top of page

Hamshorë dhe të lidhur me krimin, ja kush janë 9 babalet e çështjes “Babale”

Vendimi i Gjykatës për dënimin e Ervin Salianjit tashmë është çështje politike. 12 muajt në burg për Salianjin i përkasin personalisht atij, ndërsa rruga që ndoqi çështja e burgosjes së tij do “vetohet” gjatë.

Çështja “Babale” në vetvete është kthyer në një thriller politik, ku ende nuk i ka dalë fundi të vërtetës. Gazetarja Lala, e cila ka “gozhduar” në lajm shumë ngjarje të ndërlikuara krimi deklaroi se pas 6 vitesh që ka ndjekur çështjen “Babale”, ende nuk është e qartë.Për të hetuar dhe gjykuar “Babalen” deri tani janë përfshirë 5 prokurorë dhe 4 gjyqtarë.

Prokurorët e parë që janë marrë me çështjen dhe përfunduan hetimin ishin Gent Osmani dhe Përparim Kulluri. I pari kaloi vetingun në KPK gjatë vitit 2018, në kohën kur hetonte “Babalen”, por u shkarkua nga KPA. E njëjta histori edhe për Përparim Kullurin, por ky u shkarkua nga KPK, pasi përfaqësuesi i ONM-së e akuzoi për kontakte dhe shoqëri me trafikantë droge.

Dosjen me akuzën e përgatitur e morën dy prokurorët Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, i pari i shkarkuar nga të dyja shkallët e vettingut dhe i dyti i shkarkuar nga KPK por që pret vendimin përfundimtar të KPA-së.

Në Gjykatën e Apelit, “Babalen” në emër të prokurorisë e ndoqi prokurori Arben Qosja, i cili u konfirmua nga KPK në tetor 2020, ku kryesuese e trupës ishte Genta Bungo. Në analizën e pasurisë së tij, vendimi i KPK-së për herë të parë tregon me emër dhe mbiemër huadhënësin e një prokurori ose gjyqtari, pasi çdo emër nëpër vendime del me iniciale anonime.

Ramadan Dumani është borxhliu që “shpëtoi” Arben Qosen nga justifikimi i ca parave që i dilnin tepër në llogari. Gjyqtari i çështjes në shkallën e parë gjyqësore që dha vendimin 1 vit burg për deputetin Salianji, është Artan Gjermeni.

Gjermeni, nga gjyqtari “sex-ist”, është kthyer në avokatin ‘sekser’, pasi nuk arriti të kalonte komisionet e vettingut në 2022, i vënë në shënjestrën e ONM-së për emrin famëkeq që kishte krijuar brenda sistemit gjyqësor.

Gjermeni kishte shpëtuar për një votë nga shkarkimi në 2007 kur ministri Rusmaili kërkoi shkarkimin e tij nga KLD-ja e asaj kohe duke e akuzuar për manipulim në gjykimin e çështjes së Aldo Bares. Votimi në KLD-në e asaj kohe, me president Alfred Moisiun kryetar, përfundoi 6 me 5. Emrat që mbrojtën gjyqtarin Gjermeni nga shkarkimi në KLD, janë larguar të gjithë më pas nga vettingu. Vota që e mbajti në sallën e gjyqit, i dha mundësi “akrobatit” Gjermeni që për 15 vite të tjera të bëjë çudira.

Në janar 2022, Gjermeni liroi nga qelia grupin e “tatimeve” të akuzuar për skandalin e vjedhjes dhe publikimit të pagave dhe të dhënave personale. Kryesori në këtë grup ishte Ervin Muça, drejtori i IT-së, personi që u akuzua pas dy vitesh se vodhi edhe të dhënat e TIMS, pasi u bë drejtor IT në Policinë e Shtetit. Emërimi dhe veprimet e Muçës u bënë objekt i Komisionit Hetimor “TIMS” që u drejtua pikërisht nga i dënuari prej gjyqtarit Gjermeni, Ervin Salianji.

“Seksisti” Gjermeni u plagos me thikë në mollaqe për një rast adulterie në 2016, pasi një xheloz, si rasti i policit “Goxhare”, e ruajti pranë shtëpisë dhe e goditi. Në makinën e tij prokuroria në vendngjarje gjeti para të pajustifikuara 18,000 euro, por më vonë hetimi e mbrojti gjyqtarin me një argumentim humoristik: “një llamarinë i është ngulur aksidentalisht në fundshpinë duke punuar në garazhin e shtëpisë së tij.”

Gjyqtari Gjermeni la të lirë Ervis Martinajn për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok dhe në shumë çështje të tjera u përfol për dorë të lehtë në gjykim dhe dorë të “rëndë” në vlerën e tij.Me largimin si gjyqtar dhe daljen si avokat, Artan Gjermeni më në fund ushtroi lirisht talentin e sekserit.

Këtë shpalosi kur u kap në audiopërgjimin e gjyqtares Arnisa Këlliçi. Me këtë përgjim Gjermeni tregoi fytyrën e vërtetë të sistemit gjyqësor, si funksionon avokatia, prokuroria dhe gjykata në Shqipëri. E gjithë biseda është një manual banal korrupsioni.

Biseda të ngjashme të prokurorëve dhe gjyqtarëve me dirigjnt Gjermenin ka kapur në transkriptimet e Sky ECC edhe SPAK, që me një vendim të posaçëm ka ndaluar publikimin e tyre. Sipas këtyre bisedave të ndaluara

Artan Gjermeni merr një rol determinant në “pazarin” e çështjes “Toyota Yaris” dhe se me shumë gjasa pritet arrestimi i tij.

Gjermeni është avokati i Arben Meskutit, të arrestuar për skemën e mikrokredive. Bashkë me Përparim Kullurin dhe disa ish-prokurorë të tjerë, të konvertuar në avokatë mbrojtës pas shkarkimit nga vettingu, Gjermeni organizon mbrojtjen e bandës së mikrokredive, ku ka përfshirë edhe gruan e tij notere, Anila Gjermeni.

Tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, që lanë në fuqi vendimin e gjyqtarit Gjermeni, gjithashtu kanë kaluar me vështirësi vettingun, duke lënë njolla komentesh në vazhdimin e karrierës së tyre. Gent Shala, Iliba Bezat dhe Elona Toro do jenë nga sot në një ciklon të vërtetë që nuk krahasohet me atë të vettingut që e kaluan.Ndërkohë, Babalja i vërtetë është harruar edhe si emër. Albert Veliu ka marrë azil politik në Belgjikë.

Fredi Alizoti, bashkëpunëtori i tij, është larguar jashtë vendit për azil gjithashtu. Këtu mbeten vetëm ata që janë pas kuintave në gjithë këtë histori të quajtur “Babale”: gjyqtarët, prokurorët, avokatët, policët dhe politikanët.Ervin Salianji po niset drejt burgut. Artan

Gjermeni mund arrijë shumë shpejt.

Arben Meskuti po i pret me krahë hapur të dy, duke sistemuar qelinë ku do qëndrojnë të tre.

Nëse avokat-gjyqtari Artan Gjermeni arrestohet për çështjen korruptive që po përflitet në linjat mediatike, çfarë vlere politiko-morale do të ketë më pas vendimi i tij për dënimin e deputetit Ervin Salianji?

Babalja e vërtetë sapo ka nisur.

Asnjëherë skema “Babale” nuk ka dalë në dritë me të gjithë dimensionet dhe kulisat e saj, si një film thriller i papërfunduar. Pas 6 vitesh, ajo sapo ka nisur zbërthimin e saj. Fillon me burgosjen e Ervin Salianjit!




bottom of page