top of page

Inceneratori nuk punon, VOA: Po digjen mbetjet në Elbasan

Në Shqipëri, punonjës të bashkisë Elbasan u filmuan duke depozituar mbetje në një vend depozitim të paligjshëm buzë lumit Shkumbin, ndërsa situata me inceneratorin vazhdon të mbetet emergjente.

Edhe pse inceneratori është prej muajsh në remont, për shkak të defekteve teknike, mbetjet urbane në Elbasan po digjen.

Në një vend depozitim të paligjshëm buzë lumit Shkumbin në fshatin Bradashesh 3 kilometra larg nga inceneratori, BIRN filmoi me 1 Mars një makinë të bashkisë Elbasan duke depozituar mbetje urbane.

Sipas banorëve të zonës, pjesë e një lagje periferike pranë kombinatit Metalurgjik, ky akt i paligjshëm që përbën krim mjedisor ndodh rëndom, pasi kjo nuk është hera e parë që makina me mbishkrimin “Bashkia Elbasan” derdhin mbetje buzë lumit. Mbetjeve u vihet flaka natën duke lëshuar shtëllunga me tym të zi mbi fshat.

I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, kryebashkiaku i Elbasanit Gentjan Llatja, mohoi se mbetjet depozitoheshin në breg të Shkumbinit nga mjetet e bashkisë.

Të pyetur nga BIRN se pse po i derdhin mbetjet buzë lumit, që me sy të lirë dukeshin një përzierje plastike e druri, shoferi i kamionit u përgjigj jashtë kamerave se aty kishte urdhër t’i dërgonte.

Inceneratori i Elbasanit u ka kushtuar taksapaguesve 26 milion euro. Ai u ndërtua nëpërmjet një kontrate të dyshimtë partneriteti publik privat që ka dërguar pas hekura me akuza për korrupsion dhe pastrim parash 10 persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako.

Djegësi i mbetjeve u vendos në sekuestro preventive nga Gjykata në vitin 2021 dhe tani administrohet nga një kompani publike në pronësi të bashkive të qarkut Elbasan. Por megjithë përpjekjet e kësaj kompanie për ta rivënë në punë, impianti vazhdon të jetë jashtë funksioni.


bottom of page