Qeveria do të mund të kalojë pronën shtetërore në private nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit, tjetërsimit, shkëmbimit apo shitjes me ankand.
Ndryshimet që qeveria ka bërë në ligjin “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve” parashikohen të nisin zbatimin në fillim të korrikut.
Ky ligj tashmë i publikuar në Fletoren Zyrtare sanksionon ndryshime në nenin 1 të lidhura kryesisht me praktikën që mund të ndiqet për kalimin e një prone shtetërore te privati.
“Kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit, si: shitjes me ankand, ose tjetërsimit, sipas veprimeve juridike të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme, të përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, përveç formës së kalimit të pronësisë nëpërmjet kontratës së dhurimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore, që kanë në pronësi ose përdorim prona shtetërore, si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore.
Kriteret për vlerësimin e pronave që privatizohen apo shkëmbehen, si dhe procedurat e format e privatizimit, mënyrat e shkëmbimit të pronës shtetërore, si dhe rastet përjashtimore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në pikën 2 të nenit 1 sipas ndryshimit.
Tashmë përgjegjësia për pronat, duke shkuar në një linjë dhe me riformatimin e ministrive që ndodhi në fillim të vitit, i ka kaluar ministrisë përgjegjëse për ekonominë duke qenë se më herët ishin bashkë Financat dhe Ekonomia.
Ndryshimet parashikojnë që është Këshilli i Ministrave ai që përcakton me vendim të veçantë kohën, procedurat dhe kushtet për kalimin e pronës shtetërore tek privati sipas formës së dakordësuar.
“Këshilli i Ministrave përcakton me vendim procedurat, kohën, mënyrat dhe garancitë që ministria përgjegjëse për ekonominë parashikon në kontratën e shitjes së pronës shtetërore, përfshirë edhe rastet e parashikuara në legjislacionin përkatës për dhënien me qira apo privatizimin e pronës shtetërore për turizëm apo qëllime të tjera” thuhet në vendim.
Në rastet kur pronat kanë objekte si pjesë përbërëse dhe planet e zhvillimit parashikojnë lirimin e terrenit ligji përcakton se koston për shembjen dhe largimin e mbetjeve e mban subjekti zhvillues.
“Kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit në përputhje me procedurat e parashikuara në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Shpenzimet e shembjes, si dhe vlera kontabël e këtyre objekteve apo ndërtesave, përballohen nga subjekti zhvillues i projektit. Përcaktimi i vlerës kontabël sipas këtij neni bëhet nga ekspert/ë kontabël të emëruar për këtë qëllim nga ministri përgjegjës për ekonominë” thuhet në nenin 5/1 të ligjit.