Pas kërkesë-padisë së koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kolegjin Zgjedhor për heqjen e logove të partive politike ose koalicioneve nga fleta e votimit, është përcaktuar trupi gjykues dhe ora e seancës.
Shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor ditën e premten (21 prill) dhe trupi gjykues do përbëhet nga gjyqtarët:
Edlira Petri (Relatore);
Manjola Xhaxho (Anëtare);
Esmeraalda Xhili (Anëtare);
Emona Muçi (Anëtare);
Alma Kolgjoka (Anëtare)
Ndërkohë seanca gjyqësore është caktuar sot në orën 17:30 në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, në sallën e konferencave të KLGJ-së.
“Me Urdhër datë 21.04.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 21.04.2023, ora 17:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë”, thuhet në një njoftim.
Në kërkesë-padinë e “Bashkë Fitojmë” është kërkuar ndyshimi i vendimit të KAS dhe të “ndryshohet përmbajtja e fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie, Bashkia Tiranë, si dhe për 60 bashkitë e tjera në vend, duke vendosur heqjen e Logos së Partive dhe/ose të Koalicioneve, nga përmbajtja e fletës së votimit për Kandidatët për Kryetar Bashkie”.
Njoftimi i plotë:
Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr.14 Regj. Themeltar, Datë 20.04.2023 Regjistrimi, me:
PADITËS: KOALICIONI “BASHKË FITOJMË”.
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – (KQZ).
OBJEKTI: Ndryshimin e Vendimit nr.62, datë 19.04.2023, të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur:
Ndryshimin e vendimeve nr. 360 dhe 363 të KSH, datë 15.04.2023, duke ndryshuar përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie, Bashkia Tiranë, si dhe për 60 bashkitë e tjera në vend, duke vendosur heqjen e Logos së Partive dhe/ose të Koalicioneve, nga përmbajtja e fletës së votimit për Kandidatët për Kryetar Bashkie.
Për dijeni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me Vendimin nr.360, datë 15.04.2023, ka vendosur:
1- Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2-Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3-Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga
shpallja e tij”.
Ndërsa, me Vendimin nr.363, datë 15.04.2023, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi:
1- Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie në 60 bashki, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2-Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3-Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.62, datë 19.04.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, vendosi:
1- Rrëzimin e Kërkesës ankimore të paraqitur nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” në datën 18.04.2023.
2-Lënien në fuqi të vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.360 dhe nr. 363 të datës 15.04.2023”.
Më datë 21.04.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:
Edlira Petri (Relatore);
Manjola Xhaxho (Anëtare);
Esmeraalda Xhili (Anëtare);
Emona Muçi (Anëtare);
Alma Kolgjoka (Anëtare)
Me Urdhër datë 21.04.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 21.04.2023, ora 17:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë.