top of page

Korrupsioni në tendera gëlon, por KPP gjen vetëm 3 mln euro abuzime


Edhe pse pjesë më e madhe e tenderave publikë fitohen përmes korrupsionit, Komisioni i Prokurimit Publik reklamon si sukses se i kurseu qytetarëve shqiptarë 342 milionë lekë ose rreth 3.4 mln euro duke ndaluar shpalljen fituese të ofertave të larta. Kjo është një shifër qesharake krahasuar me abuzimin që ndodh me tenderat publikë, ku pjesa më e madhe shkojnë tek ofertuesit më të lartë.


“Në raport me një vit më parë vlera e kursyer është gati 3-fish më e lartë, duke qenë se gjatë vitit 2022 fondi i kursyer rezultoi në 116 mln lekë. “Pas vendimmarrjes, 342,136,660 lekë pa TVSH, i janë kursyer buxhetit të shtetit si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik”, – thekson ndër të tjera KPP.


Sipas këtij dikasteri, nga 5250 procedura unike të publikuara në Sistemin e Prokurime Elektronike gjatë vitit 2023, për prokurime publike me vlerë totale prej rreth 134.4 mld lekë, janë paraqitur 866 ankesa për 617 procedura unike të ankimuara me vlerë totale prej rreth 20.4 mld lekë.

Ankesat përfshijnë 205 Autoritete Kontraktore dhe janë bërë nga 291 Operatorë Ekonomikë. Në rang kombëtar janë ankimuar 11.7 % e procedurave të prokurimit mbi kufirin e blerjeve të vogla, dhe ankimuar 15.21 % e fondit limit të procedurave të publikuara.

Ndërkaq, në krahasim me vitin 2022, vihet re një rritje e numrit të ankesave në raport me numrin e procedurave të publikuara në Sistemin e Prokurimeve Elektronike nga 8.19 % në vitin 2022 në 11.7 % në vitin 2023.

bottom of page