top of page

KLSH: Akademia e Shkencave, institucion pa strategji, pa rregullore dhe pa studiues të jashtëm

Akademia e Shkencave të Shqipërisë është kthyer në një institucion hermetik ku studiuesit e jashtëm janë “të përjashtuar” dhe në mungesë totale të një plani strategjik e rregullore të qartë për kriteret teknike për projektet e propozuara.

Auditimi i realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nxjerr në pah një sërë problematikash që shoqërojnë atë që supozohet të jetë akademia model për kërkimin shkencor.

Mungesa e planit strategjik

Auditimi nxori në dukje se Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk ka hartuar planin strategjik të shoqëruar me plan veprimi dhe tregues të matshëm ku, krahas shpalosjes së vizionit të saj mbi zhvillimin e projekteve dhe kërkimeve shkencore, mungojnë objektivat, qëllimet dhe treguesit e matjes së performancës së tyre. Ligji për Akademinë e Shkencave parashikon hartimin e një dokumenti të tillë si shumë të domosdoshëm për mbështetjen e projekteve shkencore dhe jo vetëm. Institucione të tjera homologe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si ajo e Turqisë, kanë realizuar ndër vite planet strategjike institucionale. Mungesa e një plani strategjik e të detajuar me objektiva konkrete mbi zhvillimin e institucionit nuk garanton vlerësimin objektiv të performancës nga ana e strukturave drejtuese dhe të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Mungesën e një plani strategjik Akademia e Shkencave e ka justifikuar me përgatitjen e raporteve vjetore të veprimtarisë së saj, platforma për kandidim për funksionin e Kryetarit të ASHSH si edhe një dokument tjetër shkresor të titulluar “Parashtresë përmbledhëse për raportin e analizës vjetore 2021 dhe prioritetet e reformës në vitin 2022”. Pavarësisht nga qëndrimi dhe bindja e Akademisë së Shkencave se këto dokumente shkresorë luajnë rolin e një plani strategjik institucional, nuk mundet kurrsesi që ato të plotësojnë mungesën e një plani të tillë, aq më tepër kur një dokument që të quhet i tillë duhet të plotësojë disa nga kriteret kryesore të përshkruara më sipër si objektiva të qartë, të matshëm, të arritshëm si dhe tregues të qartë për matjen e tyre, thuhet në raportin e KLSH-së.

Mungesa e rregullores për kriteret teknike për projektet

Po kështu, nga auditimi rezultoi se Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk ka një rregullore të qartë e të plotë mbi kriteret teknike që duhet të përmbajnë projektet e propozuara për aplikim. Udhëzimi nr. 1, datë 27.02.2023, miratuar nga Kryesia e Akademisë së Shkencave “Për përcaktimin e modaliteteve dhe miratimin e shpenzimeve të projekteve, sipas Statutit dhe Ligjit për Akademinë e Shkencave” nuk përmban  kritere teknike që duhet të respektojnë projektet e propozuara. Ky Udhëzim, nga vetë emërtimi dhe nga përmbajtja e tij, përcakton modalitetet lidhur me shpenzimet e projekteve, por jo me formatin e aplikimit të tyre. Një ndër praktikat e mira të referuara lidhur me këtë aspekt është edhe rregullorja për projektet shkencore e hartuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila përveç se identifikon qartësisht se çfarë duhet të përmbajnë projektet e propozuara, përcakton edhe aspekte lidhur me monitorimin e raportimin e projekteve të miratuara, shpjegon raporti.

Asnjë studiues i jashtëm pjesëmarrës në kërkime shkencore

Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk ka parashikuar në dokumentet e brendshme rregullatore përfshirjen apo pjesëmarrjen e studiuesve të jashtëm në projekte e kërkime shkencore. Të gjitha projektet dhe kërkimet shkencore kryhen nga studiues/kërkues që janë pjesë e strukturave të brendshme të Akademisë së Shkencave. Nga shqyrtimi i dosjeve fizike, faqes zyrtare të Akademisë së Shkencave, por edhe nga intervistat e zhvilluara me stafin e këtij institucioni nuk vërehen thirrje për aplikime për projekte e kërkime shkencore për studiues të jashtëm, referuar praktikave të mira.

Observacionet e Akademisë

Në observacionet e Akademisë së Shkencave pretendohet se auditi është jashtë objektit të një auditi performance sipas ligjit të KLSH-së dhe se ky i fundit është marrë më tepër me çështje organizative, ndonëse ato janë konsumuar në auditet e mëparshme dhe si mangësi a gjetje kryesore quan mungesën e një strategjie e të një udhëzuesi më të plotë për ndjekjen e projekteve nga administrata.

Por, në konkluzionet e raportit të KLSH-së theksohet se kuadri rregullator i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë vuan mungesën e një plani strategjik zhvillimor institucional, i cili do të duhej të shpaloste qartë misionin dhe vizionin e këtij institucioni lider në fushën e shkencave në Shqipëri. Kështu, krahas mungesës së përcaktimit të objektivave të qartë e konkretë lidhur me zhvillimin dhe rritjen e ndikimit të studimeve e punimeve shkencore, mungon gjithashtu një rregullore e qartë për mënyrën e organizimit, orientimit dhe përcaktimit të kritereve që duhet të përmbushin projektet e propozuara. Së fundmi, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ndryshe nga institucionet homologe ndërkombëtare të saj është më e mbyllur në drejtim të realizimit të projekteve, punimeve e simpoziumeve shkencore duke qenë se në këto marrin pjesë vetëm studiues e kërkues të strukturave të brendshme të Akademisë

bottom of page