Tender pa garë dhe i dyshimtë në bashkinë e Sarandës me vlerë 246 milionë lekë. Letrat janë firmosur nga nënkryetari i bashkisë Sarandë, sigurisht jo jashtë vëmendjes së kryebashkiakut Oltion Çaçi.
Nuk e dimë se si e ka përcaktuar fondin limit bashkia Sarandë, pasi nuk jepet asnjë e dhënë në dokumentet e tenderit mbi argumentimin e kësaj shume, por KLSH vitin 2023 ka raportuar se në këtë institucion në të kaluarën është abuzuar me përllogaritjet dhe emëroheshin anëtarët e komisionit në konflikt interesi. Në pamje të parë fondi limit duket i fryrë pasi do të përdoret për të rregulluar vetëm një rrugë ekzistuese me gjatësi 520 metra.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtim i rrugës “13 birbilenjte Sarandë”.
Në preventiv përshkruhet se kësaj rruge do t’i hidhet një shtesë asfalti pasi të bëhen sheshime dhe shtrim me çakëll. Rruga do të pajiset me trotuar dhe ndriçim.
Sipas dokumenteve, gara për këtë prokurim është shpallur më datë 9 prill 2024 dhe afati që të dorëzohen oferta nga kompanitë e interesuar ka qenë deri më 3 maj 2024.
Zakonisht, kur dihet paraprakisht se kush e fiton tenderin, ka pjesëmarrje të ulët nga operatorët ekonomikë. Vetëm dy oferta janë paraqitur për këtë tender, por edhe ato nuk janë trajtuar dhe vlerësuar sipas ligjit.
Open Data Albania e ka shënuar me flamur të kuq këtë tender, për të treguar riskun e korrupsionit.
“BEQIRI ” SHPK, edhe pse kishte ofertën më të lirë me vlerë 218 milionë lekë është skualifikuar, sepse nuk plotësonte kriteret. Nuk specifikohet se cilin prej tyre nuk përmbushte kompania dhe vendimi për të vazhduar prokurimin me një operator ekonomik duket i nxituar. Sipas ligjit nëse nuk ka oferta të përshtatshme, procedura mund të anulohet.
Njerëzit e Çaçit ia dhuruan pa garë tenderin pronarit Simon Çipa të firmës “JODY COMPANY” SHPK, me propozimin 231 milionë lekë ose 13 milionë lekë më shtrenjtë se oferta e skualifikuar.
Deri në 21 qershor 2024 emri dhe kontrata me fituesin janë mbajtur në sirtar dhe më pas është bërë publikimi nga Agjencia e Prokurimeve.
Një dyshim tjetër na lind mbi kapacitetin e firmës që të kryejë punimet me cilësi dhe në afat. Më poshtë është tabela e tenderave që kompania i ka në dorë aktualisht dhe do të duhet të shpërndahet në disa projekte njëherësh.
Kompania ka deklaruar gjithsej 34 punonjës, aq sa kërkohen edhe për punimet në rrugën e mësipërme. Ku do t’i çojë kompania forcat e punës tek “13 birbilenjtë”, në rikonstruksionin e rrugës Markat, apo për të asfaltuar rrugët në Finiq? Përqendrimi i tenderave në pak duar shpjegohet me mungesën e konkurrencës që është tregues korrupsioni.