top of page

KLSH: Koncesionet e HEC-eve, shumica në letër, 70% e atyre nën 2MW s’ka hyrë në prodhim


Pak vite më parë, qeveria nisi një praktikë të gjerë të dhënies së miratimit për hidrocentrale të vegjël me kapacitet deri në 2MW.

Këto të fundit mund të kalonin vetëm me firmën e ministrit përgjegjës të Energjisë pa pasur nevojë për të kaluar në qeveri.


Teksa këto kontrata jo konceisone rriteshin vit pas viti ekspertët e energjisë por edhe të mjedisit ngritën pikëpyetjet mbi përfitueshmërinë që kishte ky lloj investimi në raport me dëmin që krijonte në burimet ujore ku parashikoheshin të ngriheshin.

Sot vite më pas një pjesë e mirë e këtyre projekteve mbeten vetëm në letër.


Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në raportin e tij vjetor nënvizon se të paktën 70% e energjisë së kontraktuar për HEC-et nën 2 MW nuk ka hyrë ende në prodhim. E njëjta situatë shfaqet edhe në kontratat e tjera që janë koncesione dhe që kanë kaluar me vendime qeverie.


“Mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore u evidentua se: ende nuk ka hyrë në prodhim rreth 70% e total energjisë së kontraktuar për HEC-et nën 2 MW, jo objekt koncesioni, dhe rreth 50% e total energjisë në kontrata koncesionare të lidhura për HEC; ndërkohë rreth 35% e kontratave koncesionare për shfrytëzimin e burimeve hidroenergjetike janë jashtë afatit, kanë rezultuar me shkelje ose janë në procese gjyqësore, si dhe nuk është përfituar prej tyre “fee koncesionare” (energji elektrike pa pagesë) në vlera të konsiderueshme” thuhet në raport.


Raporti i KLSH ndalet edhe tek shfrytëzimi i diellit dhe erës në prodhimin e energjisë dhe kapacitetet që janë miratuar për këtë grup.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin se është e vështirë të vlerësohet procesi aktualisht pasi dosjet nuk kanë aktet e gjeneruara nga ministria dhe as nuk ka një vlerësim për aftësitë teknike dhe financiare të subjekteve të interesuara.


“Në lidhje me miratimin e ndërtimeve të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike që nuk janë objekt koncesioni (fotovoltaike/ eolike/ hidrike), rezultuan vështirësi në gjurmimin e procesi pasi dosjet për miratimin e impianteve fotovoltaike/ eolike nuk përmbajnë aktet e gjeneruara nga strukturat e MIE; nuk është kryer një vlerësim i drejtë i aftësive teknike, financiare dhe ekonomike të subjekteve aplikues nga komisionet e vlerësimit të aplikimeve” thuhet në raport.


Një tjetër pikë e sjellë në vëmendje është ajo mbi kontratat e koncesioneve dhe partneritetit publik privat ku rezultoi se në disa raste, gjatë realizimit të procedurave konkurruese për dhënien me koncesion për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike hidrike, nuk është bërë më parë identifikimi i koncesionit të mundshëm të projektit, shoqëruar me analizën e rentabilitetit dhe përshtatshmërisë financiare.

bottom of page