top of page

Raporti KLSH/Pula të prishura e bulmet i pakontrolluar, ja çfarë hanë personat me aftësi të kufizuar


Kontrollit i Lartë i Shtetit konstaton abuzime në Qendrën e Zhvillimit për Personat me Aftësi të Kufizuar Vlorë, ku bashkia nuk regjistroi godinën në pronësi në saj. 


Brenda mureve të Qendrës së Zhvillimit për Personat me Aftësi të Kufizuar Vlorë (QZHPAK) ka një realit të zi dhe kërcënues për shëndetin. Lagështirë, pula të prishura më erë të rëndë dhe ushqime të pakontrolluara. Konstatimi është reflektuar në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të janarit 2023, mbi auditimin e veprimtarisë së QZHPAK. Përpos të tjerave, KLSH-ja ka konstatuar ambientet për magazinimin e mallrave dhe ushqimeve nuk plotësojnë parametrat higjeno-sanitarë, për shkak të lagështirës dhe papastërtisë. Në raport thuhet se ushqimet mbahen edhe në zyra, ndërsa nuk ka fletë analizash për mishin dhe sidomos bulmetin.


“Konstatohet se përveç sasisë së madhe të furnizuar nga kontraktori, artikujt e mësipërm janë magazinuar në kushte tejet të këqija higjeno-sanitare duke shkelur çdo standard ushqimor, artikujt janë magazinuar në zyrën e magazinieres, disa rifuxho në dysheme dhe disa në ambiente akulli në frigorifer, pulat ishin të pa paketuara dhe disa të prishura me erë të rëndë dhe ngjyrë të transformuar, mishi në sasi 5 kg pa prerë 2 qese, patatet, qepët, frutat, rifuxho në kushte lagështie pa peshuar, pa u etiketuar mallrat, etj. Procesverbalet e pranimit të produktit mish/të përpunuar i mishit (sallam, proshuta, etj.) nuk përmban të dhëna mbi vulën e kontrollit veterinar... Procesverbalet e pranimit të bulmetrave (qumësht për konsum, djathë i bardhë dhe gjalpë i freskët) për furnizimin me djathë, nuk ka evidentuar certifikatën e cilësisë, certifikatën e analizës...”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se ka një abuzim flagrant me rikonstruksionin e godinës së Qendrës së Zhvillimit për Personat me Aftësi të Kufizuar Vlorë. Sipas raportit, ndërhyrja është bërë jo në përputhje me ligjin, ndërsa elementet e ndërhyrjes ishin jashtë standardit, ku megjithatë disa elementë janë parashikuar në projekt, por nuk janë zbatuar fare.


“Elementët të parashikuar, por që nuk janë realizuar në fakt janë: hapja në drejtime të kundërta/me lëvizjen, hapësira e nevojshme e afrimit dhe lëvizjes së karriges me rrota tek ëc, sistemi i alarmit, përmasat e ashensorit për të paktën një person me karrocë me rrota, kornizat e jashtme të dyerve dhe dritareve të përdoren lehtësisht, lartësia e dorezave të dritareve, siguria e xhamit të përdorur, thellësia e vaskës, pajisja e dushit me karrige dhe telefon dushi, instalimi i mekanizmit së hapjes së derës nga jashtë, sinjalistika e shfrytëzimit të ambientit, ndryshimi i drejtimit të lëvizjes në pjesë fundore të korridorit, dimensioni i kabinës së dushit etj”, thuhet në raport.

KLSH konstaton se Bashkia e Vlorës nuk ka marrë masa për transferimin dhe regjistrimin në pronësi të saj të godinës ku ushtron veprimtarinë QZHPAK, me sipërfaqe totale 675 m2. Sipas raportit, objekti “kaldaja”, me sipërfaqe 54 m2, nuk posedohet nga QZHPAK, por ky objekt përdoret nga subjekte private për qëllime banimi.



bottom of page