Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli thyen çdo rekord me aferat për rrugët. Megjithëse Kamza nuk mbahet szonë me infrastrukturë të mirë, investimet që bën kjo bashki kanë qenë të jashtëzakonshme. Pas një pauze të vogël, Suli ka nxjerrë sërish fonde duke firmosur një tender me miliona lekë vetëm për 4 cm asfalt.
Këtë herë bëhet fjalë për prokurimin me objekt ‘Ndërtim Rrugët “Luçie Miloti”+ Rr.”Peqin”+3 rrugicat paralel me Rr.”Peqin”+Rr.”Marie Logoreci”+Rr.pingul me Rr.”Azem Hajdari’.
Janë gjashtë rrugica lagjeje me gjatësi totale 1.97 km.
Sikur duket në foto janë rrugica të një lagjeje më në periferi, rrugë ekzistuese dhe kanë nevojë për riparime, ku disa prej tyre kanë qenë të asfaltuara. Ndërkohë, në dokumentet e punimeve thuhet se në këto rrugë do të bëhet pastrimi anësoreve, një shtresë çakëll dhe më pas do të hidhet një shtresë asfalt me trashësi 4-5 cm.
Për këto punime që do të zgjasin rreth 4 muaj, Suli do të paguajë me paratë e qytetarëve 560 milionë lekë. Për më tepër këto para jepen duke nënshkruar në shkelje të ligjit.
Duke qenë se kanë vlera të larta për tenderët e Sulit zakonisht shfaqet interes i lartë nga kompanitë, por në fund pjesëmarrja e tyre kthehet në fasadë. Suli zakonisht zgjedh të mbyllë kontratën pa garë dhe pa u zgjatur me procedurat që kërkon ligji.
Favorizohet oferta më e shtrenjtë
Nga 13 oferta që janë paraqitur për këtë projekt, kryetari ka përjashtuar 12 që në fazën e parë të shqyrtimit. Sipas të dhënave, kompania “KOMBEAS” me 378 milionë lekë dhe AGRI CONSTRUCTION & “COMPANY RIVIERA 2008” me propozimin me vlerë 380 milionë lekë kishin ofertat më të lira, që mund t’i kursenin bashkisë afro 180 milionë lekë në raport me fondin limit.
Por ne e kemi shpjeguar e më parë, kjo është pjesa që bashkia paguan për korrupsionin. Prandaj, komisioni i ka larguar konkurrentët me argumente të tilla si “nuk kanë paraqitur fizikisht formularin përmbledhës të vetëdeklarimit”.
Që këtu ka nisur manovrat e para, duke anashkaluar faktin që ligji kërkon se për raste të tilla kompanitë me oferta ekonomike të vlefshme duhet të vihen në dijeni për mangësitë. Më pas t’u jepet mundësia për të vazhduar garën.
Tender pa garë
Komisioni e mbylli këtë tender sipas porosisë “skualifikim i të gjithë opreratorëve, përveç fituesit”. Pra, vetëm oferta e bashkimit të operatorëve “BRITANIA shpk – PEPA GROUP shpk me pronare Viloleta Pepën mbeti në fazën finale. Fituesi paraprak është bërë publik më datë 23 shtator 2024.
Sigurisht që për të gjitha këto shkelje tenderi mban ‘Flamurin e Kuq’. Open Data Albania e vendos këtë shenjë për të treguar riskun e korrupsionit.
Së pari APP nuk duhej të kishte regjistruar këtë tender me kaq shumë shkelje. Shtuar këtu faktin që i është bërë dhuratë një biznesmeneje që ka marrë paratë e taksapaguesve dhe nuk ka kryer punën publike. Edhe më herët, Pepa me një grup biznesmenësh të tjerë janë denoncuar se kanë mashtruar me fondet e rindërtimit dhe nuk kanë ndërtuar shtëpitë e dëmtuara të qytetarëve. Një prej këtyre rasteve është denoncuar në media. Ligji ndalon që të bëhen pjesë e prokurimeve firma me precedentë të tilla, që kanë besueshmëri të ulët!Kujtojmë se Kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli, është paraqitur dy herë në SPAK në nëntor 2023.
SPAK po kryen hetime për veprat “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm”, “shpërdorim detyre”, “shkelje e barazisë në tendera” dhe korrupsion, pas kallëzimit të banorëve të Kamzës.
Rakip Suli është denoncuar edhe nga një grup këshilltarësh të bashkisë Kamëz, duke iu referuar raportit të KLSH-së pas kontrollit në këtë institucion.
Burime bëjnë me dije se SPAK po kryen hetime për zyrtarë të bashkisë Kamëz, lidhur tendera të pastrimit të qytetit dhe dëmshpërblimet për tërmetin. Pas kallëzimeve të mbërritura në strukturën antikorrupsion, ky institucion ka regjistruar procedim penal, ndërsa hetimet po kryhen nga prokurori Elvin Gokaj. Mësohet se për këtë çështje janë thirrur dhe janë marrë në pyetje disa drejtorë të këtij institucioni dhe janë sekuestruar dokumente nga bashkia.
Kjo është arsyeja që kohët e fundit, kryetari ka autorizuar zëvendësen e tij që firmos tenderat, por përgjegjësia nuk ndryshon.