Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një auditimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), për periudhën mars-maj 2023, ka kosntatuar vjedhje të fondeve publike nga disa kompani, të cilat ishin kontraktuar nga OST përmes procedurave tenderuese (të dyshuara si fiktive) për zbatimin e kontratave për shërbime të ndryshme, si mirmëmbajtje, shtrirje linjash etj.
Sipas raportit, kompania G.A.C me administrator dhe pronar Klodian Alimadhi ka abuzuar me zbatimin e kontratës me vlerë 1 milionë USD, me objekt zgjerimi i sistemit të lokalizimit të defekteve në linjat e tensionit të lartë, duke përfituar padrejtësisht para publike për punë të pakryera.
Kompania G.A.C fitoi në vitin 2020 tenderin 1 milionë USD me firmën e drejtorit të OST, Skerdi Drenova, një zyrtar publik i lakuar për abuzime me vlerë miliona euro.
Tenderi i shënuar me flamur të kuq karakterizohet nga hije të theksuara korrupsioni, klientelizmi dhe paracaktimi të fituesit me pazar në tavolinë.
Në këtë procedurë Klodian Alimadhi ka konkurruar me veten e tij, pasi nuk ka pasur pjesëmarrës të tjerë në garë. Si rrjedhojë, diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është qesharake.
Si mos të mjaftonte oferta fituese në kufirin e fondit limit, pra fitimi që në procedurë, kompania G.A.C ka mashtruar edhe me zbatimin e kontratës, duke thelluar vjedhjen, duke ndarë me sa duket paratë me drejtorin e OST, përgjegjës për monitorimin e zbatimit të kontratave që firmos vetë.
G.A.C, e vetme dhe në bashkëpunim ka marrë vitet e fundit rreth 14 milionë euro tendera publikë.
Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar OST që t’i japë fund praktikës abuzuese të tenderave për automjete me qira, në kushtet kur kostoja është më e ulët nëse OST i blen makinat.
Vitin e kaluar, Drenova i dha rreth 300 milionë lekë kompanisë ASG me pronar Gazmend Haxhia për makina me qira, ndërkohë që me këto para mund të bliheshin 15-20 makina të reja.
Nga viti 2014, OST, vetëm për qira operacionale dhe pjesë këmbimi për makina ka shpenzuar mbi 3 miliardë lekë