top of page

Korporata e investimeve që ka dhuruar 10 miliardë Euro pasuri, ka dalë 3.5 milionë Euro humbje

Nëpërmjet korporatës së investimeve, me 27 mars 2024, u vendos që 262 mijë m2 tokë e objekte të Radiostacionit në Xhafzotaj, t’i jepen falas shoqatës “Durana Tech Park-Durrës”, për gjoja krijimin e një parku shkencor, por realisht do bëhet resort me vila, hotele e pallate...

Më 15 korrik 2020, qeveria krijoji një shoqëri anonime, të quajtur Korporata Shtetërore e Investimeve në vartësi të Ministrisë së Financave, me objekt gjetjen e investitorëve të fuqishëm vendas e të huaj dhe mbështetja e tyre me pasuri shtetërore, duke i prezantuar si model evropian.

Në fakt, kjo korporatë u krijua si maskë e vjedhjes së pasurive publike, nëpërmjet dhurimit te miqtë, oligarkët, familjarët, ortakët dhe klientët e Bablokut e pushtetarëve, me vendime të ndërmjetme, të cilët janë prezantuar dhe si gjoja investitorë strategjikë vendas e të huaj.

Për çdo mbështetje investitori, korporata shtetërore, ka të drejtën të marrë përqindje investimi, në formë ortakërie dhe pagesa tarifash sa 3% e investimit që bëhet në toka, troje e objekte shtetërore, madje qeveria i dha asaj 2 miliardë lekë fond për të filluar.

Por bilancet e 3 viteve 2020-2023, tregojnë se korporata e investimeve ka dalë me afro 2 milionë Euro humbje, ndërsa sipas informacionit nga Ministria e Financave, bilanci i vitit 2024 pritet të dalë me 1.5 milionë Euro humbje.Pra, korporata shtetërore që u ka dhuruar afro 10 miliardë Euro pasuri publike investitorëve të thjeshtë, investitorëve strategjikë e atyre me kontrata “1 Euro”; në 4 vite punë e aktivitet të saj, ka dalë me 3.5 milionë Euro humbje, kur minimalisht duhej të deklaronte 200 milionë Euro fitime.

Pas krijimit të gropës së zezë me humbje e pa bërë asnjë auditim, kjo korporatë, me Vendim Qeverie Nr. 30, datë 17 janar 2024, iu hoq Ministrisë së Financave, dhe “derr në thes” iu kalua në vartësi Ministrisë së Ekonomisë, Turizmit e Inovacionit, me status menaxhimi e kontrolli të brendshëm pa kontabilitet të veçantë.

Gjatë 4 viteve aktivitet, në këtë korporatë janë hequr 3 drejtorë; konkretisht, Ermal Frashëri, Lorena Goxhobelli e Gledis Shehu, ndërsa tani është drejtore Elira Kokona, avokate e kryeministrit Edi Rama, zëvendëse dhe mikneshë e Engjëll Agaçit, ish-Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës.

Në bordin e korporatës, kanë qenë zyrtarë të lartë të qeverisë, të avokaturës së shtetit, zv/minisra, drejtorë qendrorë e deputetë të PS, të cilët janë ndërruar çdo 4-6 muaj, si Adelina Xhemali, Majlinda Dhuka, Etjen Xhafaj, Arlind Gjokutaj, Mimoza Selmani, Odeta Barbullushi, Martin Kajo, Enkelejda Muçaj, Olta Manjani dhe 3 të huaj miq e klientë të Bablokut..

Ndërsa kryetare bordi aktuale e emëruar 25 prill 2024, është Risena Xhaja, ish-Drejtore e Kadastrës Durrës, ish-N/drejtore e Përgjithshme e Kadastrës, ish-Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës e së fundi, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Financave.

Po përmendim vetëm një fakt: Nëpërmjet korporatës së investimeve, me 27 mars 2024, u vendosë që 262 mijë m2 tokë e objekte të Radiostacionit në Xhafzotaj, t’i jepen falas shoqatës “Durana Tech Park-Durrës”, për gjoja krijimin e një parku shkencor, por realisht do bëhet resort me vila, hotele e pallate.

Nëse SPAK dërgon agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të verifikuar aktivitetin e kësaj korporate, do zbulojë batërdi me financat e pasuritë shtetërore

bottom of page