Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu e cilëson si “fitore” përballjen e kreut të SPAK, Altin Dumani me deputetët në Kuvend. Në një intervistë për “Report Tv”, juristi theksoi se deputetë treguan nivelin e injorancës së tyre. Po ashtu, ai shpreh bindjen se deputetët në Kuvend prej kohësh tashmë janë ushtar të bindur të liderëve politikë. “Kreu i SPAK ka krijuar një model të ri. Ka krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. Është avokat i publikut, është njëri që mbron akuzën në interes të publikut. Çdo lloj përplasje institucionale është dobishme.
Në këtë debat betejën e fitoi kreu i akuzës, pasi nxori zbuluar nivelin mediokër që ka Kuvendi i Shqipërisë. Debati në Parlament me Altin Dumanin tregoi nivelin e injorancës së deputetëve. Kuvendi i Shqipërisë përfaqësohet nga ushtarë të bindur që lënë për të dëshiruar, të cilët janë ushtarë të liderëve politikë. Treguan se çdo gjë ishte e personalizuar. Nuk është i njëjti standard Berisha dhe Ahmetaj. Ka rrethana të cilat e ndryshojnë çështjen e Ahmetaj me Berishën. Berisha nuk akuzohet për fshehje pasurie. Berisha çuditërisht ka akuzën më të lehtë, një Berisha 3 dhëndri dhe kjo përbënte pyetje. Kjo do analizë profesionistë kjo nuk do të thotë të jesh militant partie dhe të shkosh aty te kryetari sepse tani janë listat për deputet”, deklaroi ai.
Instalimi i shtetit ligjor
Më tej juristi Kreshnik Spahiu, teksa ka komentuar raportimin në Kuvend të kreut të SPAK, Altin Dumani më 15 korrik për raportin vjetor të SPAK për 2023, tha se një shtet nuk mund të shpëtohet nga 18 prokuror që ka SPAK. Zoti Spahiu theksoi se duhet që të bëhet ndryshimi i sistemit të drejtësisë, sepse vendi ka nevojë për një sistem të ri. “Çdo lloj përfshirje në politikë do ta dobësonte figurën e Dumanit. A ka vija të kuqe, ka çdokush si Shqipëria ku çdo njeri e njeh tjetrin dhe jetojmë në një komunitet ku funksionon me njohje, me ndere me borxhe. Por, pritshmëria e publikut për SPAK është shumë e lartë. Kishte të drejtë Lapaj që tha ne e presim shpëtimin nga Altini me 18 prokuror. Ne duhet të ndërtojmë një regjim të ri dhe një sistem të ri. Asnjë shtet në botë nuk shpëtohet nga 18 prokurorë, por nga ndryshimi sistemit”, u shpreh ai.
Përplasja qeveri-KLSH
Ndërkohë juristi Kreshnik Spahiu thotë se qeveria tashme po kërkon që të hakmerret ndaj KLSH-së. Zoti Spahiu theksoi se qeveria kërkon që të ngrejë një komision për të kontrolluar KLSH-në dhe Arben Shehun pasi ky i fundit ka denoncuar ish-ministrat e Shëndetësisë. “Altin Dumani u ankua se nuk ka bashkëpunim me institucionet. Institucionet që kanë më shumë bashkëpunim me SPAK ËSHTË Arben Shehu dhe KLSH, vetëm se Arben Shehu denoncoi para 1 muaj ish-ministrat e shëndetësie dhe repartin Onkologjik po ngrihet komision kontrolli për të kontrolluar KLSH, mazhoranca po hakmerret mbi KLSH për ti çuar mesazh Arben Shehu s e po vazhdove kështu jemi të gatshëm që të të gjemë gabime ty. Qeveria presion Arben Shehut të KLSH sepse denoncoi Ilir Beqen. Erdhi hakmarrja. KLSH sot është institucioni më i pavarur që nuk kontrollohet politikisht. Ka marrë kurajën t’i dali qeverisë dhe të deklarojë. Po hakmerren politikisht. Është presion për Dumanin, nëse i godet bashkëpunëtorët më të ngushtë”, nënvizoi Spahiu.