top of page

Inflacioni, konsumatorët shtrëngojnë rripin, prioritete në blerje


Inflacioni i lartë ka detyruar konsumatorët të rishikojnë prioritetet e tyre në blerje. Industria e tregtimit me pakicë (retail) në vend konstaton një sjellje racionale të konsumatorëve, të cilët kufizohen tek nevojat e tyre afatshkurtra. Tendenca për të kursyer po i bën ata të priren gjithmonë e më shumë tek ofertat, teksa operatorët nënvizojnë se kanë vënë në lëvizje plane ekonomike për të mbajtur nën kontroll presionin për rritjen e çmimeve në produktet e raftit. Pika e kthesës gjithsesi ka nisur dhe viti 2023 ka shënuar rritje të volumeve të shitjes. Fronin e produktit më të shitur në vend e zë  buka e pas saj vaji, vezët, djathërat apo mishi i pulës. Ndryshimet në listën e më të shiturave shpesh variojnë edhe sipas segmentit që i drejtohen këto industri dhe ofertës që kanë. Ngërçi me burimet njerëzore ka ndryshuar qasjen e menaxhimit korporativ dhe paketës së trajtimit të punonjësve në çdo shkallë.

Sjellja konsumatore ka prirjen të jetë e njëjtë globalisht përballë situatave apo krizave me të cilat mund të përballet. E këto nuk kanë munguar viteve të fundit duke dhënë një efekt domino në tregjet globale. Fillimisht do të ishte pandemia e COVID-19 ku blerjet e “shfrenuara” për të krijuar stok dhanë efektet e para në tregje, më pas ishte rifillimi dinamik pas mbylljes  i jetës ekonomike dhe mungesa e lëndëve të para. Pastaj  do të vinte kriza e energjisë dhe në fund lufta Rusi-Ukrainë. Inflacioni, që kulmoi në 8.3% në tetor 2022, si rrjedhojë e të gjitha këtyre zhvillimeve, hyri në çdo familje dhe përjashtim nuk bëjnë as ato shqiptare. Rrjetet e supermarketeve në vend raportojë një shpenzim më të kujdesshëm të konsumatorëve. Kjo sjellje, e cila u theksua sidomos gjatë 2022-t dhe muajve të parë të 2023, tashmë po jep një sinjal qetësimi. 



Konsumatorët rishikojnë prioritetet e blerjeve


Konsumatorët po shpenzojnë më shumë kohë brenda dyqaneve për të përzgjedhur produktet që i përshtaten buxhetit të tyre por edhe për t’i njohur më mirë mundësitë që kanë. Kjo vjen si efekt i kundër periudhës së pandemisë kur blerjet ishin të shpejta. Prirja aktuale është ajo e sigurimit të nevojave afatshkurtra dhe jo krijimit të stoqeve.


“Tendenca e re më racionale e konsumatorit tenton të vazhdojë me kalimin e kohës dhe për këtë arsye vijon të mbetet tendenca për të shmangur stoqet dhe akumulimet. Kur klienti sheh një rritje të të ardhurave të shpenzueshme, ai tenton të rrisë cilësinë e konsumit të tij, gjithmonë në bazë të disponueshmërisë ekonomike.


Për sa na përket, me rënien e inflacionit, në vend që të përpiqemi të rrisim presionin promocional, ne kemi preferuar të ulim çmimet në mënyrë të konsiderueshme për shumë artikuj bazë dhe gjithashtu për produktet e markës tonë” shprehet Alessandro Rosa.


Të njëjtën tendencë konfirmon edhe Elona Hametaj, administratore supermarketi, duke vlerësuar se tendenca është ende ajo e kursimit. “Konsumatorët vazhdojnë të jenë të fokusuar tek kursimi, blerja në mënyrë me racionale dhe përzgjedhja gjithmonë e më shumë e produkteve të etiketave private (Private Label), me besimin që me të njëjtën cilësi mund të shpenzojnë me pak. Njëkohësisht shikojmë dhe një vëmendje akoma më të madhe të klientëve për të zgjedhur blerjen e produkteve në dyqane që kanë standarde të mira të ruajtjes se tyre sidomos në këtë periudhë të temperaturave të larta kjo sjell dhe një rritje të volumeve duke i marr klient dyqaneve të vogla të lagjes” nënvizon Hametaj.



bottom of page