Spitalet shtetërore janë ngarkuar financiarisht me pagesën e ujit dhe dritave që shpenzonte kompania fituese e koncesionit të sterilizimit. Auditi i KLSH ka rekomanduar rishikimin e kontratës pasi ka zbuluar se spitali i traumës ka paguar 4 milionë lekë të reja për faturat e energjisë së shpenzuar nga kompania “Sani Service” e Ilir Rrapajt
Shpenzimet e kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit, “Sani Service”, në pronësi të biznesmenit Ilir Rrapaj, u janë ngarkuar spitaleve publike duke rënduar buxhetin e tyre. I tillë është rasti i evidentuar nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Spitalin Universitar të Traumës, ku theksohet se ky institucion është detyruar të paguajë energjinë e shpenzuar nga kompania private si dhe furnizimin e saj me ujë.
‘Nga auditimi në SUT konstatohen rritje të shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike për vitin 2016 në vlerën 20,974,442 lekë dhe për vitin 2017 në vlerën 25,021,955 lekë, respektivisht më tepër 4,047,513 lekë.’- thuhet në raportin e KLSH-së.
Kontrolli i shtetit, citon se shumat në fjalë janë paguar nga spitali i Traumës për energjinë e shpenzuar nga subjekti privat për shkak të parashikimeve në nenin 19 të kontratës së koncesionit/PPP nënshkruar nga MSH në korrik 2015 me kompaninë “Sani Service” shp.k.
Sipas KLSH-së një përcaktim i tillë në kontratë, duke shtuar dhe furnizimi me energji elektrike të koncesionarit të sterilizimit ka rënduar shpenzimet e Spitalit Universitar të Traumës. Në auditin e vitit 2018, KLSH ka rekomanduar marrjen e masave, analizimin e shkaqeve, arsyeve dhe përgjegjësitë për mos përdorimin me eficensë, të fondeve buxhetore në vlerën 4,047,513 lekë si dhe ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rinegocimin e kontratës për në pikën 19.5. bëhet fjalë pikërisht për pikën e kontratës në të cilën shpenzimet e koncesionarit i ngarkoheshin spitaleve shtetërore, përfshirë dhe furnizimin me ujë, përveç energjisë elektrike.
Në vitin 2019, KLSh ka audituar Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, duke konstatuar se gjatë vitit 2018, krahasuar me një vit më parë, vlera e shërbimit të sterilizimit është rritur për 954 milion lekë, ose 84% më shumë se viti paraardhës, rritje jashtë parashikimeve të institucionit duke krijuar detyrim të prapambetur në vlerën 306 milion lekë.
SPAK ka vendosur nën akuzë deri tani tetë persona për koncesionin e sterilizimit, duke arrestuar ish-zv.ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, pronar i 40 për qind të aksioneve të kompanisë fituese “Sani Service”.