top of page

Inceneratori/ KLSH zbuloi fryrjen e faturave fiktive.



Denoncimet publike si dhe konstatimet e KLSH-së se tarifa e depozitimit të mbetjeve në Sharrë 29 Euro/ton është e fryrë fiktivisht, tanimë konfirmohet edhe nga Prokuroria e Posaçme. Por kjo është vetëm një shkelje që përbën majën e ajsbergut, referuar hetimeve të SPAK për incenratorin e Tiranës, ku shihet se si vetë shteti vihet të funksion të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Në një njoftim ku zbardh akuzat ndaj 15 personave për të cilën është lëshuar urdhër-arrest lidhur me çështjen, SPAK konkludon gjithashtu se fitimi i koncesionit rreth 128 mln euro (128,248,330 Euro pa TVSH) nga kompania “de facto” në pronësi të Klodian Zotos e Mirel Mërtirit është realizuar me veprime në kundërshtim me ligjin, duke favorizuar dukshëm përfituesit.

Hetimet zbulojnë se administrata vihet tërësisht në shërbim të kompanisë së paracaktuar për të fituar koncesionin. Punonjësit e administratës japin fillimisht një bonus 8% për “Integrated Energy B.V SPV” që miratohet nga qeveria e më tej, bashkë me punonjësit e firmës së Zotos e Mërtirit veprojnë si një trup i vetëm për të shpallur fituesin e paracaktuar. Kompania fituese nga ana tjetër nuk kursehet me fryrje të zërave të shërbimeve dhe skemave mashtruese financiare, duke i shkaktuar buxhetit një dëm të konsiderueshëm.

15 persona kanë konsumuar vepra penale, vlerëson prokuroria, si shpërdorim detyre, korrupsion, mashtrim e pastrim parash. Mes tyre është Taulant Tusha, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, një nga postet më të rëndësishme dhe më me peshë, si edhe i konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Po ashtu urdhër arresti ka patur dhe për një tjetër ish-drejtor të Bashkisë, Namik Thimixhi, i cili mbulonte menaxhimin e mbetjeve dhe ishte në varësi direkte të Tushes.

Nga 15 masa të lëshuara nga gjykata me kërkesë të akuzës, 6 janë me arrsest në shtëpi dhe janë ekzekutuar nga policia. Të tjerat janë arrest me burg. Prej tyre, shumica janë ekzekutuar ndërsa tre persona janë shpallur në kërkim, mes tyre Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilësuar nga hetimet bosët faktikë të inceneratorit të Tiranës, por edhe të Elbasanit dhe Fierit.

bottom of page