top of page

Vrasja e Elton Javorit në Fier, gjendet makina që përdorën autorët


Tre ditë pas ngjarjes së rëndë ku mbeti 1 vrarë një 41-vjeçar në Fier, Elton Javori, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një makinë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët.

Sipas policisë, automjeti ishte fshehur në garazhin e një banesë, ndërsa është proceduar penalisht edhe pronari i banesës, një 70-vjeçar. Gjatë kontrolleve, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.

Njoftimi i policisë


Gjendet dhe sekuestrohet automjeti i përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së 41-vjeçarit, më datë 07.12.2023.

Procedohet penalisht 70-vjeçari që kishte fshehur në garazhin e banesës së tij, këtë automjet.


Sekuestrohen 1 automjet tjetër, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme, që do t’i shërbejnë hetimit.


Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në datë 7 dhjetor, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Elton Javori, 41 vjeç, shërbimet e Policisë, me mbështetje të inteligjencës policore, bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit të përdorur nga autorët gjatë ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Rexhep Puka, 70 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në garazhin e mbyllur, u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip “Benz”, i përdorur nga shtetasit Agim Gashi dhe K. G., gjatë vrasjes së shtetasit E. J.

Nga këqyrja e këtij automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gezhojë arme zjarri, ndërsa në banesë u gjend një fishek arme zjarri.

Gjithashtu, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.

Po gjatë kontrolleve të imtësishme në zonë, në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje shtetasi R. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.


Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensivisht për kapjen e autorëve, shtetasve A. G. dhe K. G., dhe dokumentim e plotë të rrethanave ngjarjes.


Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit R. P., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

bottom of page