Ne një raport auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2022 vlerësohet se ky koncesion ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të projektit, kostot nuk janë përllogaritur saktë dhe nuk janë identifikuar qartë risqet, si dhe ka keqorientim të politikave për reduktimin e mbetjeve.
Institucioni suprem i auditit të jashtme ne Republikën e Shqipërisë konfirmon se projekti është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit dhe jashtë tavaneve buxhetore. Raporti ve ne dukje se procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore, se në studimin e fizibilitetit parashikohet që pagesa totale për një kohëzgjatje të projektit prej 30 vjetësh, të mbulohet përkatësisht nga:
a) qeveria shqiptare në masën 130,8 milionë euro pa TVSH,
b) ndërsa nga buxheti i bashkive në masën 91,7 milionë euro (pa TVSH). Ai konstatonte se prej vitit 2018, Bashkisë së Tiranës i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve – vetëm për periudhën 2018-2020 kjo bashki ka paguar rreth 3.2 miliardë lekë shtesë ((26.5 milionë euro), krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh (32,3 milionë Euro).
Këto shifra nuk përfshijnë pagesat e vitit 2023 dhe gjysmës së parë të vitit 2023. Por, më alarmant është konstatimi se prej vitit 2018 Bashkia e Tiranës ka paguar tarifën prej 29 euro/ton për incenerimin e mbetjeve urbane për një shërbim ende të pakryer, duke theksuar se “për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim. Pavarësisht moskryerjes të procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”.
Për më tepër, KLSH konfirmon se subjektet e përfshira në këtë kontrate nuk i kanë ofruar auditit asnjë evidencë për negocimin paraprak me operatorin ekonomik koncesionar te tarifës koncesionare të depozitimit te mbetjeve urbane prej 29 Euro/ ton mbetje urbane. Për fat të keq, kjo situatë është njëlloj, e pandryshuar, edhe mbas një viti e gjysmë nga koha e paraqitjes së këtij raporti zyrtar te KLSH. KLSH-ja vërente se fillimisht Ministria e Financave kishte theksuar në relacionet e saj se “vetë procedura koncesionare nuk do të ketë efekte shtese në buxhetin e shtetit pas kemi të bëjmë tërësisht me një investim privat”. Krahas kësaj, Ministria parashtronte edhe se investitori kishte kapitalet e mjaftueshme në llogaritë e veta, për të mbuluar të gjithë investimin, megjithatë auditit nuk ju ofrua ndonjë dokument provues në lidhje me këtë.
E bëra këtë parashtrim për të thënë që kjo çështje është e njohur dhe e sqaruar jo vetëm nga KLSH, (https://www.monitor.al/klsh-djeg-inceneratorin-e-tiranes-bashkise-iu-dyfishuan-shpenzimet-per-pastrimin-u-paguan-26-5-milione-eurone-tre-vjet-kur-nuk-u-mor-sherbimi), si dhe më herët nga Komisioni Hetimor parlamentar “Tabaku” (https://abcnews.al/komisioni-hetimorper-inceneratoret-pd-dorezon-kerkesen-tabakuafera-me-e-madhe-korruptive/) dhe besoj se formon indice të mjaftueshme për dyshim të bazuar edhe për SPAK-un për të hetuar edhe mbi këtë rast.
”BEGATIMI PA SHKAK” SIPAS LEGJISLACIONIT SHQIPTAR
Këto kohë jemi ndeshur trajtime të ndryshme në lidhje me mundësinë e rishikimit të kontratës përkatëse koncesionare për “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë, propozuar nga operatori ekonomik ‘Integrated Energy B.V’ sh.p.k”. Në anën e mbështetësve, të ndërgjegjshëm ose jo, të kësaj kontrate, sillen argumente të ndryshme që nga ato populiste, naive e spekulative si “do te mbysim plehrat si vitin “xix” deri te “kemi një kontratë që nuk mund ta shkelim”, ndërsa kundërshtaret flasin për ndërprerje të mëhershme të saj.
Personalisht mendoj se e vërteta është diku në mes, d.m.th. duke besuar se çdo kontratë mund të prishet për shkaqe të përligjura, vërej se cilido mund të konstatojë se Tirana me vullnet dhe bashkitë e tjera që me detyrim, me çmime pa garë dhe të detyruara nga qeveria qendrore depozitojnë mbetjet urbane njëlloj si më parë, por me çmimin që përfshin edhe djegien e tyre. Aktualisht, për depozitimin e mbetjeve të tyre urbane në landfillin e inceneratorit të Fierit bashkitë e këtij qarkut nga 1 prilli i këtij viti paguajnë tarifë porte prej 12 eurosh për ton, edhe pse zyrtarisht thuhet qe ky incenerator ka përfunduar ndërtimin sipas kontratës dhe është funksional.
Kjo tarifë pa garë për gjashtë bashkitë në fjalë nëpërmjet një marrëveshjeje nga kompania e sekuestruar, “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, bashkë me kushtin që nuk do të lejoheshin që t’i depozitonin mbetjet në landfill. D.m.th., jashtë Tiranës, për të njëjtin shërbim – depozitim, me kosto të fryrë e pa garë, i njëjti shërbim ofrohet me 12 Euro/ për ton mbetje urbane nga 29 Euro/ton në Tiranë. Diferenca prej 17 Euro/ton mund te cilësohet në çfarëdo mënyrë, por në çdo rast duhet pranuar se është një pagesë publike për një shërbim të pakryer/që nuk merret nga institucionet shtetërore (në rastin konkret, nga Bashkia/ qytetarët e Tiranës).
Po çfarë ndodh në raste të tilla, pra kur paguhet për shërbim që nuk merret? Gjeja e parë që të shkon ndërmend është cilësimi juridik i këtij rasti: “begatim pa shkak” (Neni 655) i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, por nuk kam ndërmend të futem më thellë në aspektin juridik të problemit. Këtë e përmenda për të thënë se kuadri ynë ligjor, përtej parashikimeve specifike ne kontratën e koncesionit në fjalë (që edhe ato meritojnë të analizohen nga specialistët, veçanërisht sa i takon respektimit të paritetit të palëve dhe mbrojtjes së interesit publik), ofron parashikime të posaçme që mund dhe duhet të shfrytëzohen për ta sjellë këtë kontratë në standardet e duhura.
Sipas mendimit tim, më shumë se parashikimet ligjore, apo fakti se pronaret e kësaj kompanie, për shkak të zotërimit edhe të dy koncesioneve të tjera në hetim e gjykim si te dyshuar për korrupsion, janë në kërkim ndërkombëtar, mungesa e veprimit të Autoritetit Kontraktor, Bashkisë së Tiranës, Avokatit të Shtetit dhe të vërtetë qeverisë ngre pikëpyetje të mëdha jo vetëm mbi integritetin e këtyre institucioneve dhe kontrollin politik mbi ta, por edhe mbi pasojat juridike penale që po i shkaktojnë në vazhdimësi buxhetit të shtetit duke kryera pagesa për shërbime publike që nuk merren.
Prandaj, do të ftoja publikisht institucionet në fjalë që të ushtrojnë detyrimet e veta ligjore në mbrojtje të interesit publik, d.m.th. të ndërmarrin sa më shpejt që të jetë e mundur hapat e nevojshme për rinegocimin e kontratës në fjalë, duke kërkuar uljen e tarifës për pjesën e incenerimit (djegies) së mbetjeve urbane, rikthimin në buxhetin e shtetit të shumave të paguara më tepër, si dhe ndëshkimin ligjor të personave përgjegjës të përfshirë të të gjitha niveleve në cenimin e buxhetit të shtetit.
Është rasti t’i kujtojmë organit të akuzës dhe veçanërisht SPAK-ut se çfarëdo vonesë në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse procedurale deri edhe në vendosjen e sekuestros provizore mbi kompaninë dhe marrjen e saj nën administrimin e shtetit deri në sqarimin e lidhjes se kësaj kontrate me dy të tjerat të ngjashme, si dhe të vendimmarrjes përfundimtare të gjykatës mbi pronaret e saj për proceset penale në zhvillim e sipër. Për opinionin publik është ende e paqartë se si vazhdojnë pagesat rregullisht nga Bashkia e Tiranës dhe se perse nuk ka asnjë tentativë zyrtare për të sjellë kontratën në standardet e ligjit për të mbrojtur interesin publik?
Kjo situatë të shtyn të mendosh se pleksja e interesave korruptive dhe shkalla e përfshirjes së zyrtarëve të lartë në një aferë të tillë është shumë më e madhe nga dy-tre “peshq të mëdhenj” që tashmë janë në dyert e drejtësisë. Ndërkaq, referimi i detyrimeve kontraktuale të palës shtetërore për pagesat nga buxheti i shtetit të palidhura me koston për njësi të shërbimit, tashmë të provuar se është hartuar nga pala përfituese, kompania koncesionare, mendoj se duhet trajtuar si forma më e lartë e kapjes së shtetit nga interesat oligarkike, të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk e teproj të them se ky fakt është një argument më shumë për të futur në siten e drejtësisë të gjitha palët që kanë ideuar, vendosur, realizuar, dhe që po mbrojnë “me zjarr” këtë “aferë të shekullit”.
ARBITRAZHI NDËRKOMBËTAR MBI KONTRATAT E FITUARA NË MËNYRË KORRUPTIVE
“Frikën” e shtirur të ndokujt, duke përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të qeverisë, se gjoja koncesionari mund ta dërgojë çështjen e rishikimit/prishjes së kontratës koncesionare në Arbitrazhin Ndërkombëtar, është rasti ta analizojmë pak me hollësisht këtë çështje. Përvojat dhe praktikat e Arbitrazhit Ndërkombëtar, nëse koncesionari refuzon rishikimin e kontratës për amendimin e saj duke e sjellë standardet e duhura, tregojnë se kërkesa të tilla për gjykim mund të pezullohen sa herë që hetimet penale vendase në lidhje me akuzat për korrupsion janë ende në pritje.
Kontrata të tilla njihen si “marrëveshje të ryshfetit” si p.sh. marrëveshjet e fshehta ndërmjet zyrtarëve shtetërorë dhe kontraktorëve privatë ose agjentëve të tyre, ose kur një kontratë qeveritare mund të jetë e mbiçmuar qëllimisht për t’i lejuar koncesionarit të përfitojë fonde shtesë për t’u paguar ryshfet zyrtarëve qeveritarë. Këto kontrata nga Arbitrazhi Ndërkombëtar përgjithësisht shihen si të pavlefshme dhe të pazbatueshme, dhe ndalimi i “marrëveshjeve të ryshfetit” përbën një politikë publike transnacionale. Duke qenë se marrëveshjet e ryshfetit janë të pazbatueshme, parimi praktik në këto raste është se “paratë qëndrojnë aty ku janë”. Kjo është në përputhje me parimin e njohur dhe të pranuar gjerësisht të së drejtës romake “in pari turbitudiene melior est causa possidentis”.
Duke e çmuar apriori se kontrata e koncesionit në fjalë është në kushte të tilla (siç dëshmojnë edhe hetimet për pronarët e saj dhe të zyrtarëve të përfshirë në “aferën e inceneratorëve”) janë të paktën tri opsione të mundshme: së pari, kontrata kryesore, e lidhur me korrupsion, të shpallet e pavlefshme; së dyti, i dëmtuari (shteti shqiptar) ka opsionin ndërmjet pavlefshmërisë së marrëveshjes ose vazhdimësisë së saj; dhe e treta, kontrata kryesore konsiderohet e detyrueshme dhe efektive, e cila kufizon të drejtat e palës së dëmtuar në mjete të tjera juridike, si dëmshpërblim ose ulje të çmimit/negocim. D.m.th. fati i kontratës do të jetë në duart e palës së dëmtuar (shtetit shqiptar), duke iu nënshtruar kufizimeve të pasurimit të pabazë ose mjeteve të tjera të ngjashme për të mbrojtur të drejtat e koncesionarit për kthim ose kompensim të investimit të kryer, në atë masë që është realizuar.