësitë për të kundërtën. Marrëdhënia e tij e një kohe të caktuar me Marlene Dietrich, këtë yll që kishte zbritur në tokë për t’u veshur grua, mund të shndërrohej në një parajsë erotike. Në atë që ëndërronte Heminguej. Ishin të gjitha premisat. Natyrisht, nëse mund të ndodhë kjo me dy yje të ngjashëm. Vetë Marlene, rrëfehet tek autobiografia e saj: “Heminguej ishte një spirancë jete, një i mençur, njeri i vendosur - shkëmbi im i Gjibraltarit. I shkruanim shpesh njeri-tjetrit kur ishte në Kubë. Flisnim orë në telefon dhe më tregonte shakara nga ana tjetër e botës. Gjithmonë do të mbaronte bisedën me një: “Gjumë të ëmbël!” Sa më mungojnë tani ato fjalë!”

Ajo e dashuronte, siç duket, shpirtërisht. Dhe priste. Ai?

_____

GRIGOR JOVANI

Athinë, janar 2023

bottom of page