Rënia e vazhdueshme e Euros, rritja e kostove të fuqisë punëtore dhe kërkesa e dobët në tregjet e jashtme i kanë vënë në vështirësi fabrikat shqiptare në të gjithë sektorët.
Më të voglat po falimentojnë dhe shumë të tjera kanë ndryshuar strategjitë, duke u përshtatur me situatën e re.
Prodhimi për zinxhirët më të lartë të vlerës po aplikohet nga shumë njësi prodhimi, për të mbajtur të ardhurat nën kontroll.
Disa prodhues po diversifikohen në sektorë të tjerë, sidomos në turizëm dhe disa po investojnë në teknologji për të ulur varësinë nga fuqia punëtore që prej vitesh është problemi më shqetësues i industrisë.
Për të ulur humbjet nga kursi i këmbimit po bëhen përpjekje për të kaluar një pjesë të eksportit në tregun vendas dhe disa po mbyllin ciklin e prodhimit. Disa biznese po kthehen nga eksportues në importues.
Në dy vitet e fundit, prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku ndërthurja e shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën. Nënçmimi i Euros ka pasur ndikimin më të lartë në përkeqësimin e prodhimit vendas.
Sipas të dhënave zyrtare nga qershori 2023 deri në qershor 2024 vlera e Euros në këmbim me Lekun ka rënë me 5.6%. Euro u këmbye afër vlerës së 100 lekëve javën e kaluar, duke pësuar rënie me 3.2% në krahasim me fillimin e vitit.
Me afrimin e kulmit të sezonit turistik dhe ardhjes së emigrantëve, Euro rrezikon të nënçmohet edhe më tej.
Rënia e saj po dekurajon prodhimin dhe po ul të ardhurat nga eksportet muaj pas muaji. INSTAT raportoi se në 4-mujorin e parë të vitit 2024, eksportet e mallrave arritën vlerën 130 mld lekë, duke u ulur me 17,1% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 284 mld lekë, duke u rritur me 0,4%, krahasuar me një vit më parë.
Deficiti tregtar i mallrave u përkeqësua më tej duke arritur vlerën 154 mld lekë, me rrije me 22,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Pa mbështetje me politika dhe fonde, fabrikat po gjejnë mënyra për t’u përshtatur me konditat e reja.
Prodhim për vlerë të lartë të tregut, “Prada” vjen në Shqipëri
Shumë njësi prodhimi në vendin tonë që nga fabrikat e këpucëve, veshjeve dhe tullave, madje dhe bujqësia, po tentojnë të prodhojnë mallra për një kategori të lartë të tregut, në mënyrë që të sigurojnë të ardhura që të mbulojnë kostot e larta të prodhimit dhe humbjet nga kursi i këmbimit.
Kjo përshtatje po vërehet më së shumti në industrinë e tekstilit dhe këpucëve, të cilat me përvojë 30-vjeçare, tashmë po synojnë të qepin mallra për markat më prestigjioze të modës në Europë.
Eva Laro, me fabrikën e këpucëve “ProDyn”, që më parë prodhonte për nivelin e mesëm të konsumit, tani ka kaluar në prodhimin në nivelin e luksit.
Prej vitit të kaluar, ajo siguroi një kontratë me markën italiane të veshjeve luksoze “Prada”.
“Fillimisht ishte shumë e vështirë të prodhoje për këpucë të nivelit ‘Prada’. E nisëm me pak porosi dhe vetëm me disa procese. Por po ecim shumë mirë dhe këtë vit porositë janë shtuar.
Kontrata me ‘Prada’ më ka ndihmuar të mbaj në këmbë aktivitetin dhe mendoj se, të ardhurat janë përmirësuar lehtë në krahasim me vitin e kaluar”, tha znj. Laro.
Ajo siguroi edhe një kontratë me markën e “Gant” nga e cila ka marrë më shumë porosi. Para se të niste kriza kursit të këmbimit, “ProDyn” prodhonte për nivelin e mesëm me markat “Clarks” dhe “Josef Seibel”.
Të njëjtën strategji po zbatojnë edhe shumë kompani në prodhimin e veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë, por edhe prodhues në sektorë të tjerë.
Ilda Bare, e cila drejton fabrikën e prodhimit të tullave në vend, “Kid-Alb”, tha se me ndryshimet e fundit që ka bërë në teknologji ofrojnë një cilësi me të cilën synon të zgjerohet në Europë dhe në tregje jashtë Ballkanit.
Një strategji të ngjashme po ndjek edhe kompania e prodhimit të veshjeve “AM Tekstil” në Cërrik, e cila prodhon veshje pune të cilësisë së lartë për hotelet dhe restorantet në vend.
Prodhimi për markat e luksit është një pozicionim i mirë, pasi kërkesa për këtë kategori artikujsh është rritur këtë vit, ndryshe nga kategoritë e tjera të konsumit të veshjeve dhe këpucëve që kanë pësuar rënie vitin e fundit. Fabrikat shqiptare po përpiqen të përshtaten në një ndryshim radikal të gjeografisë së prodhimit në kërkim të kostove të lira.
Në këtë kontekst, harta globale e prodhimit të modës po ndryshon. Prodhuesit, veçanërisht nga qendrat tradicionale si India, po zgjerojnë operacionet e tyre në rajone të reja si Afrika, Lindja e Mesme, Turqia dhe Amerika Latine.
Kjo lëvizje synon të kapërcejë kufizimet gjeografike dhe të përfitojë përfitime si kosto më të ulëta të punës, akses në lëndët e para dhe afërsi me tregjet e konsumit në Europë, Britaninë e Madhe dhe Amerikë.
Gështenjat, boronicat e Tropojës tani po bëhen gliko dhe reçel nga biznesmeni Ardian Çitozi, i cili në të njëjtën kohë është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës dhe frutave që rriten në gjendje të egër.
Nisur nga përvojat e vendeve të tjera, por edhe për të rritur të ardhurat, ai ka nisur prodhimin e së paku 18 lloje glikosh dhe reçelrash, që kanë si bazë frutat e egra të pyllit. Prodhimi do të certifikohet si organik, pasi do të sigurohet edhe sheqeri si i tillë.
Vlera e një kilogrami gështenjë të freskët së paku 10-fishohet kur ajo bëhet gliko. Po kështu rritet edhe vlera e boronicës, mjedrës, fikut të egër etj.
Shqipëria e ka shumë pak të zhvilluar zinxhirin e përpunimit të ushqimeve, teksa për shkak të natyrës ka shumëllojshmëri prodhimesh tërësisht organike. Por bizneset e sektorit pohojnë se duhet ende shumë punë për të nxitur konsumatorët shqiptarë të zgjedhin prodhimet shqiptare në raftet e supermarketeve.
Burimi: INSTAT
Mbyllja e ciklit, nga tekstili te fermat e kafshëve
Lënda e parë autentike, profilizimi i lartë i burimeve njerëzore në disa sektorë po nxit mbylljen e ciklit në disa industri, që nga fasoni, bimët mjekësore dhe blegtoria, si një mënyrë për të përballuar krizën në sektorin e prodhimit.
AM GRUP, një kompani e prodhimit të veshjeve të punës, këtë vit ka mbyllur ciklin e prodhimit, si një përgjigje ndaj ndryshimeve që kanë sjellë rënia e Euros dhe rritja e kostove të brendshme. Kompania i kryen të gjitha proceset e punës vetë, që nga prodhimi i copës, ngjyrosja, qepja dhe gjetja e tregut.
Produktet finale janë veshje pune të një cilësie të lartë. Kompania ka nënshkruar kontrata me markat e nivelit të lartë të hoteleve dhe restoranteve në vend për veshjet e stafeve. Zoti Adrian Meshaj, i cili drejton kompaninë prej vitesh, tha se mbyllja e ciklit ka ardhur pas një përvoje të gjatë të prodhimit të veshjeve me porosi.
“Çdo hap i hedhur në mbylljen ciklit është ndërmarrë pas studimesh të thelluara dhe një pune kolosale”, tha z. Meshaj. Kompania e tij prodhon një lino dhe pambuk të nivelit të lartë, e cila më pas shndërrohet në këmisha dhe pantallona që kryesisht kanë treg marka të njohura restorantesh në vend.
Z. Meshaj tha se e gjithë kjo ecuri ka shumë sfida, pasi tregjet dhe kërkesa aktualisht kanë dinamika të jashtëzakonshme, në një kohë që mbështetja me grante dhe politika favorizuese mungon.
Deri tani, strategjia e re po ecën mirë dhe ka një kërkesë të admirueshme për veshje dhe tapiceri që u nevojitet hoteleve dhe restoranteve në vend. Strategjitë e reja të biznesit u shtynë nga kushtet e reja të tregut.
Rënia e Euros dhe rritja e kostove të fuqisë punëtore nxiti mbylljen e ciklit, i cili siguroi normë më të lartë të fitmeve, pasi krijohet ekonomia e shkallës brenda kompanisë.
Integrimi vertikal i kompanive të prodhimit është duke u zbatuar edhe në sektorë të tjerë. P.sh. fermat e blegtorëve janë duke mbyllur ciklin për t’i bërë ballë falimentit që po sjell ulja e çmimeve nga grumbulluesit.
Ervin Resuli, i cili ka një fermë lopësh me shumë krerë në Fier, tha se tani ka blerë pajisjet për një baxho që do të përpunojë prodhimet e fermës së tij.
Vendimi erdhi pas uljes së çmimeve nga fabrikat e mëdha të vendit me gati 50% këtë sezon në krahasim me vitin e kaluar. Blegtorët shqiptarë nuk kanë mundësi t’i përballojnë çmimet e ulëta të grumbullimit, pasi nuk subvencionohen nga qeveria dhe aksesi i tyre në kredimarrje është i kufizuar dhe me interesa të larta.