Kompania e ndërtimit ‘Zdravo’, me nipt: J84003411K, është kapur duke vjedhur paratë publike, përmes mashtrimit me zbatimin e kontratave publike, duke marrë para nga drejtorë dhe kryebashkiakë të korruptuar për punime të pakryera.
Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania ‘Zdravo’ ka fituar rreth 70 tendera të dyshimtë, me vlerë dhjetëra milionë euro, në bashkitë Lushnje, Berat, Përrenjas, Peqin, Tiranë dhe në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, emblemën e korrupsionit, shpërdorimeve dhe klientelizimit në Shqipëri.
Kompania e ndërtimit është në pronësi të Faik Sinanaj, Dashnor Sinanaj, Kastriot Sinanaj, Ylli Zdrava dhe Arben Zdrava, ndërsa administrator është Dashnor Sinanaj.
Pesëshja janë nga Fier-Shegani i Lushnjes.
Krahas tenderëve me flamur të kuq, që janë me risk të madh korrupsioni dhe klientelizii, kompania ‘Zdravo’ mashtron me zbatimin e kontratave që ka lidhur me institucionet , duke vjedhur paratë publike dhe kaluar në llogaritë e saj.
Një kontratë është verifikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ka zbuluar mashtrimin me volumin e punimeve. Bëhet fjalë për tenderin me flamur të kuq për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Çekin dhe zëvendësimin e tubacionit kryesor të Ujësjellësit Çekin në Gramsh.
Kontrata me vlerë rreth 1 milionë USD është lidhur nga kryetari i Bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar abuzime në zbatimin e kësaj kontrate, ku Bashkia Gramsh ka likujduar punime të pakryera.
KLSH-ja ka kërkuar që të kthehen paratë në buxhetin e shtetit, por ka dyshime të forta se paratë mund të jenë ndarë sipas rolit në vjedhje.
Kjo mund të jetë një indicie për SPAK për të verifikuar se si pesëshja nga Lushnja ka marrë tenderat e tjerë dhe si i ka zbatuar kontratat.
Dyshimet janë të forta se ka abuzuar me të gjitha kontratat, në koordinim me pushtetarë dhe supervizorë të korruptuar, siç edhe operojnë shumë kompani të tjera./Pamfleti