top of page

SPAK kontroll tek kompania e Besnik Halilit, sekuestrohen 11 celularë


Elton Qyno – Ditar.al

Zyrat e Grupit “G.T.S” në Shqipëri që administrohen nga biznesmeni Besnik Halili, i cili zotëron monopolin e tregtimit të oksigjenit të lëngshëm dhe kompresuar, i janë nënshtruar një vale kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

Edhe pse shumë i vonuar, hetimi nr.17 i rregjistruar kryesisht nga SPAK në datën 25 janar 2021, brenda tre viteve ka kryer një seri verifikimesh, ku është provuar se zyrtarë të Ministrive të ndryshme në bashkëpunim me punonjës të kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kanë paracaktuar kriteret dhe format e procedurave tenderuese, duke shpallur fituese në të gjitha rastet kompaninë e oligarkut të oksigjenit Besnik Halili.

Hetimi i këtij rasti ka nisur pas shkrimeve në media lidhur me bisedat e transkriptuara nga Autoritet Italiane të Drejtësisë, nga të cilat rezulton se italianët e klanit mafioz “Ndragheta”, Antonio Gallo, Antonio Speziali dhe Claudio Larusa, flasin për një person shqiptar i njohur prej tyre me emrin “Nik”, i cili sipas bisedave, kishte lidhje në Bashkinë Tiranë dhe mund të siguronte leje ndërtimi të objekteve të reja që po ndërtoheshin në qëndrën e Tiranës kundrejt rryshfetit të dhënë tek punonjësit e Bashkisë Tiranë.

Po kështu, sipas bisedave, personi i cili njihej me emrin “Niku” kishte marrë pjesë dhe ishte shpallur fitues dhe në disa tendera të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, ku sipas mediave operonte kryesisht në fushën e furnizimit të spitaleve me oksigjen.

Sipas SPAK nga bisedat e zhvilluara nga shtetasit Italianë rezulton se ka dyshime, se të ardhurat me të cilat janë krijuar dhe përdorin këto shoqëri për të realizuar veprimtarinë e tyre, burojnë kryesisht nga aktivitetet e kundërligjshme të kryera në kuadër të krimit të organizuar i cili vepron në Territorin e Shtetit Italian dhe në Republikën e Shqipërisë.

Nga verifikimet e bëra nga SPAK, ka rezultuar se personi i njohur me emrin “Nik” është Besnik Halili, i cili është themeluesi dhe administratori i shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”

Halili rezulton të ketë ngritur një zinxhir kompanish si “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, ”Hydro Energy Sotira”, “Idro Energia Pulita”, “Adr-Trans”, “Green Tech”, “N3H”, “Messer Albagaz”, “Sofigaz”, “Sapio Produzione Idrogeno” ku në disa prej këtyre qëndron si pronar në hije, duke kryer dhjetëra transaksione të dyshimta.

Përmes këtyre kompanive, SPAK dyshon shumë se janë lëshuar fatura fiktive duke sjellë transaksione bankare për fshehje.

Sipas dosjes hetimore të siguruar ekskluzivisht nga Elton Qyno rezulton se nga periudha e vitit 2014 deri në vitin 2020, shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” që administrohet nga Besnik Halili, ka lidhur 223 kontrata me autoritet kontraktor, kryesisht në furnizimin me gazra teknike mjekësore, ndër të tjera me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe me Drejtoritë e Spitaleve Rajonale.

Gjatë hetimit të këtij rasti SPAK, ka kërkuar nga Agjensia e Prokurimit Publik, të gjitha kontratat që janë lidhur me këtë subjekt.

Në datën 23 shkurt 2021 informon SPAK se “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” është një shoqëri e krijuar nga shoqëria italiane S.O.L s.p.a dhe më saktë kjo e fundit ka 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

“…në këto rrethana shoqëria “S.O.L” s.p.a funksionon si një shoqëri guaskë…”-thuhet në dosjen e SPAK.

Të nisur nga dyshimet të forta se punonjës të kompanisë dhe zyrtarë shtetërorë kanë paracaktuar në tavolinë tenderat me vlera miliona euro, në datën 20 Maj 2024 SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në zyrat e biznesmenit Besnik Halili dhe tek rrethi i punonjësve të kësaj kompanie.

Gazetari Elton Qyno, ka siguruar dokumenta që tregojnë se SPAK dhe BKH, kanë kryer bastisje në zyrat e grupit “S.O.L”, duke sekuestruar prej andej kompjuterat, dokumenta dhe aparate telefonike.

Veprimet e SPAK janë kryer nga prokurori Sotir Kllapi, i cili ka autorizuar 14 oficerë të BKH-së, për ekzekutimin e veprimeve kontrolluese.

Më konkretisht kontrollet janë kryer tek zyrat e kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kontroll personal i është bërë biznesmenit Besnik Halili, të cilit i është marë telefoni dhe sende të tjera elektronike.

Më tej kontrolli është kryer dhe tek bashkëshortja e Besnik Halilit, Luneda Sufali, e cila ka qënë ish-punonjëse e kompanisë së tij. Sufali aktualisht drejton Shërbimin Social Shtetëror.

Luneda Sufali ka ka qenë Drejtore e administratës në kompaninë private “GTS”, para se Edi Rama ta emëronte në 2014 në krye të Lojërave të Fatit. Karriera e saj ka vijuar me ngjitje që prej asaj kohe.

Në nëntor të vitin 2015, për arsye të pasqaruara, Sufali jep dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Financave dhe emërohet Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, e cila në atë kohë drejtohej nga Blendi Klosi.

Më pas, në nëntor 2017, zonja Sufali emërohet Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, me firmën e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndoshta për rastësi, por paralel me progresin në karrierë të Sufalit, kompania “GTS” forcon pozitat e saj në tenderat publikë të oksigjenit mjekësor, aq sa sot ka arritur të jetë në fazë “monopoli”.

Kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe vëllai i Besnik Halilit, Ergys Halili, i cili është administrator i kompanisë “NCI”, kjo e fundit ka kryer dhjetëra transferta të shumta parash me shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.

Telefonat dhe kompjuterat i janë marë shtetasit Aldo Muça, administrator i kompanisë “N3H”, shoqëri e cila ka transferta të shumta bankare me kompanitë e administruara nga Besnik Halili.

Kontrollit i është nënshtruar dhe Gerti Idrizi, i cili është punonjës i “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe figuron si përfaqësues ligjor në QKB tek të gjitha shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.

Valës së kontrollit nuk i ka shpëtuar dhe Alban Zoraqi, Elona Hoxhafi, të cilët janë financierët kryesorë dhe njerëzit që kanë kryer veprime të transfertave bankare tek të gjitha kompanitë e administruara nga Besnik Halili.

Gjithashtu kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe tek Ardian Strazimiri, administrator i kompanisë “Sofigaz”, i cili rezulton në marrëveshje me Besnik Halilin, për përcaktimin paraprak të ofertave në procedurat e tenderave publikë.

BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë “Messer Albagaz”, e cila në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.

Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë “Messer Albagaz”, i është marë telefoni dhe kompjuteri. Kjo kompani në shumë raste rezulton të jetë fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.

Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë “Messer Albagas”, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive “Messer Albagas” dhe “G.T.S”.

Hetimet për këtë rast vijojnë dhe në ditët në vijim do ketë zhvillime.

Personat e kontrolluar

1. Besnik Halili administrator i shoqërisë “G.T.S-Gazra Teknike Shqiptare”.

2. Luneda Sufali partnerja e Besnik Halilit

3. Ergys Halili vëllai i Besnik Halilit, njëherësh administrator “NCI”

4. Aldo Muça administrator i “N3H”

5. Gerti Idrizi përfaqësuesi i të gjitha kompanive të Halilit në QKB

6. Elona Hoxhafi financiere e të gjitha kompanive të Halilit

7. Ervin Tushe hartues i specifikimeve tekenike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga “G.T.S”.

8. Alban Zoraqi financier i autorizuar në të gjitha kompanitë e Halilit.

9. Ardian Strazimiri administrator i shoqërisë “Sofigaz”.

10. Migel Zallëmi shefi i financës në kompaninë “Messer Albagaz”.

11. Stojan Angjellari menaxheri teknik i shoqërisë “Messer Albagaz”.

12. Ela Strazimiri specialiste e financës në shoqërinë “Messer Albagaz”.

bottom of page