Mbyllet qarkullimi në rrugën drejt pikës kufitare në Jarinjë
- Editor 1
- Dec 10, 2022
- 1 min read

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka mbyllur përkohësisht rrugën që çon drejt pikës kufitare në Jarinjë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë, pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, si të dyshuar për organizim sulmesh ndaj zyrtarëve të KQZ-së e Policisë së Kosovës.
“Personi i dyshuar ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e KKZ-së dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës.
Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, persona/grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda. Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave. Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë, që ka ftuar qytetarët të mos bien pre e thirrjeve të personave a grupeve kriminale.
Pas ngritjes së tensioneve në veri, në prag të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar të shtunën se zgjedhjet janë shtyrë për në prill.