E ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” Zhaklin Lekatari është ndalur tek tema e dhunës në shoqërinë tonë, qoftë ajo verbale apo fizike. Zhaklin zbuloi se sot ajo do të jetë pjesë e një proteste mbi ngjarjen tragjike të ndodhur ditën e djeshme që i mori jetën dy grave. Ajo gjithashtu ceku dhe dhunën verbale, e cila sipas saj është po aq e rrezikshme dhe mund të çojë deri në dhunë fizike.
"Pas eksperiencës sime të fundit ku jam angazhuar, kam kuptuar që kjo shoqëri ka shumë nevojë për feminizëm, të edukojë gratë. Një shoqëri me gra maskiliste është më e rrezikshme se vetë burrat. Sepse ato e dhunojnë gruan, e dhunojnë viktimën, ato nuk e lënë që ajo të luftojë për të drejtat e saj, sepse shtojnë ndjenjën e fajit dhe të turpit duke bërë vetëm hapa pas. Dhuna verbale transformohet në dhunë fizike dhe çon deri në marrje jete", tha Zhaklina.
"Dhunë kam marrë dhe unë, sidomos nga vajzat e nga gratë. Më kanë thënë që të më vijë turp, që jam kundra dashurisë, që të luftosh për të pasur një jetë me dinjitet qenka gabim. Më kanë akuzuar se unë ndaj çifte. Unë jap këshillë dhe vendimi i përket personit që është në çift. Unë i nxis njerëzit që të reflektojnë në një marrëdhënie dhe të zgjedhin veten e tyre. Të kenë besim tek vetja e tyre dhe tek projeksioni që kanë për veten. Çdo gjë duhet të nisi nga dashuria për veten", u shpreh opinionistja.