Ministri Sveçla ha darkë me policët në veri: Një lokal në Prishtinë përgatiti ushqimin për forca..
- Editor 1
- Dec 17, 2022
- 1 min read

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën.
Ai ka bërë me dije se i është bashkuar darkës së policëve në Bërnjak, të cilët janë angazhuar për të monitoruar situatën në veri. Ministri thotë se një nga lokalet e Prishtinë ka përgatitur ushqimin e darkës për policët që janë angazhuar në mbrojtje të vendit të tyre.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë.
Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë.
Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa.
Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e
Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.