Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe oligarku Bashkim Ulaj janë përfshirë në një skemë korrupsioni me paratë publike. Dritan Agolli i ka dhënë kompanisë Gener 2 miliona euro tendera publikë. Në këmbim, bashkëshortja dhe djali i Dritan Agollit, Rovena dhe Flladi Agolli, kanë marrë zyra dhe apartamente te kullat në digën e liqenit, të ndërtuar nga firma “Gener 2” e Bashkim Ulajt. Në këtë firmë ka qenë i punësuar edhe Dritan Agolli për një kohë të gjatë, teksa “Gener 2” rezulton përfituesi më i madh i fondeve publike.
Rrethanat faktike
Në janar të vitit 2019, Edi Rama emëroi Dritan Agollin drejtor të përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky fond tenderon në vit rreth 250 milionë euro. Në 10 dhjetor të vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin shpall fituese kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt për tenderin ‘Rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit, Kulla e Sahatit dhe Sheshi i Flamurit’, me vlerë rreth 7 milionë euro.
Tre vjet më vonë, në dhjetor 2023, bashkëshortja e Dritan Agollit, Rovena Agolli, themelon kompaninë Agolli Audit & Consulting, me nipt M32405037S Emri i Subjektit: Agolli Audit & Consulting, me objekt auditim ligjor dhe joligjor të pasqyrave financiare për Institucione me interes publik, OJF, shoqëri tregtare, mbajtja e llogarive kontabël etj. Zyrat e kësaj kompanie rezultojnë pikërisht te kullat e Bashkim Ulajt, te diga e Liqenit në Tiranë. Bëhet fjalë për zyra luksoze, qiraja e të cilave kushton mijëra euro në muaj.
Faksimile: Bashkëshortja Dritan Agollit ka marrë zyra te pallatet e “Gener 2”
Ky nuk është episodi i vetëm. Në qershor të vitit 2020, djali i Dritan Agollit, Flladi Agolli, themelon kompaninë HMS, me adresë “Rruga e Kosovarëve, kompleksi rezidencial ‘Lake View’, ap. B202/2”, pra te kullat e Bashkim Ulajt. Kjo firmë ka si veprimtari menaxhimin e ambienteve publike dhe private, komplekseve turistike, pushuese dhe banimi. Madje, edhe administrim të sipërfaqeve publike dhe private ranore, plazhe dhe çdo shërbim i lidhur ngushtësisht me to.
Tre muaj më pas, në shtator 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin ka shpallur fituese kompaninë Gener 2 të oligarkut Bashkim Ulajt për tenderin me objekt ‘Ndërtimi i Rrjetit Rrugor dhe Infrastrukturës Urbane të Zonës 1, Njësia Administrative Thumane”, Njësia Administrative Thumane, Bashkia Krujë’, me vlerë rreth 5 milionë euro.Skema e korrupsionit është e qartë. Dritan Agolli ka punuar më parë për kompaninë e Bashkim Ulajt. Pasi Agolli bëhet drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i jep Bashkim Ulajt 12 milionë euro tendera. Nga ana e tij, Bashkim Ulaj i jep zyra Dritan Agollit për bizneset e gruas dhe të djalit, Rovena dhe Flladi Agolli.
Qoka për djalin dhe gruan me fondet publike
Flladi Agolli, djali i Dritan Agolli është pronar i një biznesi në Hamallaj, restorant.Nga të dhënat rezulton se kjo firmë, bashkë me restorantin “BEDOUIN”, janë në funksion të shfrytëzimit të një sipërfaqeje në plazhin e Hamallajt. Por, në bilancet e publikuara, rezulton se restoranti doli me humbje në vitin 2023! Një paradoks i madh, pasi është një nga vendet më luksoze dhe të shtrenjta në Hamallaj. Ndërkohë, firma HMS i doli me një fitim 2.3 milionë Agollit.
Sipas të dhënave në QKB, “BEDOUIN” ka dy vende të ushtrimit të aktivitetit, e para në Hamallaj në kompleksin “Vala Mar” dhe e dyta në rezidencën “Longhill”, Tiranë. Dy prej rezidencave luksoze, të cilat rrugët apo gjithçka tjetër po e bën Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Nga njëra anë babai jep miliona euro në shërbim të këtyre resorteve, nga ana tjetër djali zhvillon aktivitetet e biznesit në këto ambiente, teksa gruaja e tij bën bilance ligjore dhe jo ligjore!
Faksimile: Gruaja e Dritan Agollit është bashkëpronare në një firmë me gruan e Dashamir Pezës
Ndërkohë, biznesi i parë që ka pasur familja Agolli ka qenë “FASHION SILOUHETTE”, një biznes i ndarë me 50 % të aksioneve nga Rovena Agolli dhe 50 % nga Entela Peza, bashkëshortja e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Objekti i biznesit është tregti me shumicë e pakicë, import-eksport të materialeve industriale, ushqimore dhe makinerive në fushën e ndërtimit, agjenci turistike, hoteleri, bar, kafe etj.
Nisur nga bizneset e familjes, s’do mend që dy tenderët e FSHZH-së për të bërë restorante të kenë pasur ndikim. Fondi po bën me paratë e shtetit një restorant në zonën e Petrelës. Ndërkohë, FSHZH shpalli tenderin me vlerë 2 milionë euro për bare, restorante brenda Zonës së Mbrojtur të llixhave të Bënjës. Në atë vend bëri punime sporadike firma “Fusha”, të cilat po “mbulohen” nga fondi i majmë i akorduar nga Dritan Agolli.
Të dhënat flasin se Fondi është kthyer në një “qokë” të madhe për familjen apo edhe për disa biznese të lidhur ngushtë me to.