Fundi i vitit që po vjen pritet që të gjejë në shtëpi rreth 600 persona që mund të fitojnë lirinë nga qelitë e burgimit, ndërsa qindra të tjerë të do të përfitojnë pushim të gjykimit, apo hetimit penal, falë ligjit për amnistinë të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Projekti i është përcjellë Burgjeve, Prokurorive dhe Shërbimit të Provës, si grupe interesi, e më pas do i përcillet për miratim Kuvendit.
Kjo lëvizje pritet që të sjellë edhe një “frymëmarrje” për burgjet që janë të mbipopulluara. “Infrared.al ” sjell më poshtë një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit se si është gjendja dhe çfarë ndodh në burgjet e Shqipërisë. Në raport thuhet se një pjesë e të arrestuarve qëndrojnë për ditë të tërë në komisariate dhe nuk dërgohen në paraburgime sepse nuk ka vende.
“Mbajtja në ambientet e dhomave të sigurisë pranë DVP-ve për periudha të zgjatura, në tejkalim të afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Konkretisht, edhe gjatë vitit 2022 janë evidentuar raste të mos transferimit në kohë pranë IEVP-ve të personave të arrestuar/ndaluar që trajtohen në ambientet e Policisë së Shtetit, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, vonesa të cilat shkojnë deri në 3-5 ditë pas marrjes së masës së sigurimit të dhënë nga gjykata.
Vonesat në transferime vijnë si rezultat i mospranimit nga IEVP-të të personave me masën e sigurisë “arrest në burg”, me argumentin se ka mbipopullim dhe mungesë të ambienteve për akomodim në IEVP, por edhe për shkak të mangësive në dokumentacionin shoqërues të përgatitur nga ana e Policisë” thuhet në raport.
Por edhe ata që janë brenda janë në kushte jo normale. KLSH rendit një seri problemesh. “Trajtimi jo i përshtatshëm i pacientëve me çrregullime të shëndetit mendor, për të cilët gjykata ka vendosur masën “mjekim i detyruar”, jo vetëm që bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së, por ndikon negativisht në përkeqësimin e shëndetit mendor të këtyre individëve dhe mirëqenien e tyre.
Mungesa e përcaktimit të standardeve për mbikëqyrje të rregullt psikologjike të stafit të angazhuar në IEVP, si dhe mungesa e hartimit të metodologjisë për vlerësimin e perfomancës së IEVP-ve, ndikon negativisht në qasjen për zhvillim të sistemit penitenciar bazuar në standardet europiane.
Pavarësisht se ligji nr. 81/2020 i barazon në të drejta personat “e dënuar” dhe “të paraburgosur”, asnjë prej personave të paraburgosur nuk përfiton takime të zgjatura. Mungesa e përcaktimit të afateve të arsyeshme dhe të posaçme për trajtimin e kërkesë/ ankesave, sipas institucionin përgjegjës për trajtimin e tyre, ndikon në zgjatje të pajustifikuara dhe cenimin e të drejtave të personave të paraburgosur” vijon më tej raporti.
KLSH e vendos theksin edhe tek e drejta e qytetarëve që nuk kanë mundësi për të pasur një mbrojtës ligjor falas. “Në kuadër të parimit të mbrojtjes efektive, sa i përket përcaktimit të pamjaftueshmërisë financiare, Ministria e Drejtësisë i është referuar modelit Slloven dhe përcaktimeve ligjore që ky vend parashikon.
Megjithatë, transpozimi i këtij përcaktimi ligjor është i cunguar, pasi Sllovenia, në ndryshim nga vendi jonë ka të përcaktuar minimumin jetik, i cili reflektohet edhe në përcaktimin e pagës minimale. Në kushtet kur, Shqipëria nuk ka të miratuar një ligj për përcaktimin e minimumit jetik, përllogaritja e kufirit të pamjaftueshmërisë financiare duke marrë në konsideratë vetëm të ardhurat e një personi por jo shpenzimet e nevojshme dhe të detyrueshme për jetesë është e cunguar.
Kjo rrezikon të përjashtoj nga skema individ, të cilët kanë realisht nevojë për ndihmë juridike falas. Njëkohësisht, edhe mungesa e hartimit të listave të posaçme për përfaqësimin ligjor të të miturve dhe përcaktimi i përfaqësuesve ligjor të ndryshëm në faza të ndryshme të procesit penal, si për të miturit ashtu edhe tek personat madhor, ndikon negativisht në efektivitetin e procesit të mbrojtjes së tyre” thuhet në raport e publikuar nga