top of page

Shpenzimet, raporti: Mbi 27 mijë fatura u dorëzuan në Thesar jashtë afatit

Institucionet nuk kanë arritur të respektojnë kërkesat që parashikon kuadri ligjor sa i takon regjistrimit të urdhër prokurimeve, regjistrimit të planit të pagesave në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisjes (SIFQ) apo dorëzimit të mijëra faturave jashtë afatit pranë Thesarit. Raporti i performancës i Kontrollit të Lartë të Shtetit(KLSH) ndalet në mospërputhjet që kanë deklarimet e shpenzimeve të ministrive në raportet e monitorimit dhe ato në sistem.

Konkretisht, sipas KLSH, në  vitin 2022, kanë rezultuar 8 nga 11 ministri me diferenca midis të dhënave të gjeneruara nga Sistemi Informatik Financiar i Qeverisjes (SIFQ) dhe të dhënave të paraqitura në raportet e monitorimit, si dhe për këto të fundit mungon analiza dhe vlerësimi i performancës për zbatimin e buxhetit bazuar në rishpërndarjet e tij, me qëllim evidentimin e impaktit të mundshëm në performancën e objektivave lidhur me to.

Sipas raportit, në vitin 2022, janë realizuar 45 projekte (grant) në vlerën 519,754 mijë pa plan buxhetor apo në tejkalim të planit buxhetor, tregues i një planifikimi te dobët, i cili mund të sjellë si pasojë ndryshimin e prioriteteve qeverisëse, si dhe kalim të tavanit përkatës buxhetor.

KLSh ndalet edhe te rindërtimi, duke nënvizuar se referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave të dala deri në fund të vitit 2022 për këtë program, rezulton se fondet e shpërndara janë mbi vlerën e përcaktuar në ligjin e buxhetit për ketë fond, është përcaktuar si burim financimi edhe ngurtesimi i fondeve nga projekte të tjera të rindërtimit, të cilat paraqiten me ecuri të ngadaltë.

“Kosto totale e projekteve nuk ishte shoqëruar me ndryshim të vlerës së planifikuar me ligjin e buxhetin për fondet e rindërtimit në vitet pasardhëse buxhetore, duke qenë se plani vijon të paraqitet në shumën 0 lekë, duke sjellë mungesë bashkërendimi të kostove totale të projekteve me planifikimin e vlerave përkatëse në ligjin e buxhetin për vitet pasardhëse buxhetore” thuhet në raport.

I njëjti sjell në vëmendje se për vitin 2022 konstatohen 2956 rishikime, te cilat kanë sjellë ndryshime për 25508 transaksione, të cilat konstatohen kryesisht në muajin dhjetor me 6731 raste ose rreth 26.4% të rasteve ne total; regjistrimi i rialokimeve te fondeve buxhetore me data kontabile efektive me te hershme (retrospektive).

“Janë konstatuar 102 raste te urdhër prokurimeve te registruara në sistem ne vitin buxhetor 2022 të cilat lidhen me nje kontratë te nënshkruar ne vitet e mëparshme buxhetore (2011-2021); 52 raste në të cilat urdhër prokurimet rezultojnë të jenë regjistruar deri në 10 ditë diferencë nga data e kontratës;

nuk është respektuar afati 3-ditor për regjistrimin e kontratave nga data e nënshkrimit të tyre në 10602 raste mosregjistrim ne SIFQ i planit të pagesave të kontratës e kushtëzuar nga mos detajimi i planit buxhetor për projekte te investimeve sipas parashikimeve te udhëzimit standard të zbatimit të buxhetit;

janë konstatuar 27311 fatura në total të dorezuara në Thesar jashtë afatit 30 ditor nga data e furnitorit; janë të paktën 20 raste ne reth 2.7 miliardë lekë të regjistrimit dhe pagesave pjesore më të vogla të faturave, të lidhura me përputhjen e fondeve buxhetore disponibel, me efektin e detyrimeve të prapambetura ne kushtëzimin e procesimit të transaksioneve të pjesshme në sistem;

konstatohen gjithsej 9349 transaksione pagesash në vitin 2022 ne shumën totale 16,8 miliardë leke të cilat i përkasin faturave me date te viteve buxhetore te mëparshme; u konstatuan ekzekutime të pagesave te faturave te regjistruara ne data te mëvonshme, përpara urdhër shpenzimeve te regjistruara ne data me te hershme” nënvizon KLSH.

bottom of page