RILKE - POETI MË LIRIK I BOTËS
- përkushtim në ditën e lindjes së një gjeniu -
RAINER MARIA RILKE
(4 dhjetor 1875 - 29 dhjetor 1926)
Poet i madh, nga më të mëdhenjtë e shekullit të kaluar. Aq sa edhe prozator. Vështrimi i tij përqëndrohet tek vështirësitë e shoqërisë në një epokë mosbesimi të thellë, ku mbizotërojnë vetmia e njeriut dhe mungesa e një shprese për të qenë se mund të ketë një të ardhme më të mirë - tema këto që e pozicionojnë tek kufiri që ndan artin tradicional me atë modernin, i cili ka shfaqet në horizontin evropian të kohës. Natyrisht, kah kjo e dyta mënjanon dukshëm poeti, fakt që dokumentohet poetikisht tek veprat e tij më të njohura, “Libri i orëve”, “Soneta për Orfeun” dhe “Elegjitë e Duinos”. Vepra e veçantë “Letra një poeti të ri” është një guidë e famshme këshilluese për çdo krijues të ri.
-------------------------
Austrogjermani Rainer Maria Rilke erdhi në jetë në Pragë, nga një ish ushtarak dhe nga një nënë e prejardhur prej shoqërisë së lartë, me njohje të rëndësishme shoqërore, ngaqë i ati ishte këshilltar perandorak. Djalë adoleshent, nuk gjeti ngrohtësi familjare. Edhe arsimimi i tij ekzistoi sporadik, pa rregullsinë që do t’i siguronte një formim të qëndrueshëm. Fillimisht ndoqi një shkollë ushtarake, por nuk i erdhi përshtat dhe e braktisi. Hyri në Shkollën Tregtare të Lincit, por pas një viti e braktis edhe atë dhe kthehet në Pragë, ku më 1895 rregjistrohet në Universitet dhe studion letërsi, histori të artit dhe filozofi, gjëra që i përshtaten. Për gjashtë muaj të tjerë ndjek leksione juridike. Vazhdon studimet universitare në Berlin. Udhëton vazhdimisht nëpër Evropë. Pështypjet nga Rusia, të cilat do të ndikojnë ndjeshëm jetën e poetit të ardhshëm, i shprehu tek “Kalendaret” (1905). Katër vjet më parë (1901) ishte martuar me skulptoren Klara Vestkhov dhe po atë vit u bënë me vajzë. Vendoset në Paris, bota e tij artistike për dymbëdhjetë vitet e ardhshme. E kësaj kohe është miqësia e tij e ngushtë me Ronden-in, si edhe shfrimi i një frymëzimi të ri poetik, ku ra në sy lirizmi i skajshëm dhe një gjuhë e moderuar, e pazakontë për poezinë e kohës. Të këtij frymëzimi janë librat “Vjersha të reja” (1907-1908) dhe “Kujtimet e Marte Lauric Bringe”. Kaq ishte, mandej e kaplon një dëshpërim i thellë dhe një krizë e tillë krijimi, gjëndje që zgjati gjer më1922, kur papritmas shpërtheu sërisht talenti i tij dhe përfundon veprën e famshme “Elegjitë e Duinos”, që e ka zanafillën tek një udhëtim në Itali (1912). “Sonetet e Orfeut” u shkruan me një frymë, për disa ditë (1923), frymëzuar dhimbshëm nga vdekja e një vajze të re. Pikërisht këto dy veprat e fundit do të konsiderohen nga kritika e kohës, por edhe më vonë, si kryeveprat poetike që shkroi mendja dhe talenti i rrallë poetik i Rilkes. Ato i dhanë edhe famë botërore poetit, që rrezaton edhe sot. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Kizo, pranë liqenit të Gjenevës. Vdiq më 29 dhjetor 1926, tek senatoriumi i Valmon-it në Zvicër, nga leuçemia. Një legjendë thotë se poeti lirik Rilke, i dashuruar si rrallëkush me natyrën, u sëmur kur i shpoi gishtin gjembi i një shege, tek kujdesdej për kopshtin e tij. Njëri nga pasionet i mori jetën...
---------------------------------------------------------------
Rainer Maria Rilke ishte shumë i ri kur vizitoi të moçmin Tolstoj në dajçën e tij. Bënë një shëtitje në natyrë. Atëhere, patriarki i Letravetë Përbotshme, Lev Tolstoj, pyeti djaloshin:
- Çfarë gjëje i je përkushtuar kësaj periudhe?
- Poezisë lirike! - iu përgjigj me entusiazëm djaloshi mysafir.
Tolstoj iu ndezën llambushkat dhe fërgëlloi si mushkë e bezdisur kozakësh. U bë shumë i hidhur, duke i rradhitur djaloshit një varg akuzash për poezinë lirike, për të cilën thoshte se nuk duhet të ekzistonte fare dhe se ishte mundimi më i kotë në botë t’i përkushtoheshe asaj.
Por ngjante sikur gjermano-austriaku çunak, të cilit porsa i kishin dirsur mustaqet, e kishte ndërprerë aktin e dëgjimit. Sikur i interesonte ato çaste vetëm lirizmi i stepës ruse.
U ndanë të pakënaqur me njeri-tjetrin. Tolstoj mbeti ai që ishte. Por Rilke u bë nja nga poetët më lirikë të botës.
GRIGOR JOVANI
Athinë, 4 dhjetor, 2021 - ’22
---------------------------------------------
KRIJIME
(...)
Çdo të bëhesh, Imzot, nëse vdes?
Unë jam shtamba jote (po të thyhem?)
Unë jam pija jote (po të hidhërohem?)
Unë jam vepra dhe veshja jote,
bashkë me mua do të humbasë kuptimi yt.
PER MUZIKEN
Muzika: Frymëmarrje statujash. Mbase
heshtje ikonash. Ti gjuhë,
ku gjuhët ndruhen. Ti kohë
që u rri përsipër
zemrave që shuhen.
Ndjenja, për kë? O, ti,
shndërrimi i ndjenjave, për çfarë?
Për vend’dëgjimin
ka të ngjarë.
E huaja, ti: Muzikë.
Hapja
e vendpranimeve në zemër,
vetvetja jonë më e thellshme,
që pavarësisht nesh
kërkon të dalë -
emigrimi më i shenjtë:
gjitoni e përbrëndshme,
më e sprovuara
natyrë e tejshme, si tjetër
anë e eterit: e pastër,
e tejanshme,
tashmë e pabanueshme.
---------------------------------------------
(Shqipëroi vargjet: G. Jovani)
THËNIE:
1. Udhëtimi i vetëm është ai brenda vetes.
2. Domethënë, këtu vijnë njerëzit për të jetuar. Unë do të thoja, se vijnë këtu për të vdekur.
3. Përvoja më e thellë e krijuesit është femërore, sepse është përvojë ndërhyrjeje dhe shtatëzanie.
4. Një vepër arti është e mirë, nëse ka lindur nga domosdoshmëria. Kjo është mënyra më e mirë për ta gjykuar.
5. Qëllimi i jetës është të mundesh nga gjëra gjithmonë e më të mëdha.
--------------------------------------------------
“LETRA NJË POETI TË RI”
(fragmente)
---------------------------------------------
LETRA E PARË
“... Pyesni nëse janë të mira vargjet tuaj. Pyesni mua. Pyetët, patjetër, edhe të tjerë para meje. I adresoni tek periodikët. I krahasoni me vjersha të tjera, shqetësoheni kur disa kryeredaktorë iu kthejnë pas dorëshkrimet poetike. Këtej e tutje (ngaqë ma lejuat t’ju jap këshilla) do t’u lutesha t’i mohoni të gjitha këto. Asnjëri nuk mund t’ju këshillojë apo t’ju ndihmojë, asnjë. Vetëm një rrugë ekziston: zhytuni brenda vetes suaj, kërkoni arsyen që iu detyron të shkruani, vërtetoni nëse rrënjët e saj buisin nga këndet më të thella të zemrës suaj. Rrëfejini vetes suaj: do të vdisni vallë, nëqoftëse ju ndalojnë të shkruani?
Kjo, para së gjithash: vetëpyetuni, në orën më të heshtur të natës suaj: Duhet të shkruaj? Rrëmoni thellë brenda vetes, të gjeni përgjigjen. Dhe nëqoftëse kjo përgjigje jehon pozitivisht, nëse përballë kësaj pyetje tejet të rëndësishme mund të lartësoni qëndrueshëm dhe thjeshtë një “Duhet!”, atëhere ndërtoni jetën tuaj duke iu përshtatur kësaj nevoje. Jeta juaj, akoma edhe në çastin më indiferent dhe bosh, duhet të bëhet shenjë dhe dëshmi e këtij pasioni. Afruhuni dhe përshtatjuni, atëhere, natyrës. Mundohuni, atëhere, të thoni, sikur jeni i pari njeri i botës, ç’shikoni, ç’jetoni, çfarë dashuroni, çfarë humbni. Mos shkruani këngë erotike. Shmangni, mbi të gjitha, temat aktuale dhe të zakonshme: janë nga më të vështirat dhe poeti duhet të arrijë kulmin e pjekurisë së tij që të mund të japë diçka të vetën, atje ku me një siguri të ndritshme - disa herë, tradita ofron kaq larmi.
Larg nga temat e mëdha dhe të përgjithshme, fokusoni vëmendjen tek ato që të ofron përditshmëria. Rrëfeni dëshpërimet dhe dhimbjet tuaja, mendimet tuaja fluturake, besimin tuaj tek ndonjë bukuri, - tregojini të gjitha këto qetësisht me një sinqeritet të thellë, të sinqertë dhe përdorni, për tu shprehur, gjërat që ju rrethojnë, ikonat e ëndrrave dhe burrimet e kujtesës. Në ndodhtë t’ju duket e varfër e përditshmja juaj, mos e akuzoni. Akuzoni veten tuaj, që nuk ëahtë aq sa duhet poet dhe nuk mund të ftojë pranë vetes gjithë pasuritë e dëshiruara. Për krijuesin nuk ekziston varfëria, as vende të varfra dhe pa interes. Dhe brenda burgut akoma nëse jeni i mbyllur dhe murret e tij nuk lejojnë të vijnë gjer tek ju zhurmat e botës jashtë, nuk mund të ndalonin ndërkaq të ktheheshin brenda jush vitet e fëmijërisë, thesari i shtrenjtë mbretëror i këtyre kujtimeve. Ktheni mendjen tuaj drejt tij. Orvatuni t’i nxirrni në sipërfaqe nga thellësia këto përshtypje të mbytura të së kaluarës. Personaliteti juaj do të forcohet, vetmia juaj nuk do të jetë më një qeli boshe, por do t’ju bëhet një strehë shpëtimtare ëndrrash, në të cilën nuk do t’ju arrijë më asnjë zhurmë nga jashtë...”.
(Paris, 17 shkurt, 1903)
----------------------------------
(Shqipëroi prozat: G. Jovani)