Sa herë që oligarkët dhe kartelet e interesave duan të heqin ndonjë taksë, ndryshojnë ndonjë ligj për interesat e tyre apo të ndërmarrin ndonjë nismë ligjore për të gllabëruar pasuritë publike, gjejnë gjithnjë një personazh; Eduart Shalsi, i shënjuar tashmë si njeriu i oligarkëve dhe interesave të errëta.
Nuk ka ndonjë peshë elektorale apo politike. Eviton aq sa është e mundur ekspozimin dhe vepron skutave. Në vitet 2011-2012, Edi Rama i kërkoi një regjisori të njohur që të stërviste dhe aftësonte Shalsin për të folur në publik.
Regjisori mbyllej për orë të tëra duke bërë prova me Shalsin, i cili improvizonte në role dhe pozicione të ndryshme.
I gjithë investimi u hodh në erë gjatë një debati në emisionin ‘’Top Story’’ në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare 2013, kur Shalsi tha shprehjen që i ka rezistuar dakdës: “Dhe një premtim që e bëjmë që tani, ne nuk do vjedhim në mënyrë flagrante sa këta“.
‘Premtimi’ frojdist i Shalsit krijoi një siklet të madh tek socialistët në atë kohë.
Nuk e dimë nëse ky premtim është mbajtur apo jo, por pas asaj nate, Edi Rama e ktheu sërish Shalsin në errësirë dhe në gjirizet e pazareve, pra në habitatin e tij.
Eduart Shalsi është diplomuar në degën Biologji–Kimi në Tiranë në vitin 1990. Pas studimeve ka punuar si arsimtar në shkolla të ndryshme të Tiranës. Nga viti 1992 deri në vitin 1995, Shalsi emigroi në Greqi. Deputeti pretendon se ka qenë argat, një punë e nderuar dhe e respektuar, por sipas disa raportimeve mediatike Shalsi ka punuar si ‘skifter’.
Referuar disa rrëfimeve, Shalsi me ‘kapuç’ në Greqi ka operuar me disa emra., megjithatë, aktiviteti i Shalsit në Greqi do të jetë objekt i një tjetër shkrimi.
Pas kthimit nga Greqia, Shalsi fillon punë në të parën bankë private në Shqipëri, Tirana Bank.
Nga sektori privat, Shalsi kaloi në atë shtetëror duke u bërë drejtor i kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG.
Në vitin 2004, z. Shalsi i bashkëngjitet ekipit të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës, fillimisht si shef kabineti i Kryebashkiakut dhe më pas si nënkryetar i Bashkisë.
Edi Rama e mbajti dhe e bëri deputet në vitin 2009, mandej në 2013, 2017 dhe 2021. Herë pas here i besoi edhe disa ministri periferike.
Në një analizë të BIRN në vitin 2021, Shalsi rezulton se kishte deklaruar një pasuri me vlerë rreth 400 mijë euro. Pasuria nuk justifikohet edhe sikur Shalsi të ketë qëndruar pa ngrënë dhe pa pirë për 3 dekada.
Ndëkaq, në media janë publikuar dokumente se bashkëshortja e Shalsit, Eranda Shalsi, ka zbatuar disa projekte qeveritare me vlerë 930 mijë euro. (Kjo nuk do të thotë se i ka vjedhur bukur paratë).
Aktiviteti keqbërës i Eduart Shalsit konsiston në përfaqësimin, reflektimin dhe kthimin në akte normative dhe ligje të interesave korruptive të oligarkëve, duke përdorur mandatin e deputetit.
Disa fakte dhe rrethana konkrete tregojnë për një korrupsion parlamentar, ku mandati i deputetit, në vend të përfaqësimit të interesit të zgjedhësve, përdoret për realizimin e interesave të një grushti njerëzisht.
Kjo është arsyeja se pse Eduart Shalsi do të jetë në vijim objekt i një monitorimi dhe investigimi të rreptë mediatik, duke e konsideruar denoncimin dhe ekspozimin e tij një interes të lartë publik.
Ligji për kalimin e pronave publike në duart e oligarkëve
Në një kohë kur mazhoranca ka shpalosur një projekt-rezolutë kundër korrupsionit, deputeti i saj Eduart Shalsi propozoi në Kuvend një nismë ligjore për ndryshimin e një akti normativ të vitit 2008 me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…”.
Nisma parashikon dhënien e pronave publike dhe shembjen e ndërtesave publike kur në këto territore parashikohet për të ndërtuar resorte apo objekte të tjera oligarkët.
Sipas propozimeve, “prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore”.
Sipas propozimeve, “kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit“.
Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, deputetët e opozitës e konsideruan nismën si korruptive dhe të porositur, ndonëse Sali Berisha dhe Ilir Meta e mbështetën në heshtje, pasi siç dihet paguhen dhe pastrojnë paratë me oligarkët.
Nisma e Shalsit, e cila dyshohet se është përgatitur nga rrethi i biznesmenëve dhe oligarkëve me synim gllabërimin e pasurive publike, duke investuar paratë e korrupsionit, evazionit fiskal dhe trafiqeve, u pa me dyshim edhe nga deputeti socialist Erion Braçe.
Pati reagime të forta dhe një ekspozim të madh mediatik, por siç duket, gjithçka ishte vendosur në ato verandat ku shishja e verës kushton mbi 6 mijë euro.
Nisma u miratua me 68 vota pro, 21 kundër dhe 2 abstenim.
Nisma që kalon pronat publike në duart e oligarkëve dhe klientëve të qeverisë, u mbrojt nga Shalsi në Kuvend.
Shalsi sqaroi se nisma synon zgjidhjen e disa problematikave të konstatuara gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ekzistues dhe propozon disa propozime ligjore lidhur me shkëmbimin e pronës shtetërore; rregullimin e procedurës së shitjes së pronës shtetërore në rastin e investimeve në turizëm apo kur është dhënë me qira dhe janë plotësuar kushtet e privatizimit; shembjen e objekteve në tokat shtetërore, për të cilat është parashikuar një plan zhvillimi.
Eduart Shalsi përfaqësues i interesave korruptive të mashtruesve të qumështit
Paraditen e 2 nëntorit 2021, ish ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u paraqit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të prezantuar parashikimet e paketës së re fiskale, e cila do të shoqëronte buxhetin e vitit 2022. Përpos të tjerave, ministrja tha se ishte parashikuar edhe një taksë për qumështin pluhur që futet në Shqipëri, 100 lekë për litër, për të mbështetur prodhimin vendas dhe fermerët shqiptarë.
Ky propozim alarmoi bosët e qumështit, të cilët nisën të lobonin kundër taksës së propozuar.
Shqetësimi i pronarëve të fabrikave të qumështit për taksën e propozuar për qumështin pluhur, tërhoqi vëmendjen dhe shqetësoi disa deputetë, pasi pothuajse të gjitha fabrikat e përpunimit të qumështit, të cilat shesin qumësht, kos, djathtë etj., në etiketë e prezantojnë produktin si 100 % natyral.
Kur produktet i prezantojnë dhe i shesin si 100 % natyral, pse bosët e qumështit duhet të shqetësoheshin për një taksë për qumështin pluhur?!
Pronarët e fabrikave të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, duke lobuar kundër një takse të re për qumështin pluhur. Ata pranuan në një mbledhje të Komisionit të Ekonomisë, se ata përdornin qumështin pluhur në produktet e tyre të paktën në masën 2 %, duke nënkuptuar se përzierja mund të jetë shumë më e lartë, bashkë me produkte të tjera si vaj palme etj.
Kjo deklaratë duhet të ngrinte në këmbë shtetin, AKU, Prokurorinë, Kuvendin dhe madje edhe Shërbimin Informativ, për një krim masiv kundër shëndetit të popullatës, përmes mashtrimit.
Produktet i nxjerrin me etiketë 100 % natyral, ndërsa në Kuvend thanë se përdornin qumësht pluhur.
Bosët e mashtrimit të madh me qumështin shumë shpejt gjetën çelësin e zgjidhjes: Eduart Shalsin.
Si kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, fillimisht e kundërshtoi publikisht propozimin e taksës.
“Duhet të konsultohemi patjetër me grupet e interesit. Jemi në kohë për të parë se çfarë mund të reflektojmë dhe ndryshojmë brenda paketës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të duhet një analizë e plotë për efektet qoftë për tregun e qumështit dhe nënprodukteve të tij, qoftë edhe të produkteve bujqësore. Ka disa shqetësime nga grupet e interesit që këto masa mund të mos shtynë drejt formalitetit, por përkundrazi…”, tha Shalsi.
Pronarët e fabrikave të qumështit dhe nënprodukteve të tij duket se kishin nisur ndërkohë në prapaskenë lobimin intensiv për të rrëzuar propozimin e qeverisë për taksën për qumështin pluhur.
Ata kishin përgatitur një material me kundërshtimet e tyre që në datën 1 nëntor 2021. Dhe ky lobimi jo transparent rezultoi efektiv në interesin e tyre, pasi taksa u hoq pa asnjë shpjegim.
Në 4 nëntor 2021, Eduart Shalsi zhvilloi një mbledhje me bosët e qumështit.
Ndryshe nga sa është operuar zakonisht, ku seancat dëgjimore me grupet e interesave janë publike dhe të hapura, seanca për taksën e qumështit pluhur në Komisionin e Ekonomisë, u mbajt e fshehtë.
Në faqen e Kuvendit, ku shfaqeshin të regjistruara të gjitha mbledhjet e komisioneve parlamentare sipas datave, mungoi vetëm seanca e Komisionit të Ekonomisë me tregtarët e qumështit.
Tre ditë pas konsultave, deputeti Erion Braçe, anëtarë i Komisionit të Ekonomisë, përmes një postimi në Facebook, shprehu habinë për tërheqjen e Ministrisë së Financave nga taksa për qumështin pluhur.
“Qeveria është tërhequr nga taksa e qumështit pluhur? Po përse? Dhe ku xhanëm? Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ligjin për taksat kombëtare me takse te re për qumështin pluhur. Ne Komisionin e Ekonomisë kemi nisur shqyrtimin e tij; Po aty, bëmë një dëgjesë me fabrikat e përpunimit të qumështit”.
Qëndrimi i Braçes nënkuptoi qartë se në Komision nuk është rënë dakord për heqjen e taksës, por tërheqja është bërë më pas, pas pazareve të Shalsit me bosët e qumështit. Natyrisht nuk kemi prova nëse bosët e qumështit kanë paguar Shalsin dhe sa e kanë paguar, por faktet tregojnë edhe një herë veprimtarinë parlamenatare të Shalësit kundër interesit publik.