Një nga firmat që ka pësuar rritje të konsiderueshme në tendera është firma “Bajrami N”, e cila ka aktualisht si pronare shtetasen Anduena Bajramin, e cila ka qenë për vite me radhë nënkryetare e Bashkisë së Elbasanit.
Çuditërisht, që nga emërimi i zonjës Bajrami në atë post, firma xhiron dhjetëra miliona euro, ku kryesisht fiton tendera nga Bashkia e Elbasanit, Peqinit, Belshit, Librazhdit apo edhe Gramshit.
Pra, paratë mbeten brenda qarkut.tenderët e fituar nga firma janë bërë me influencë, qoftë procedurat e kaluara apo edhe ato aktuale.
Madje, emrat e pronarëve që kanë qenë aksionerë në të kaluarën te kjo firmë janë edhe në raporte të policisë shqiptare apo atyre europiane.
Por, nëse fiton me lehtësi dhjetëra miliona euro, është influencë apo fat?
A mos ndoshta bëhet fjalë për krim dhe korrupsion, pasi lidhjet politike apo ato kriminale, mund t’a kenë ndihmuar? kanë nisur verifikimet e para për këto lidhje, teksa të dhënat janë të hapura dhe kushdo mund t’i verifikojë. Ashtu siç ka bërë redaksia jonë, e cila ka analizuar me dhjetëra kontrata të reja apo të vjetra që ka fituar kjo firmë.Disa javë më parë, Bashkia e Elbasanit ka shpallur fituese firmën “Bajrami N” dhe firmën “STERKAJ”, ku e para ka 80 % e kontratës dhe e dyta 20 % për rikonstruksionin e përroit të Zaranikës.
Objekti i kontratës është “Rehabilitimi i pellgut ujëmbledhës të përroit të Zaranikës dhe Rikonstruksion i digës dhe shtratit të përroit të Zaranikës”.
Bëhet fjalë për lotin e parë, teksa buxheti është 153.736.608 lekë pa TVSH. Bashkimi i firmave fituese ofroi ofroi 104 milionë lekë.
Por, pavarësisht ofertave dhe vlerave, ajo që bie në sy në gjithë këto procedura është lehtësia me të cilën i fiton tenderët kjo firmë. Kryetari aktual i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, nuk ka preferuar të firmosë për ish zëvendësen e tij, teksa ka auorizuar në këtë rast, nënkryetarin Asim Sula.
Ndërkohë, “Bajrami N” ka fituar edhe procedurën rikualifikimi urban i parkut qendror Rinia, me një vlerë 208 milionë lekë.
Parku pas ndërtimit u shkatërrua dhe u deshën para shtesë që ta rivinin në punë. Goxha investim!
Firma ka fituar edhe tenderin e ndërtimit të sheshit “Valmi” me një vlerë 62 milionë lekë.
Nga e njëjta bashki fitoi edhe procedurën e instalimit të teknologjive të reja në stacionet e pompimit në sistemin Mengel-Samurr-Godolesh me një vlerë 56 milionë lekë.
Por, e vetme në garë ka fituar edhe plot 18 procedura në Bashkinë e Librazhdit, me një vlerë rreth 3 milionë euro.
Të jetë fat apo meritokraci?
Në dokumentet e analizuara nga VoxNeës, firma ka fituar tenderin sistemim asfaltim i rrugës së fshatit Spathar me një vlerë 83 milionë lekë, rregullimin e rrugës së fshatit Kokreve po me vlerë 83 milionë lekë.
Gjithashtu, edhe tenderin e përmirësimit të banesave ekzistuese për komunitete të varfëra dhe të pafavorizuara në vlerën e 34 milionë lekëve.
Firma ka fituar edhe tender në bashkitë e tjera të qarkut të Elbasanit, ku në Belsh ka fituar tenderin e banesave të shtresave t ëvarfëra me vlerë 37 milionë lekë, në rrogozhinë tenderin e rindërtimit të shkollës “Qamil Gjuzi” me vlerë 137 milionë lekë. Ndërkohë, në Peqin ka fituar tenderin e rregullimit të rrugës së fshatit Trash me vlerë 38 milionë lekë.Bajrami N dhe Gjikuria kanë fituar tenderin me vlerë 209 milonë për asfaltim të rrugës 28 nëntori. Për këtë punë kanë “fituar” edhe shtesë. Gjithashtu shtesë kanë pasur edhe në tenderin “rikonstruksioni i urës së varur Polis-Vale”, me një vlerë të lartë.
Në Peqin, firma bashkë me Lluca shpk & Viante Konstruksion sfituan 47 milionë lekë për ndërtimin e pritave lumore dhe përforcimin e këmbëve të urës në shtratin e Lumit Shkumbin. Fituan edhe jashtë Elbasanit, në Berat një vlerë 17 milionë për rikonstruksionin e fasadave në hyrje të qytetit.
Madje, edhe në Tiranë fitoi tender bashkë me firmën “COLOMBO” me vlerë 146 milionë lekë, rikonstruksionin e shkolles 9 vjeçare “Shyqyri Peza”.
Brenda Elbasanit, firma “Bajrami N” dhe “Gele Zani” fituan 81 milionë për rikonstruksionin e rrugës automobilistike Skënderbegas.
Firma ka fituar edhe nga rindërtimi, ku në Tiranë operoi si BOE me firmën Zdravo për pallatet në lagjen 5 maji. Fituan një kontratë me vlerë 446 milionë lekë.
Firma “Bajrami N” ka pasur pronarë familjen Bajrami. Fillimisht ka qenë Nazifi dhe aktualisht është Anduena Bajrami, e cila ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, pranë Qazim Sejdinit dhe më pas Gledian Llatja.
Por, edhe gjatë kohës kur gruaja ishte nënkryetare e Bashkisë Elbasan, bashkëshorti Nazifi merrte tendera nga Bashkia Elbasan.
Ndërkohë, disa media kanë publikuar edhe të dhëna se bashkëshorti i Anduena Bajramit ka qenë i sekduar, nga një shkresë e muajit dhjetor të vitit 2020.
Por, deri më sot nga organet ligjzbatuese nuk kanë bërë ndonjë operacion apo njoftuar për nisjen e hetimeve.